Koordinuesi i BE-së për luftë kundër terrorizmit: Lëvizja gyleniste nuk është organizatë terroriste
Bashkimi Evropian nuk e ndan mendimin e Turqisë se rrjeti i imamit Fetullah Gylen, i cili jeton në SHBA, është organizatë terroriste, ndërkaq për ta ndryshuar mendimin nevojiten “dëshmi thelbësore”, deklaroi koordinuesi i BE-së për luftë kundër terrorizmit, Zhil de Kershov.
“Sa i përket FETO-s, nuk i konsiderojmë organizatë terroriste dhe nuk besoj se BE-ja, sipas të gjitha gjasave, do ta ndryshojë qëndrimin e vet”, deklaroi De Kershov, duke e përdorur akronimin për lëvizjen të cilin e përdor Turqia.
Turqia kërkon nga SHBA-ja ta ekstradojë Gjylenin, ndërsa nga disa vende si Gjermania, t’i dorëzojnë bashkëpunëtorët e tij. Qeveria turke i akuzon Gjylenin dhe bashkëpunëtorët e tij se qëndrojnë prapa tentimit të vitit të kaluar për grusht shtet në vend.
“Vendimi për ekstradim është në duar të të gjitha anëtareve, ndërkaq jurisprudenca e pavarur kërkon dëshmi të fuqishme”, theksoi De Kershov, transmeton BTA.
“Janë të domosdoshme jo vetëm dëshmi indirekte, si listingje telefonike të thirrjeve, por edhe dëshmi konkrete se ata kanë qenë të përzier”, theksoi koordinuesi evropian.
Lëvizja e Gjylenit, e njohur edhe si “Xhemat” është lëvizje transnacionale dhe sociale islamiste, e kryesuar nga imami turk Fetullah Gjylen, i cili jeton në SHBA prej vitit 1999. Lëvizja nuk ka emër zyrtar, por zakonisht quhet Hizmet (Shërbimi), apo Hizmet Hareketi (Lëvizja e Shërbimit), nga ana e ithtarëve të saj dhe si Sufi-xhemaat (shoqëri, bashkësi) nga opinioni i gjerë në Turqi.
Qeveria turke e quan FETO (Organizata fetuliste terroriste), duke e akuzuar Gylenin se qëndron prapa tentimit për grusht shtet gjatë verës së kaluar.