Korça, si preferencë e turizmit dimëror
Festat e fundvitit e gjejnë qytetin juglindor të Korçës të populluar me turistë e vizitorë të shumtë. Vetë qyteti është një atraksion me kulturën dhe veprat artistike e monumentale që gjenden në të, por edhe fshatrat turistikë si Voskopoja, Dardha, Boboshtica etj. që e bëjnë mjaft të vizitueshëm këtë zonë.
Mbi 5000 qytetarë, por edhe turistë kanë vizituar që prej datës 24 dhjetor këtë qytet, për të parë nga afër edhe ndryshimet e fundit në sheshin e qytetit, me pistën e patinazhit dhe kullën panoramike në qëndër të Korçës.
Projekti i sheshit para teatrit ka ngjallur kureshtjen e shumë qytetarëve, por edhe vizitorëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur Korçën për të kaluar festat e fundvitit. Duket qartë se Korça me realizimin e këtij projekti dhe me një dekor nga më të veçantët në Shqipëri, ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve vendas dhe të huaj.