Korreshi: Harta e re po fut në sherr Lushnjen me Divajkën, ju ka zënë ferra sytë
Debati për hartën e re territoriale është shoqëruar me kundërshtime edhe nga deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili gjatë fjalës në Kuvend u ndal te propozimi për bashkimin e Divjakës me Lushnjën.
Korreshi tha se ky ndryshim nuk mbështetet nga banorët dhe se vendimi ka sjellë përplasje mes dy komuniteteve. Ai e lidhi reformën edhe me rezultatin zgjedhor të socialistit Ceno Klosi në Divjakë.
“Ju keni futur edhe sharjen e urrejtjen mes lushnjarëve e Divjakës. Askush nuk e do këtë bashkim, përveç kryetares që i vente deti në derën e bashkisë”, tha Korreshi.
Deputeti i PD-së kundërshtoi gjithashtu argumentin se ndryshimi i hartës territoriale do të sjellë shërbime më të mira për qytetarët. Ai ngriti kritika për pastrimin, menaxhimin e territorit dhe gjendjen e infrastrukturës në zonë.
“Pretendoni shërbime publike? Po ju s’keni hale. Sot e gjithë bashkia është patronazhim nga i pari te i fundit. Në 2014 i thatë do ulim shpenzimet. Kazanët e plehrave një herë në javë pastrohen në Lushnjë. Ndizen zjarre në mes të qytetit”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës, Korreshi foli edhe për problemet në zonat bujqësore dhe rezervuarët e Myzeqesë.
“Juve ju ka zënë ferra sytë, kallami është bërë si hu nëpër parcela. Asnjë nga rezervuarët e Myzeqesë nuk i punojnë portat hyrëse e dalëse. Iu ngeci peshku”, deklaroi deputeti demokrat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.