Agron Bajrami merr pjesë në seancën për vrasjen e Enver Hadrit: Drejtësia mbetet obligim moral dhe politik
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka marrë pjesë në seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor lidhur me vrasjen e veprimtarit shqiptar të të drejtave të njeriut, Enver Hadri.
Përmes një postimi, Bajrami ka bërë të ditur se në këtë seancë ka qenë në përfaqësim të Republikës së Kosovës, në shenjë solidariteti me familjen Hadri dhe ekipin e tyre ligjor, të cilët po vazhdojnë përpjekjet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e tij.
“Enver Hadri, intelektual, patriot dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut nga Kosova, u vra në Bruksel më 25 shkurt 1990”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka theksuar se, siç kanë konstatuar tashmë gjykatat belge, vrasja ishte organizuar dhe kryer nga shërbimet sekrete jugosllave.
“Enveri u vra për punën e tij dhe për atë që përfaqësonte. Vrasja e tij ishte pjesë e politikës së Beogradit kundër Kosovës, një politikë që nuk përfundoi më 1990”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas tij, kjo politikë vazhdoi me krimet gjenocidale, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës gjatë viteve 1998-1999, ndërsa vazhdon edhe sot përmes mohimit të vazhdueshëm të këtyre krimeve.
Bajrami ka vlerësuar rëndësinë e faktit që drejtësia belge po e trajton këtë rast edhe pas më shumë se 36 vjetësh nga vrasja.
“Që drejtësia belge po e shqyrton ende këtë rast pas më shumë se 36 vjetësh është domethënëse në vetvete. Kosova i është mirënjohëse Belgjikës për këmbënguljen e saj”, ka shkruar ai.
Në fund, Bajrami ka theksuar se drejtësia për Enver Hadrin dhe familjen e tij mbetet obligim moral dhe politik. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.