Kryeartikull

Korrupsioni galopant PD, PS, PL

Petro Dhimitri

Korrupsioni  është një sëmundje e padëshëruar e njerëzimit e njohur që në shekujt Para Erës së Re. Në vitet  3100-2700  para Erës së Re në ligjet e Dinastisë së Parë të Egjiptit e gjejmë termin korrupsion. Po kështu gjurmë të tij janë gjetur edhe në Kinën e lashtë. Në Greqinë fqinje që 1400 vjet para Erës së Re Herodoti ka folur për rushfetet që merrnin priftëreshat e Orakullit të Delfit. Është e njohur thënia e Aristotelit se edhe Perënditë mund të marrin rushfet.

      Po për kohët më moderne ç’mund të themi? Në Malajzi dhe në Brazil u shkarkuan 90 përqind e këshilltarëve që qenë implikuar në afera korruptive. Në Korenë e Jugut ish presidentja është dënuar me mbi 20 vjet burgim për mashtimet e saj. Në vitin 2017 studimi i TI-së thotë se një e treta e Presidentëve,Kryeministrave, zyrtarëve të lartë dhe atyre të provincave, drejtuesit e bizneseve, njerëzit e zgjedhur dhe oficerët e policisë janë të KORRUPTUAR!
       Te skandali financiar Panama Papers më 2014 dy udhëheqës shtetesh dhe 143 politikanë nga shumë vende të botës kishin depozituar paratë e tyre off shore për të shmangur taksat. Te  Paradise Papers më shumë se 120 politikanë e udhëheqës botërorë dhe 100 kompani shumëkombëshe kishin depozituar gjithashtu verdhushkat e tyre  apo dollarët për të fshehur nga shtetet përkatëse të ardhurat që kishin.
        Po të rrëmojë Tarja, gjen edhe më. Manaxheri i fushatës elektorale të Trumpit, zoti Paul Manafort u dënua për fshejen e taksave. Edhe avokati personal ish Presidentit Trump, zoti Michael Cohen u gjet fajtor për shkeljen e veprimeve bankare, për taksat dhe shkeljen e ligjit për fushatat elektorale.
        DËMI QË SJELL KORRUPSIONI: Banka Botërore në një studim të saj ka deklaruar se po të mos ekzistonte korrupsioni, ekonomia globale do të rritej 3 përqind. Në vëndet e pazhvilluara si pasojë e korrupsionit varfërija është rritur skajshëm. Gandi i madh ka thënë: ”Bota ka rezerva të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e çdo njeriu, po ajo nuk ka aq sa të plotësojë grykësinë e kujtdo .”
         Si mund të shpëtojë bota nga kjo sëmundje kaq e përhapur? Specialistët thonë se korrupsioni nuk mund të zhduket kurrë. Detyra e qeverive është që ta minimizojnë në maksimum. Këtë e kanë arritur vetëm pak shtete demokratike ku ligji nuk është Maliq.
         SHQIPËRIA VËND I KORRUPTUAR:
          Kështu na ka cilësuar Bota Perëndimore. Nuk na vjen hiç mirë, po akuza e rëndë e tyre nuk është pa fakte. Për kohët e lashta nuk mund të flasim për mungesë të dhënash. Një gjë e dimë të sigurt se Perandoria Osmane, që na mbajti të pushtuar për 500 vjet, kishte një administratë të korruptuar. Ajo administratë  nuk mund të mos linte gjurmë edhe në Shqipëri. Pas shpalljes së pavarësisë qeveritë e njëpasnjëshme që u ndërruan nuk kishin  mundësi të ndryshonin si me sustë këtë dukuri negative Botërore. Për mungesë dokumentesh nuk kemi si flasim për atë periudhë. Ama për kohën e Ahmet Zogut, që njerëzit akoma e kujtojnë, krahas të mirave, edhe korrupsioni ishte ulur këmbëkryq në vatrat tona. Ende kujtohen skeçet e bukura, doemos të hiperbolizuara, për A. Krosin të humoristëve tanë. Që të mbaroje punë te Lartmadhnia, patjetër duhet t’i paguaje haraç Lalës Kros.
           Vetëm gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste, mund të themi se korrupsioni pati një rënie të ndjeshme. Arsyeja? Çdo gjë ishte pronë e partisë shtet. Diktatori dhe vartësit e tij kujdeseshin shumë për financat. Kontrollonin me përkushtim  çdo lek të shpenzuar. Edhe legjislacioni ishte i tillë që, po të prekje arkën e shtetit, të priste një dënim i rëndë. Megjithatë abuzime dhe vjedhje ka patur, po gjithmonë në shuma të vogla.Një llogaritar i degës së Librit të Tiranës që kishte vjedhur 250-300000 lekë u dënua me ekzekutim. Me vrasje u dënua edhe kryetari i grupit të fallsifikimit të biletave të trenit.
            PO GJATË VITEVE TRANZICIONIT TONË KAQ TË GJATË?
            Të çliruar nga frika e pushtetit, nga persekutimet dhe duke e ndjerë veten me të vërtetë të lirë,  gabimisht dhe frikshëm e quajtëm demokracinë si një parajsë që mund të bënim ç’të donim vetëm e vetëm që të fitonim sa më shumë dhe sa më shpejt. Që me Fatos Nanon, i cili nuk i qëndronte në kokë punës sa duhet, deputetë dhe nëpunësa të lartë filluan të merren edhe me tregëti e të hapnin biznese. Kush punonte në zyrat e shtetit dhe kishte kompetencë t’u lëshonte qytetarëve vërtetimet që ata kërkonin, ishte fatlum. Njerëzit nga halli u paguanin atyre një haraç që jepej hapur fare. Siç duket quhej dhe quhet një veprim krejt normal, sepse jemi në demokraci. U përfol se edhe Nano kishte abuzuar. Nuk u faktua gjë. Unë di vetëm një rast konkret. Në zonën e Bllokut Qeveritar të Plazhit të Durrësit, për 50 vjet nuk u shit as edhe një tokë. Edhe tani nuk shitet as edhe një metër katror. Zoti Nano, duke qenë vetë myfti dhe vetë kadi, atje bleu (doemos lirë) një parcelë dhe ndërtoi një pallat. Nuk e pati për vete. JO. E kishte për ta shitur. Kështu filluan t’i rridhnin goxha para. Ec e mos e quaj korrupsion këtë veprim kur kryeministri zhvat një truall në një zonë të ndaluar për shitje?!
            Për të qenë i saktë, toleranca e Nanos për luftën ndaj korrupsionit, ishte përsëri tejet e papërfillshme me korrupsionin galopant të qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike dhe direkt të NON GRATËS Sali Berisha. Nga t’ia fillosh përpara? Ai i la vartësit e tij të pasuroheshin në çdo mënyrë që t’i kishte gjithmonë nën zap. Po të kundërshtonin ish sekretarin e partisë, ata  i priste patjetër akuza. Ngulmoi të pasuroheshin me çdo mjet liderët e PD-së, sepse hapur fare në ato mjedise flitej se kush ka paranë, ekonominë, ai drejton dhe politikën. E asaj kohe është firma ose kompania ”Shqiponja” e Partisë Demokratike. Ishte ajo që filloi të thyente embargon botërore të naftës kundër Milosheviçit. Autobotet vargan, që udhëtonin edhe natën nga Jugu në Lezhë, kalonin pa u ç’doganuar. Ato të ardhura jo të pakta ishin një burim si dhuratë nga parajsa për Berishën dhe bashkëpërfituesit e korruptuar të tij. Populli si në spektakël e shikonte këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe atij kombëtar, po heshtëte. Shumë menduan në atë kohë, ” Kur prijësi ynë demokrat i madh rend kaq shumë pas lekut, pa ia treguar arkës së shtetit përfitimet që ka, pse ne të mos përfitojmë nga kjo zemërgjerësi?! Nuk kanë qenë të pakët ata liderë që edhe maunet me mall në dogana i kalonin pa paguar. Vështirë të hasje një tregëtar që të mos korruptonte doganierët. Përfitimi ishte i përbashkët. Të dy palët pasuroheshin duke vjedhur shtetin.Çudirat e batakçinjve nuk kanë të sosur. Kam njohur një shqiptar që blente në Bullgari fare lirë konservat e skaduara.  Ai e dinte si e kalonte doganën. Në Tiranë u hiqte etiketat dhe u ngjiste etiketa të reja. Nga kjo rendje marramendëse për të zhvatur sa më shumë nuk mundën të shmangeshin as mjekët. Për një operacion kirurgët të kërkonin direkt 150 dollarë. Nuk mbyllej me kaq rrjepja. Pas operacionit ekipi rreshtohej dhe familjari i të sëmurit secilit i jepte ”hakun” që priste. Më e pakta 5 dollarë. Edhe sanitares po të mos i jepje 2 dollarë nuk ta largonte uturakun?! Edhe mësuesit e profesorët për t’i dhënë nxënësit ose studentit notën maksimale ose dhe atë kaluese kërkonin vetëm para. Ka edhe shumë më keq. Duke paguar merrje diplomën e universitetit ose regjistroheshe në çdo vit që dëshiroje?!
         Ishte Berisha ai që jo vetëm i mbylli sytë, po i nxiti Lazaratasit të mbillnin, përpunonin dhe të shisnin hajdutshe kanabisin. Pse e bëri këtë? Sepse ai fshat kishte hequr të zezat e ullirit nga diktatura komuniste.?!Dhënia e ”liçencës” Lazaratit për kultivimin, përpunimin dhe shitjen kontrabandë të drogës, pati një ndikim tejet negativ në tërë vendin. Në cdo cep të Shqipërisë, deri në Dukagjin , parcelat me kanabis nuk kishin të numëruar. Shqiptarët u bënë mjeshtra të prodhimit , të ngritjes së laboratoreve dhe të shitjes së tyre. Rrjeti i tyre është shtrirë deri në Kolumbi?! Korrupsioni galopant i përkrahur nga shteti i dha një emër të keq Shqipërisë në Botën Perëndimore. Pra, me hak kandar, si shprehet populli, SHQIPËRIA është cilësuar SHTET I KORRUPTUAR.
          Për t’u çuditur është  që Sali Berisha nuk dënoi asnjë nga të tijët për korrupsion edhe pse ai dukej sheshit. Më e keqja është se i mori direkt në mbrojtje. Hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit i kishte nën zap. Ishin njerëz të besuar të tij. Nuk besoj se është harruar inçizimi i ish Ministrit, të ndjerit, Dritan Prifti. Të gjithë e dëgjuam se Ilir Meta i kërkonte atij, më duket, mbi 700000 EURO?! Specialistët amerikanë atë inçizim e vlerësuan autentik. Me atë vlerësim miku i tij do të përfundonte të paktën disa muaj në burg. Me specialistët e tij , që dolën më të aftë se ameriaknët, nuk e nxorri origjinal inçizimin. Meta i shpëtoi dënimit. Më pas i korruptuari na u bë edhe President?! Për Gërdecin, aferën korruptive të familjes së tij,  doktori shmangu nga gjykimi ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Kishte frikë se mund të deklaronte që e kishte urdhëruar ai dhe se i implikuar ishte edhe i biri, Shkëlzeni..
          Në këtë gjendje katastrofike korruptive e gjetën socialistët me kryetar Edi Ramën vendin kur 10 vjet më parë erdhën në pushtet. Ata e mirënjihnin këtë situatë. Kërkohej patjetër të ndërhynin. Po në ç’mënyrë kur kjo dukuri është pothuaj në çdo shtet?! Me vizionin që ka Edi Rama programoi dixhitalizimin e administratës shtetërore. As nuk na shkonte mendja se ai po mendonte që të mos shkonim më në zyrat e shtetit apo të institucioneve të tjera për të marrë dokumentet që na duhen. Ai e kishte të qartë se do të fillonte një kohë e re. Ajo e marrjes së çdo dokumenti përmes kompjuterit dhe printerit. Kjo është një rrugë efikase për të ndaluar korrupsionin e nëpunësve zhvatës. Veç kësaj ngriti një zyrë, me telefon dhe adresë elektronike që populli të denoncojë të korruptuarit. Botoi edhe një listë të njerëzve të korruptuar. Midis tyre edhe mjekë të mirënjohur. Bëri përpjekje për të bllokuar ndërtimet pa leje ose edhe për të prishur ndonjë syresh. E megjithatë  nuk mundi të parashikonte se edhe midis ministrave të kabinetit do t’i dilnin hajdutë me çizme. Ministri i Brendshëm në burg për korrupsion. Një ministër tjetër, trashëgim i LSI-së, i burgosur për inceneratorët. Ish zëvendës kryeministri është i kallzuar në SPAK. Që pas hetimit të Ministrit të Brendshëm ose edhe pak më parë, ka të ngjarë që Rama të ketë nuhatur se disa nga të tijtë mund edhe ta turpëronin. Kjo ishte arsyeja që zevëndëskryeministre bëri një grua. Ministre të shënderësisë po grua. Edhe ajo e kulturës… Pse? Se gratë nuk janë aq të guximshme sa burrat për të shkelur ligjet. Nuk e ka keq.
            Në vend që Rama me çdo mënyrë e mjet t’i mbrojë njerëzit e vet, si ka bërë Berisha, ky krejt haptas, përmes mbledhjeve dhe intervistave televizive ka deklaruar. Kush ka punë me drejtësinë të përgjigjet vet. Nuk do të ketë as mbrojtjen time as mbrojtjen e partisë.Ky qendrim konsekuent dhe i drejtë për herë të parë ka ndodhur në këto 30 vjet demokraci. Duan të thonë se Rama po i shet njerëzit e tij. E kanë shumë gabim. As edhe një udhëheqës i kujtdo partie që të jetë nuk ka të drejtë të mbrojë kolegët  e korruptuar me pretekstin të mos të cënohet autoriteti i partisë. Përkundrazi, si autoriteti i saj dhe i vetë kryetarit rritet kur ai me ndërgjegje dhe pastërti ia lë drejtësisë të vendosë për njerëzit që e kanë prerë në besë si atë, partinë dhe popullin që i ka besuar.
              Pavarësisht nga përpjekjet e Ramës, ato janë të pamjaftueshme. Jo më kot si SHBA dhe përfaqësuesit e Europës çdo herë e vënë theksin te korrupsioni. Ka përparime. Po vepron dhe SPAK-u, po koka e korrupsionit të nivelit të lartë ende nuk po jep llogari. Deri tani shigjeta ka shkuar te treçereku i ajsbergut. Maja ka mbetur e pa cënuar. Ajo ka marrë forcë dhe zemër. Përgjërohet për ndershmëri dhe sulmon këdo, e quan të korruptuar, qoftë ai edhe i pastër si kristali?! Është si ajo barcaleta që hajduti i thotë hajdutë edhe atyre që nuk kanë marrë as edhe një kacidhe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button