Kosova gati për Irlandën, Dardanët zhvillojnë stërvitjen e fundit në Dublin
Kombëtarja e Kosovës zhvilloi nën shiun e Dublinit stërvitjen zyrtare para ndeshjes së fundit të Grupit B3 ndaj Irlandës, ku kërkohet ruajtja e vendit të dytë.
Kombëtarja e Kosovës zhvilloi stërvitjen zyrtare në Dublin, nën reshjet e shiut, në prag të përballjes së fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, siç njofton Telegrafi. Futbollistët e përzgjedhësit Franco Foda u stërvitën me përqendrim të plotë, në seancën e fundit përpara ndeshjes ndaj Irlandës.
Atmosfera në kampin e “Dardanëve” duket pozitive, me motivim maksimal për ta mbyllur edicionin me një tjetër rezultat të mirë. Foda ka bërë të qartë se skuadra nuk shkon në Dublin për barazim, por do të kërkojë fitoren, pavarësisht kundërshtarit të fortë.
Kosova e fitoi përballjen e parë me Irlandën 1-0 në Prishtinë, më 24 shtator, dhe tani kërkon ta përsërisë suksesin edhe në transfertë. Kjo është ndeshja e fundit e Grupit B3 dhe ka rëndësi të madhe për renditjen përfundimtare, ndërsa rezultati ndikon edhe në vazot për shortin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028, që tërhiqet në dhjetor.
Përfundimi në vendin e dytë i siguron Kosovës mundësinë për të luajtur në play-off për promovim në Ligën A të Ligës së Kombeve, ndaj ruajtja e këtij vendi është objektivi kryesor i “Dardanëve” në Dublin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.