Kosova U19 i mbyll pa fitore kualifikueset për Euro U19
Dardanët e rinj i mbyllën kualifikueset për Euro U19 pa pikë dhe pa gol të shënuar, pas humbjeve nga Belgjika, Skocia dhe Kazakistani, dhe në ciklin e ardhshëm do të luajnë sërish në Ligën B.
Kosova U19 i ka mbyllur pa fitore kualifikueset për Kampionatin Evropian U19, siç njofton Telegrafi. Pavarësisht se kjo gjeneratë vlerësohej si një nga më të mirat e viteve të fundit, Dardanët e rinj pësuan disfata në të tri ndeshjet e grupit, ndaj Belgjikës, Skocisë dhe Kazakistanit.
Rrugëtimi në këto kualifikuese nisi me humbjen 2-0 ndaj Belgjikës U19. Në atë përballje, djemtë tanë zhvilluan një paraqitje solide dhe iu afruan disa herë golit, por pa arritur ta gjejnë rrugën e rrjetës.
Të pafat, Dardanët e rinj u treguan edhe në ndeshjen e dytë, ndaj Skocisë U19, ku u mposhtën 1-0. Kosova ishte skuadra më e mirë në fushë në atë takim, megjithatë sërish dështoi t’i konkretizonte aksionet e krijuara para portës kundërshtare.
Edhe në ndeshjen e fundit, Kosova U19 u mposht me rezultat minimal 0-1 nga Kazakistani. Kështu, Dardanët e rinj i mbyllin këto kualifikuese pa pikë dhe pa gol të shënuar, ndërsa të tri kombëtaret e tjera të grupit kalojnë në fazën e dytë.
Si rrjedhojë, Kosova në kualifikueset e radhës për Euro U19 do të luajë sërish në Ligën B.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.