Arte

Kostumografia më provokative si teatri

Kostumografja, e cila veshi “Elektrën”, Stela Laknori, tregon kthimin pas në kohë për të veshur femrat e Sofokliut dhe artin i kostumogfrafisë sot në teatrin shqiptar

kostumografia (1)Guximi i Klitemnestrës është po aq i fortë e i rëndë sa dhe kostumi i saj. E humbur mes lotëve dhe pafuqisë me të cilën e ka përballur fati, Elektra arrin të ruajë hijet e saj femërore. Kthimi në kohë, në një vepër si ajo e Sofokliut, nuk vjen vetëm përmes interpretimit, por dhe veshjeve të aktorëve. Stela Laknorit i është dashur të kthehet pas në kohë për të kuptuar se ç’duhet të merrte nga e shkuara për ta shndërruar në pëlhurë në trupat e personazheve. Për kostumografen, imazhi është po aq i rëndësishëm sa fjala. Pavarësisht dramacitetit që një vepër e antikitetit mbart, ajo donte t’u jepte të gjithë personazheve jetën e duhur. Nuk mund të humbte feminilitetin tek asnjë nga katër personazhet femra, dhe pse rrobat e tyre, shpesh duhet të ishin të ashpra, të forta si dhe vetë jeta. Më poshtë Stela vjen në një rrëfim për kostumografinë sot, duke u nisur nga kjo pjesë, për t’u ndalur te mungesa e një kritike të shëndoshë që do ta zhvillonte këtë art me traditë në vendin tonë.

Ajo çfarë binte në sy tek “Elektra”, përveç lojës së aktorëve, ishte dhe kostumografia. Si ishte kthimi shumë pas në kohë dhe gjetja e filozofisë që duhet të mbanin në trup aktorët e kësaj trupe?

kostumografia (2)Kthimi pas në kohë dhe përballja me historinë me veprën e Sofokliut m’u duk shumë i guximshëm. Pata një ndjesi të veçantë dhe u frymëzova shumë kur biseduam rreth konceptit regjisorial që kishte dhe regjisori Laert Vasili. Ishte shumë e rëndësishme që të vendosnim se cila do të ishte e ardhmja e “Elektrës” që do të realizonim. Ajo që ndjeva për kostumet ishte se duhet të krijoja diçka midis madhështisë dhe rëndesës së epokës dhe funksionit e ndjeshmërisë së të tashmes. Kostumet duhet të reflektonin fuqi dhe brishtësi, të ishin në funksion të plotë dhe të dinamikës dhe lëvizjeve që duhet të kryenin aktorët. Mendova për secilin nga personazhet. Ata duhet të flisnin me gjithë forcën e tyre dhe të ishin njësh me trupin dhe fjalën. Personazhet janë të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe secili nga kostumet duhet të fliste me historinë e tij. Doja të ishin në limitet e surreales, ashtu siç edhe vepra është.

Veshjet, kostumografia është një lloj teatri… apo jo?

Kjo është diçka shumë e veçantë. Jo pak herë gjatë jetës sonë, na ndodh të ndihemi të tillë. Mendoj që, padyshim, veshja flet shumë për karakterin tonë, ose e plotëson atë. Shpeshherë na ndodh të paragjykohemi nga guximi i tepruar. Ngjason pak me teatrin. Duhet të jemi rigorozë në përzgjedhjen e “kostumit” tonë dhe në jetë, sepse është prezantimi ynë dhe i asaj që përfaqësojmë.

Cili është komunikimi që kërkoni të vendosni shpesh mes kostumografisë dhe idesë së një pjese?

Harmonia në formën e saj natyrale do të ishte kostumografia më e bukur. Përpiqem gjithmonë të respektoj me rigorozitet historinë dhe prejardhjen e kostumit dhe sipas hapësirës ta sjell bukur dhe sa më natyrshëm në kohë. Në raste të tjera, kur më duhet ta ndërtoj, gjëja e parë është që duhet të ndiej konceptin dhe vizionin që do të ketë vepra. Kostumi në skenë duhet të flasë natyrshëm ashtu si teksti i personazhit dhe të japë po aq forcë sa dhe ai vetë. Është shumë e rëndësishme, pa lënë mënjanë që përsos gjithë teknikave që mund të përdorësh, në fund kuptoj që e gjitha buron ngaqë dhe vetë pasionohesh me veprën, duke u lidhur fort. Mendoj që disa profesione nuk i realizon dot, në qoftë se nuk ndien dashuri dhe dëshirë të madhe për to.

Duke u ndalur tek “Elektra”, a kishte një model që ju do ta veçonit si më femëror dhe te cili personazh?

Te të katër personazhet femra që kemi tek “Elektra” gjejmë elemente femërore te kostumet e tyre. E them këtë, sepse të katërta ato femra përfaqësojnë një femër të ndryshme nga të tjerat. Në llojin e vetë, secila, me gjithë elementet dhe rrethanat, është një femër. Fuqia dhe guximi i Klitenmnestrës është po aq sa i fortë e i rëndë sa kostumi i saj, por ka dhe detaje që e feminizojnë. Kostumi i Krizotemës është femëror, por gjithashtu me elemente që përfaqësojnë më së miri një motër të drejtë dhe gati hyjnore, por shumë e modernizuar për ta bërë më reale. Gjithashtu Elektra, në vajin e saj të prej shumë kohësh, e leckosur, por me detaje që e dallojnë për trimërinë dhe vendosmërinë, që kishte për të marrë hak dhe në të njëjtën kohë për të ruajtur femrën brenda saj hijshëm, në momentin e shumëpritur kur takon Orestin e saj. Kori gjithashtu ka një veçori në kostum, duke e bërë të ndihet pak më shumë ajo që ne themi gjithmonë për një grua, midis reales dhe surreales ose së vërtetës dhe imagjinares. Ato janë të gjitha të bukura dhe femërore, po aq sa të vërteta dhe femra.

Sa rëndësi i kushtohet kostumografisë në teatrin shqiptar vitet e fundit?

Gjatë gjithë kohës i është kushtuar rëndësi kostumografisë. Sepse çdo profesionist që kemi pasur dhe kemi në këtë fushë do ta bëjë punën e tij sa më të mirë. Për më tepër, kostumografia është e pashmangshme dhe e pandashme nga pjesët e tjera përbërëse të një shfaqjeje. Shpeshherë mund të marrë peshë shumë të rëndësishme dhe si artiste ndihesh me fat që e ke realizuar këtë punë. Unë do të shtoja që mbase duhet të vihet më shumë në dukje dhe të analizohet më shumë si profesion. Do të doja shumë që të kishte një kritikë të mirëfilltë në mënyrë që pas çdo pune të bërë të vinte dhe një punë më e mirë akoma e realizuar nga profesionistët. Uroj vërtet që të bëjmë dhe të shohim punë sa më të mira. Sigurisht duhet investuar më shumë në këtë drejtim nga ana profesionale jo vetëm nga mbështetjet financiere. E them këtë duke filluar nga vetja. Duhet të jemi të hapur dhe me punë të arrijmë të provokojmë mendime e të arrijmë të ngacmojmë publikun dhe me kostumografinë në një shfaqje teatri, që kritika ta pikasë dhe të reagojë. Sigurisht që këtë mundësi nuk e gjejmë në çdo vepër, por aty ku mundemi duhet të guxojmë për ndryshim.

Cilat janë modelet ku duhet të operojnë kostumografët e rinj?

Ne kemi një Akademi të Arteve të Bukura. Nga kjo shkollë ku Shqipëria ka nxjerrë profesionistë dhe talente. Por zgjuarsia e një nxënësi të mirë do të ishte puna dhe kërkimi i pandalshëm i informacionit për sa i takon profesionit. Kjo vlen për çdo profesion. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhesh vërtet i mirë dhe të arrish ta nxjerrësh më të mirën nga vetja për këtë profesion.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button