KQZ kufizon shpenzimet e subjekteve politike për fushatë, një euro për çdo votues
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kufizuar shpenzimet e subjekteve politike për fushatën e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Secili subjekt politik që garon në këto zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë nga një euro për votues, apo mbi dy milionë euro.
Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku mes tjerash është votuar edhe lista preliminare e numrit të votuesve por edhe qendrave të votimit jashtë Kosovës, raporton KosovaPress.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka bërë të ditur për shifrën që duhet të shpenzojë një subjekt politik për fushatën zgjedhore që fillon më 28 maj.
“Sipas planit kohor të aktiviteteve, data 5 maj, do të thotë sot është data e fundit që KQZ duhet të marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve për fushatën e zgjedhjeve për zgjedhjet që mbahen më 7 qershor 2026. Siç e dini, fushata e zgjedhjeve do të fillojë me datën 28 maj 2026 dhe do të përfundojë me datën 7 qershor 2026 para hapjes së qendrave të votimit. Andaj lidhur me rregulloren zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është kalkuluar jo më pak se 1 euro për votues dhe në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që ta aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës të zgjedhjeve me vlerën prej 2 milionë e 92 mijë e 202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare të votuesve të ekstraktit që është marrë me 30 prill 2026”, ka thënë ai.
Në këtë mbledhje, po ashtu është votuar edhe për listën e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi ka njoftuar për numrin e votuesve jashtë Kosovës.
“Sot i kemi shqyrtuar të gjitha qendrat e votimit të cilat na janë dhënë së bashku me justifikimet dhe aspektet tjera të vlerësimit teknik të shfrytëzimit të përfaqësive diplomatike si qendra votimi me datë 6 qershor, sepse votimi bëhet një ditë para zgjedhjeve. Për informimin tuaj, numri i qendrave të votimit jashtë Kosovës do të jetë 48, numri i vendvotimeve do të jetë gjithsejtë 70, kurse numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen është 64 mijë e 450 për të gjitha këto qendra votimi”, ka thënë ai.
Në vazhdim të mbledhjes u prezantua edhe raporti i listës preliminare të votuesve për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
“Raporti paraqet krijimin e listës preliminare të votuesve për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit dhe është bazuar nga të dhënat e regjistrit qendror civil. Pas përpunimit të të dhënave, dhe largimit të personave si të vdekur, pas verifikimit të sekretariatit edhe me institucionet e tjera, lista preliminare përmban një numër prej 2 milionë e 92 mijë e 202 votuesve që krahasuar me zgjedhjet e fundit që janë mbajtur më 28 dhjetor është rritur prej 15 mijë e 912. Pas zgjedhjeve të kaluara janë larguar gjithsejtë 6 mijë 219 votues, prej të cilëve 5826 janë larguar si të vdekur, 393 për shkak të humbjes së shtetësisë. Ndërkaq, numri i votuesve që votojnë për herë të parë është 22 mijë e 131, prej tyre 16 mijë e 933 janë votues të rinj që kanë mbushur moshën 16 vjeç prej 29 dhjetorit deri më tani”, ka njoftuar ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe listën e qendrave të votimit në këto zgjedhje. Ku numri i qendrave të votimit do të jetë 949, prej tyre 911 do të shërbejnë për votim të rregullt, ndërkaq 38 të tjera në secilin komunë do të organizohet votimi me kusht.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.