Bota

Kremlini: Jemi lodhur nga “gjuetia e shtrigave”

Rusia, sipas asaj që ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për reporterët, është lodhur nga akuzat. Moska madje i quan pretendimet e Shteteve të Bashkuara mbi ndërmarrjen e një fushate sulmesh kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane si një “gjueti shtrigash”.

Petrov tha se, raporti i publikuar nga agjencitë amerikane të Shërbimeve Sekrete, që detajonte pretendimet dhe akuzat, ishte i pabazuar. Ky është edhe reagimi i parë zyrtar nga Rusia, që kur presidenti i zgjedhur Donald Trump mori raportin ditën e premte.

Raporti i deklasifikuar përmban akuzat se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar sulmet kibernetike ndaj “e-mail”-eve të Partisë Demokratike për të dëmtuar rivalen demokrate të Trumpit, Hillary Clinton, dhe për të ndikuar në zgjedhje.

Në komentet e tij gjatë kësaj të hëne, Peskov tha se Rusia “mohon kategorikisht përfshirjen e Moskës zyrtare në ndonjë sulm kibernetik”.

“Akuzat e pabaza, të cilat nuk mbështeten nga asgjë, po lexohen në një mënyrë amatoreske dhe aspak profesionale. Ne nuk e dimë se mbi cilat informacione mbështeten ato më konkretisht”. “Pretendimet madje, – shtoi ai, – të kujtojnë gjuetinë e shtrigave”.

Trump përdori të njëjtin term (gjueti shtrigash) gjatë javës së kaluar në një intervistë për “New York Times”, për të nënçmuar pretendimet për piratim, të cilin ai e ka refuzuar vazhdimisht që prej fitimit të zgjedhjeve presidenciale në nëntor të 2016-s.

Megjithatë, shefi i stafit të presidentit të zgjedhur, Reince Priebus tha për “Fox News” gjatë së dielës se Trump ka pranuar gjetjet e raportit të prezantuar përpara tij nga shefat e shërbimeve sekrete të premten.

“Ai nuk mohon që entitete të ndryshme në Rusi të fshihen veçanërisht pas kësaj fushate”, shtoi Priebus. Megjithatë, ai nuk saktësoi nëse Trump i besoi vlerësimet e atij raporti, se presidenti rus Putin kishte urdhëruar drejtpërdrejt sulmet kibernetike.

Trump e përshkroi takimin e tij të premten me kreun e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper; drejtorin e CIA-s, John Brennan; si dhe drejtorin e FBI-së, James Comey si “kontruktiv” dhe tha se do të kërkojë brenda 90 ditëve të para në krye të Shtëpisë hartimin e një plani për të ndalur sulme të tilla kibernetike. Megjithatë, ai refuzoi të veçonte Rusinë, duke thënë se ajo ishte një ndër disa shtete, grupe të jashtme apo njerëz që “përpiqen vazhdimisht të thyejnë infrastukturat e institucioneve tona qeveritare, bizneseve apo organizatave, përfshi Komitetin Kombëtar Demokrat”.

Në më pak se dy javë përpara përurimit të tij, Trump ndodhet nën një presion gjithnjë e në rritje nga demokratët dhe republikanët për t’iu përgjigjur këtyre akuzave. Presidenti në largim Obama, ndërkohë, ka përjashtuar 35 diplomatë rusë nga Shtetet e Bashkuara për sulmet kibernetike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button