“Kreni-Promeni” i jep prokurorisë 48 orë afat: Të reagojë për sulmin ndaj Tatjana Miçiqit, përndryshe publikon emrin e prokurorit
Lëvizja kërkon nga Prokuroria e Tretë Themelore e Beogradit përgjigje brenda 48 orësh për incidentin ku kryebashkiaku Aleksandar Shapiç dyshohet se sulmoi këshilltaren e saj; grupi këshilltar do të kërkojë shkarkimin e Shapiçit në Kuvendin e Beogradit
Lëvizja “Kreni-Promeni” i ka kërkuar sot Prokurorisë së Tretë Themelore Publike në Beograd që brenda 48 orësh të deklarohet dhe të veprojë lidhur me incidentin ku, sipas pretendimeve të lëvizjes, kryebashkiaku Aleksandar Shapiç sulmoi këshilltaren e tyre Tatjana Miçiq. Lajmin e përcolli sot portali serb Danas, duke iu referuar njoftimit të lëvizjes.
Lideri i lëvizjes, Savo Manojloviç, tha se institucionet “duhet të tregojnë se ligji vlen njëlloj për të gjithë”. “Ishim më se të durueshëm. Raportin mjekësor ia dërgojmë prokurorisë dhe policisë tri herë, nëse duhet edhe sot avokatët do të shkojnë sërish në prokurori. Çdo durim ka fund. I japim prokurorisë 48 orë që më në fund të japë përgjigje”, tha Manojloviç, siç transmeton “Kreni-Promeni”.
Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ketë reagim brenda afatit, lëvizja do të publikojë emrin e prokurorit të çështjes — “jo sepse duam të ndjekim apo targetojmë dikë, por sepse duhet të ketë një sistem përgjegjësie, dhe në atë sistem secili ka emër e mbiemër”, citohet ai në Danas.
Manojloviç shtoi se grupi këshilltar i “Kreni-Promeni”-t do t’i paraqesë Kuvendit të Beogradit kërkesë për shkarkimin e kryebashkiakut. “Pas gjithçkaje që ndodhi, qëndrimi ynë është se Aleksandar Shapiç nuk mund të mbetet kryebashkiak i Beogradit”, tha ai, sipas Danas-it.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e 28 shtatorit në Bežanijska Kosa. Sipas lëvizjes, Shapiç sulmoi Miçiqin pasi ajo ndërhyri në një përballje mes kryebashkiakut dhe bashkëshortit të saj, duke i thyer hundën. Kryebashkiaku i mohon akuzat dhe thotë se u mbrojt veten.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.