Pse çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Europë apo Kosovë?
Nga Kreshnik Spahiu
Të gjitha ushqimet bazë janë më të shtrenjta në Shqipëri sesa në Kosovë.
Mielli, qumështi, orizi, vaji, makaronat, djathi, gjalpi, buka, uji, specat, domatet, qepa dhe të gjitha perimet janë nga 20% deri në 50% më të lira në Kosovë sesa në Shqipëri.
Por Shqipëria, në fakt, i ka çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm më të larta jo vetëm se Kosova, por edhe se gjithë rajoni dhe Europa.
Le të themi se në supermarketet Penny, Lidl dhe Aldi në Gjermani apo Itali, çmimet janë 10%–60% më të ulëta se në supermarketet e Shqipërisë.
Shqipëria sot rezulton jo vetëm më e shtrenjta, por edhe me cilësinë më të ulët ushqimore në Europë.
Por le të vazhdojmë analizën krahasuese me Kosovën dhe arsyet pse çmimet në tregun e Shqipërisë janë më të larta:
* Tokat në Shqipëri nuk punohen, ndërsa fshatrat e Kosovës kanë fuqi punëtore dhe prodhuese. Toka në Kosovë punohet dhe mbillet cep më cep. Shqipëria nuk ka sasinë e prodhimit vendas sa Kosova.
* Shqipëria importon shumicën e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Importi rrit automatikisht çmimin për shkak të transportit, doganave etj.
* Shkaku kryesor lidhet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në Shqipëri, ushqimet tatohen me TVSH në masën 20 për qind. Kosova, për ushqimet bazë, ka TVSH 8%.
* Çmimi i lartë i karburantit në Shqipëri rrit kostot e transportit, krahasuar me Kosovën, ku karburanti është shumë më i lirë.
* Kostot doganore në Shqipëri e kalojnë 10%, ndryshe nga Kosova.
* Shqipëria ka monopole të rrezikshme në tregun e produkteve ushqimore, të cilat shkatërrojnë konkurrencën dhe mbajnë çmimet e larta, ndryshe nga Kosova.
Kosova thellësisht ka një politikë më të orientuar drejt subvencionimit të fermerëve në blegtori apo për prodhimet bujqësore.
Të gjithë faktorët e mësipërm bëjnë që Shqipëria të ketë çmime të konsumit të përditshëm të pakrahasueshme me Kosovën.
Fatkeqësisht, duhej të ishte e kundërta në supermarketet ku shiten ushqime të importuara, sepse forcimi me 25% i lekut krahasuar me euron gjatë këtyre viteve duhej të çonte në uljen e çmimeve. Kjo për faktin se të gjitha supermarketet në Shqipëri shesin produkte në lekë, por shumicën e ushqimeve i blejnë jashtë vendit me euro.
Në vend që t’i ulnin çmimet, ato i kanë rritur.
Ndryshe nga tregtarët e Kosovës, të cilët blejnë dhe shesin me euro, pasi kanë të njëjtën monedhë me Europën.
Ky është një abuzim dramatik me konsumatorët shqiptarë, të cilët varfërohen çdo ditë, duke mos arritur të blejnë dot as ushqimet jetike.
Oligarkët e ushqimeve kanë bllokuar tregun dhe po pengojnë korporatat gjermane dhe europiane ushqimore (Lidl, Penny) të hapin filialet e tyre në Shqipëri sepse ato do ulnin çmimet dhe do i nxirrnin jashtë tregu abuzuesit e tre dekadave të fundit.
Dhe kjo analizë është bazuar vetëm te çmimet, pa hyrë te cilësia ushqimore dhe produktet e skaduara, jashtë afateve dhe jashtë çdo standardi, që tregtohen në marketet shqiptare.
Për këto arsye, mos u ankoni më kurrë pse turistët nga Kosova vijnë me “bukë dhe ushqime” me vete në bregdet.
Ka ardhur koha që të të kushtojë më lirë të shkosh deri në Prizren dhe të kthehesh me ushqime sesa të zbresësh poshtë te minimarketi i lagjes, sepse çmimet i gjen sikur je në qendër të Parisit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.