Arte

Krijohet databaza dixhitale e monumenteve

Ministria e Kulturës ka bërë inventarin e plotë të pasurive kulturore të Republikës së Shqipërisë që rezultonin të papërditësuara prej 25 vitesh, si dhe hartëzimin dixhital të tyre përmes platformës Webgis.

Aplikimi përcakton vendodhjen e saktë të monumenteve që tashmë kanë dhe një databazë të saktë të dhënash që do t’i shërbejnë planifikimit të territorit, strategjive të trashëgimisë kulturore por edhe zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë.

“Gjithsej janë 1982 monumente, ndërsa 600 janë në proces”, tha ministrja Mirela Kumbaro.

Nga inventarizimi rezulton se me dhjetëra objekte që ekzistonin në listë nuk ekzistonin në realitet, kurse shumë të tjera ishin amortizuar apo shkatërruar plotësisht.

“Objektet plotësisht të shkatërruara, 112, objekte në rrezik përsa i përket qëndrueshmërisë, 332. Objektenë gjendje të pranueshme, por që kërkojnë ndërhyrje 605, objekte në gjendje të mirë dhe që kanë thjesht nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme 628 ”, thotë Kumbaro.

Ministrja e Kulturës, duke iu referuar deklaratës së bërë një ditë më parë nga kryeministri Rama, lidhur me lirimin e hapësirave të zëna nga biznesi në Pallatin e Kulturës duke rrudhur ambientet e Bibliotekës Kombëtare, tha se qeveria është në fazë negocimi me shoqërinë tregtare që jep me qira këto ambiente.

“Prandaj fola për negociatë me shoqërinë tregtare, me qëllim që të mos dëmtohen bizneset dhe të respektohen përfundimet e afateve të kontratave të shoqërive që janë tashmë në ambientet me qira brenda Pallatit të Kulturës. Nuk kemi interes të dëmtojmë asnjë kompani private, përkundrazi, në harmoni me interesat e tyre, do të bëhet dhe çlirimi i hapësirave aktuale të Pallatit të Kulturës”,vijoi ministrja.

I vetmi institucion që do të vazhdojë të qëndrojë në hapësirën e Pallatit të Kulturës është ai i Institutit Italian të Kulturës pasi siç shprehet ministrja Kumbaro bëhet fjalë për një institucion që i shërben përhapjes së kulturës italiane në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button