Kryeartikull

Krimbi i krimit

Nga Çapajev Gjokutaj – Cili është fataliteti ynë historik si popull. Kalimi nga “periudha e ndereve”, te “periudha e parasë”.  Si përfunduam në mentalitetin që e konsideron njeriun e ndershëm dhe korrekt si të paaftë dhe të dështuar. Çfarë po sjell përqëndrimi i vëmendjes vetëm tek kriminalizimi i politikës….

Gjatë muajve të fundit dihotomia ‘kriminalizim – dekriminalizim’ është shndërruar në një serë pjellore për ligjërimin publik. Problemi është i mprehtë. Diskutimi rreth tij mbetet jetik për një shoqëri si kjo jona, që ka lidhje të shumfishta me krimin.

Por të vjen keq kur vë re se partitë dhe, pas tyre edhe shumica e mediave, po e shndërrojnë edhe këtë temë në politikë ose, thënë më qartë: votoni për ne se ata përballë janë të korruptuar, të kriminalizuar, etj. Po i kthehen avazit ’djaj dhe engjëj’, sipas melodisë së vjetër biblike.

E keqja më e madhe është se shoqëria orientohet nga rrafshi i propagandës, në një kohë kur lidhjet me krimin janë reale dhe, në përmasa kaq të gjera, saqë nesër mund të bëhen fatale.

Krimbi i krimit nuk po bren vetëm klasën politike, ka hyrë në trungun e shoqërisë dhe synon palcën e saj, sistemin e vlerave.

2.

Si popull kemi një fatalitet historik. Arritjet e mëdha të Shqipërisë, ngjarje kulmore, që sot na shfaqen gjithë dritë e shkëlqim, thuajse kurdoherë kanë qenë përzier thekshëm me hijet e dramës dhe të kaosit.

Këto dritëhije kanë qenë të pranishme në të gjitha përmbysjet, kudo nëpër botë dhe kurdoherë në histori. Por ndër ne janë shfaqur më të thekshme se, si rregull, përmbysjet e mëdha na kanë gjetur të papërgatitur. Nuk kanë ardhur aq si pasojë e zhvillimeve të brendshme, sesa si trysni tektonikash gjeopolitike. Kjo ka bërë që përmbysjet social-politike ndër ne të ngjanë tradicionalisht si të dala nga peneli i Rembrandtit.

S’do të ndodhte ndryshe edhe me përmbysjen e diktaturës dhe fillimin e tranzicionit. Ekonomia socialiste autarkike edhe në ditët e saj më të mira, vështirë se konkurronte në tregjet globale. Prej vitesh lëngonte nga një mori sëmundjesh si teknologjia e prapambetur, mungesa e lëndëve të para, vënia e politikave voluntariste mbi ligjet e tregut, zbehja deri në shuarje e stimujve materialë e moralë etj. etj.

Si të mos mjaftonte kjo agoni, rënia e regjimit në Shqipëri u bë në kaos të plotë. S’kish të krahasuar me përmbysjet e buta, prej kadifeje të Europës Lindore. Madje rezultoi shumë më kaotike se në Rumani ku pati trajta të një grushti shteti.

Mes asaj rrëmuje prodhimi industrial e bujqësor stopoi thuajse tërësisht, qendrat e mëdha prodhuese aplikuan 80 përqindshin, vandalizmi po zhbënte pronën shtetërore mbetur si mall pa zot.

3.

Po hynim në tregun global pa prodhim dhe pa burime financiare. Tregu është marrëdhënie reciproke, duhet të shesësh që të blesh. E vetmja gjë që mund të shisnim ishte krahu i punës. Jo në tregun e brendshëm, investimet e huaja ishin të pamundura mes atij kaosi. Ndaj emigrimi mori trajta eksodesh biblike.

As për këtë nuk ishim të përgatitur, emigrimi nisi dhe, për dekada të tëra edhe bitisi, si lëvizje e paligjshme. Në kësi rrethanash kontaktet e para të qindra mijëra emigrantëve nuk ishin me pjesën normale të civilizimit perëndimor, por me botën e nëntokës, me informalitetin dhe mafian.

Kjo rrethanë favorizoi krijimin e një konvejeri njerëzor që do të mundësonte trafikimet. Gomonet që transportonin emigrantë ilegalë u bënë ‘industria’ e parë e tranzicionit.

Shpejt e shpejt, krahas krahut të punës u hodh në treg edhe një mall tjetër, mishi i bardhë, prostitucioni. Pastaj ndërveprimi kërkesë – ofertë nxiti kultivimin thuajse masiv të kanabisit.

Një pjesë e linjave të trafiqeve ndërkomëtare zunë të kalonin në territoret shqiptare, jo vetëm pse grupet e para të krimit të organizuar po rrjetëzoheshin me shokë e të afërm brenda vendit, por sidomos pse shteti mbeti i dobët dhe i nëpërkëmbur për vite të tëra.

Për rrritjen dhe forcimin e mafias shqiptare fillimisht ndihmoi shumë edhe imazhi. Në vitet e para, perceptimi ndërkombëtar për krimin e organizuar shqiptar i tejkalonte dukshëm përmasat që ai kishte në realitet. Duket se ky tejkalim nuk shkaktohej aq nga denduria e operacioneve apo nga sasia e mallrave të trafikuara, sa nga egërsia dhe primitiviteti i anëtarësisë.

Shoku kulturor prek rëndom çdo banor province që zbret në kasaba. Ky shok merrte funksione alkimike për një pjesë të rinjsh që iknin nga hapësira e ngushtë e fshatit, nga kontrolli i rreptë i strukturave patriarkale dhe gjendeshin në metropole të huaja. Atje mes iluzionit të lirisë përjetonin përplasjen mes bollëkut konsumist dhe pamundësisë së tyre financiare. Shkrepëtima të tilla shkatërrojnë e zhurisin edhe individë të dala nga shoqëri me shkolla, mediume dhe religjione të konsoliduara në shekuj.

4.

Zhvillime të tilla, megjithëse dramatike e të dhimbshme, edhe mund të duken normale, natyrisht brenda anormalitetit shqiptar. Drama e vërtetë fillon kur krimi përzihet dhe bashkëpunon me shtetin dhe pushtetin.

Shoqëritë ngjajnë me ngrehina, pallate të themi. Në katet e nëndheut, mes papastërtive dhe ajrit të molepsur bashkëjetojnë kudo gjallesa pisllëku, bubuzhelë, minj e njerëz fatkeq.

Shoqëritë me shtete funksionale përpiqen dhe, përgjithësisht ia arrijnë, që të venë kufij të prerë mes kateve të nëntokës dhe kateve të banuara. Në vendet me shtet të pamëkëmbur, këta kufij mbeten tejet porozë, pisllëku dhe mafia penetrojnë katet e mesme dhe ngjiten masivisht deri në katet e elitave.

Mafia dhe krim të organizuar ka në çdo vend. Dallimin e bën kufiri: është i qendrueshëm, vështirë i kalueshëm apo tejet poroz dhe lehtësisht i penetrueshëm.

Pothuajse të gjithë ata që hynë në politikë ose zunë poste në shtetin e fillimviteve nëntëdhjetë ishin modestë për nga pasuria. S’kish si të ndodhte ndryshe, vinim nga barazitizmi socialist. Idealin e barazisë e kishim realizuar të paktën në një dimension, atë të varfërisë.

Shtetarët nxituan marramëndthi të krijonin tregun e lirë, pa një strategji kalimi gradual, se ai qenkësh shkopi magjik që do të zgjidhte thuajse vetiu çdo problem. Kështu krahas tregut të qofteve (i kujtoni karrocat e para që tymonin nëpër Tiranë?), krahas dyqaneve bosh, që u ngrysën shtetërore dhe u gdhinë private, u hap dhe një treg i ri, jo fort i dukshëm: tregu i favoreve.

Në fakt ky i favoreve nuk ishte dhe aq i ri. Së paku si traditë dhe si mentalitet vinte nga periudha otomane dhe nga dekadat e para të shtetit shqiptar, kur një pjesë e konsiderueshme e solidariteteve komunitare strukturohej mbi bazën e tarafeve dhe të klaneve.

Në periudhën e diktaturës, aq armiqësore ndaj tregut të lirë, tregu i favoreve vazhdoi të lulëzonte jo vetëm si përkrahje për shokët e luftës dhe shokët e klasës, por edhe si anësi fisnore, krahinore etj. Nuk para e njihte paranë, shkëmbimi bëhej në natyrë sipas parimit: po të bëj favor, më rezervo mirënjohje e përkrahje. Bankat më me ndikim në këtë periudhë nuk ishin ato të parave, por ‘bankat e ndereve’, po të huanim sintagmën e Paulo Coelhos.

5.

Me fillimin e tranzicionit periudha e ndereve kishte përfunduar, kishte filluar ethshëm periudha e parasë. Biznesi i varfër shqiptar, i qofteve dhe i dyqaneve bosh, vështirë se mund të hynte kaq shpejt në treg. Grupimi social që kish bërë dhe po bënte dukshëm para, ishte ai i mafias dhe i krimit të organizuar.

Kështu shtetarët, dyqanxhinj të favoreve, u orientuan natyrshëm nga marrëdhëniet me mafian. Të parët kishin nevojë për para, që t’i iknin barazitizmit stresues; të dytët për favore që lehtësonin trafiqet dhe pastronin paranë e pistë.

Kjo ishte marrëdhënia fillestare. Si çdo organizim social edhe lidhja krim – shtet/pushtet do të zhvillohej e perfeksionohej. Nga faza e kioskës ‘na favore, më jep para’, do të kalonte në forma më të sofistikuara.

Pas vitit 1996 e në vazhdim do të shkruhej një sagë e tërë e krimit elektoral. Ky lloj krimi shenjon përzierje deri në shkrirje të politikës me krimin, të pushtetarëve me mafiozët. Slogani ‘vjedhim votat që pastaj të vjedhim Shqipërinë’ që Rama e thoshte kur ishte në opozitë, kish nisur të aplikohej gati dy dekada më parë.

Fillimisht sipas normës ‘më jep pare për fushatë e vota, të të jap pjesë Shqipërie kur të vij në qeverisje’. Pastaj iu shtua edhe një opcion tjetër: ‘hajde në vathën time politike, bëhu baron votash, siguro një vend në parlament, që të bashkëqeverisim/bashkëzhvasim’.

Nuk po flasim për bashkëpunimin që përmes kompanish offshore ndihmon shtetarët e pushtetarët të fshehin dhe pastrojnë paret e korrupsionit. Në këtë pikë të skemës, shtetari dhe mafia shkrihen në një, madje me hierarki që vë në krye shtetarin, kurse mafiozit i rezervon rolin e sekserit.

6.

Nëse vazhdojmë metaforën ‘shoqëri – pallat’ mund të lindë pyetja: katet e nëntokës dhe ato të elitës japin e marrin dendur me njeri-tjetrin; po katet e mesit?

Në një kuptim vulgar katet e mesit i bie të jenë banuar nga populli i thjeshtë, njerëz që punojnë në sipërmarrjen e tyre të vogël apo në institucione a sipërmarrje publike dhe private; njerëz që kanë shtëpi, katandi dhe përpiqen të rrisin fëmijë.

Në një këndvështrim romatik kjo kategori priret të jetë e pastër, se populli është burim virtytesh, instrument drejtpeshimi moral, etj. etj. Një këndvështrim social-psikologjik pohon se kjo shtresë përbën faktor stabiliteti social, nga që vetvetiu është e interesuar për rend e siguri që të ruajë fëmijët, shtëpinë e katandinë.

Pavarësisht këtyre qasjeve, populli apo shtresa e mesme, nëse mund ta quajmë kështu, jep e merr me krimin në rrafsh veprimesh e sjelljesh dhe, sidomos në rrafsh mentaliteti. Thënë ndryshe jo vetëm që nuk përjashtohet nga kryerja e krimeve por, ç’është më e keqja, kultivon qëndrime morale në favor të tyre. Fjala ‘krim’ në këtë rast shënon çdo akt të paligjshëm dhe të dënueshëm nga shteti, duke nisur nga ryshfeti e duke ardhur tek vrasja.

Janë një varg faktorësh objektivë që mundësojnë lidhjet e popullit me krimin. Kalimi nga një rend diktatorial në anarkinë e fillimit të tranzicionit solli dobësimin e shtetit, mungesën totale të tij në zona periferike etj. Kjo vetvetiu gjallëroi vetëgjyqësinë, hakmarrjen e egër që pati dhe ka prirje të sublimohet duke u quajtur gjakmarrje, paçka se nuk respekton shumicën e normave kanunore që tradicionalisht kanë rregulluar këtë zakon tribal.

Shqiptarët erdhën në tranzicion pa prona, thuajse të gjitha pasuritë ishin pronë shtetrore. Sot pas çerek shekulli shumica dërmuese e pasurive të vendit janë private. Për fat të keq, klasa politike e ‘zgjidhi’ çështjen e pronësisë me një nxitim prej axhamiu, me improvizime dhe amatorizëm. Ky mishmash zgjidhjesh ka krijuar mundësi të pafundme allishverishesh, por edhe klimë tejet të favorshme për krimin.

Rënia e shtetit dhe hapja e depove të armatimeve në 1997, lëvizjet e mëdha demografike krejt kaotike dhe pa kurrfarë strategjie, steriotipizimi mediatik që i nxjerr gjithë shtetarët dhe politikanët hajdutë e dallaverexhinj, përmbytja e mediave me lajme të kronikës së zezë dhe shumë faktorë të tjerë krijojnë klimë të favorshme për kriminalizimin e gjithë shoqërisë.

7.

Rreziku i kriminalizimit endemik bëhet më kërcënues ngaqë po përjetojmë një krizë të thellë vlerash. Porositë e përjetshme morale ‘mos vra’, ‘mos vidh’ etj. rrezikojnë të eklipsohen nga  motoja bashkëkohore ‘sukses me çdo kusht’.

Mentaliteti që e konsideron njeriun e ndershëm dhe korrekt si të paaftë dhe të dështuar krahasuar me komshiun që u bë i pasur pavarësisht se si, i ngjan molës. Ashtu si mola edhe ky mentalitet, tejet i përhapur sot, synon brerjen e fibrës morale të shoqërisë. Nëse kjo realizohet do të shënonte një krim mbi krime.

Përqëndrimi i vëmendjes vetëm tek kriminalizimi i politikës është dy herë i dëmshëm. Në kushtet e mosndëshkimit prodhon pesimizëm e skepticizëm. I përdorur nga njera palë për të goditur tjetrën sipas paradigmës biblike ‘engjëj – djaj’ e kthen luftën kundër krimit në retorikë.

Po qe se si shoqëri nuk do të ndryshojmë qasje urgjentisht, nuk do ta zbulojmë dhe dënojmë krimin me të gjitha armët, me të gjitha institucionet duke nisur nga familja, tek shkolla, massmedia dhe duke ardhur tek shteti funksional, gjendja mund të bëhet e pashpresë. Trungu i brejtur nga brenda, një ditë merr krisje dhe rrëzon gjithë shoqërinë me rrënjë, degë e gjeth.

Marrë nga Gazeta Dita 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button