Kritikohet ‘shëtitja’ e Trump, ekspertët: Presidenti vuri në rrezik jetën e personave të tjerë
Ekspertë amerikanë të shëndetit kanë kritikuar Presidentin Donald Trump i cili doli për pak çaste nga spitali për të përshëndetur mbështetësit.
Një veprim i tillë u cilësua “çmenduri” dhe “krejtësisht e panevojshme” nga Dr. James Phillips, mjek në Universitetin George Washington. Sipas tij shëtitja me automjet vinte në rrezik persona të tjerë kryesisht personelin që e shoqëronte.
“Çdo person që ishte në makinë gjatë shëtitjes presidenciale tërësisht të panevojshme duhet të karantinohet për 14 ditë. Ata mund të sëmuren, mund të vdesin”,- u shpreh mjeku në një deklaratë në Twitter
Trump u kritikua edhe nga një mjek në Qendrën Mjekësore Walter Reed, ku Trump po trajtohet.
Ai argumenton se automjeti presidencial nuk është vetëm anti-plumb, por është gjithashtu “i mbyllur hermetikisht kundër sulmit kimik” që do të thotë se rreziku i transmetimit COVID-19 brenda automjetit është më i lartë.
Kritika erdhën edhe nga Celine Gounder, eksperte e sëmundjeve infektive në Universitetin e New York, e cila po ashtu theksoi se veprimet e Trump vënë në rrezik shëndetin e të tjerëve.
Ndërkohë, Craig Spencer, një profesor i mjekësisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Columbia, nënvizoi se Trump ende nuk po e merrte seriozisht virusin, duke vënë në dukje se si presidenti tha se “kishte mësuar shumë për COVID-19” por ende këmbëngulte për të shëtitur.
Jo vetëm presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij rezultojnë me COVID-19 por edhe të tjerë anëtarë të stafit presidencial.
Sipas të dhënave nga Universitetit John Hopkins në SHBA rezultojnë më shumë se 7.4 milionë persona të infektuar dhe 200.000 viktima.