Bota

Kriza e Coronës vetëizolon Europën

Pas javësh mungese të orientimit, duket se BE ka gjetur tani një gjuhë politike të përbashkët. Komisioni Europian propozoi ndalimin në masë të gjerë të udhëtimeve në BE për shkak të krizës së Coronas.

Pasi kaloi një kohë, ku mungonte veprimi i koordinuar në të gjitha nivelet e qeverive europiane, Komisioni Europian po përpiqet tani në Bruksel të njësojë strategjinë kundër virusit Corona. “Ne jemi të detyruar t’u themi qytetarëve europianë të vërtetën”, tha presidenti i Komisionit Europian, Charles Michel në një konferencë me video me shtetet e G7-s. Bëhet fjalë për një “krizë të gjatë dhe të vështirë.” Më e rëndësishmja është që të qëndrojmë të bashkuar e të zhvillojmë një qëndrim europian.

Bllokim i udhëtimit

Masa më drakoniane që ka propozuar presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen është bllokimi i udhëtimit jo patjetër të nevojshëm në Europë, që fillimisht vlen për katër javë. Të martën (17.03) krerët e qeverive dhe shteteve të BE pritet të miratojnë këtë masë në takimin e tyre në një konferencë me video. Kjo përfshin të gjitha vendet e BE, vendet jashtë Shengenit dhe ajo anëtare të BE si Norvegjia e Zvicra.

Megjithatë ka mjaft përjashtime. “Të punësuar të nevojshëm si mjekë, infermierë, personel kujdestarie mjekësore dhe ekspertët që ndihmojnë në luftë kundër Coronës, do të lejohen edhe më tek tej të udhëtojnë në BE”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian. Edhe transporti i mallrave do të përjashtohet nga ndalimet e qarkullimit, si edhe ata udhëtarët që kthehen. Propozimi i KE prek më shumë udhëtimet turistike dhe ato jo patjetër të nevojshme.

Mbyllje kufijsh brenda BE

Pas njoftimit për mbylljen e paparalajmëruar dhe të pakoordinuar të kufijve në disa vende në BE, Komisioni kërkon të njësojë masat brenda vendeve anëtare. Sipas rregulloreve në BE, shfuqizimi i Shengenit është i mundur në raste emergjence dhe për një kohë të caktuar. Kjo masë u praktikua edhe në krizën e refugjatëve. Vendet fqinje megjithatë duhet të koordinojnë masat, dhe të krijojnë sidomos “një korsi të gjelbër” për transportin e mallrave dhe punëtorëve që duhet të punojnë në vendin në kufi me vendlindjen.

Fillimisht ishte Gjermania që mbylli pjesërisht kufirin me Francën të hënën, gjë që solli bllokim trafiku me disa kilometra në landin Saar, po ashtu edhe në trafikun e atyre që kthehen nga puna në rajonin e Luksemburgut. Presidenti Macron kishte ditë që kërkonte që masa të tilla të merren pas ujdive mes qeverive të vendeve të BE.

Kufizim i pasojave ekonomike

Një nga masat e marra në nivel europian është edhe mbështetja e studiuesve, që punojnë për zhvillimin e medikamenteve kundër Coronës. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel nuk u shpreh, nëse qeveria amerikane ka mbajtur qëndrim në konferencën me video të vendeve të G7-s për përpjekjen e dështuar në blerjen e firmës së bioteknologjisë, Curevac për të siguruar vaksinën për SHBA. BE kërkon të sigurojë po ashtu qasjen e vendeve anëtare për personel mjekësor si veshjet speciale apo respiratorë mjekësorë. Për këtë u vendos një bllokim i eksporteve në vendet jo anëtare.

Vlerësimet e të dy politikanëve të lartë të BE për pasojat e krizës kanë qenë dramatike. “Ne duhet të mobilizojmë të gjitha forcat për të zvogëluar pasojat”, tha Charles Michel. Duhet të mbështeten firmat që vuajnë pasojat e Coronës, por edhe qytetarët. Kurse Ursula von der Leyen kërkoi që të rikthehet “besimi ekonomik global”. “Kjo është një krizë shëndetësore globale me pasoja të rënda”, është mesazhi qendror i presidentes së KE. Bëhet fjalë të kufizohet përhapja e virusit dhe të ngadalësohet. Pas javësh mungese të orientimit, duket se BE ka gjetur një gjuhë politike të përbashkët. Të martën në konferencën me video, krerët e qeverive duhet të tregojnë, se janë në gjendje të marrin masa të përbashkëta dhe të dërgojnë mesazhet e duhura, nëse duan të mbajnë apo rifitojnë besimin e qytetarëve në aftësinë drejtuese të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button