Kriza e emigrantëve dominon samitin e BE-së
Kriza e emigrantëve, do të jetë në fokusin e samitit të fundit të BE për vitin 2015, që mbahet të enjten e të premten në Bruksel. Gjermania dhe shumë vende të tjera do të zhvillojnë bisedime me Turqinë, lidhur me një propozim për risistemimin e sirianëve direkt nga kampet në Turqi.
Por kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila është mbështetësja kryesore e këtij plani përballet me rezistencë nga shtete të tjera të BE. Një numër rekord njerëzish kanë mbërritur në Europë gjatë këtij viti duke shtyrë shumë vende të ngrenë gardhe e të shtojnë kontrollet në kufi, diçka kjo që bie në kundërshti me marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Propozimi për risistemimin e refugjatëve parashikon pranimin e refugjatëve sirianë në vendet e BE, direkt nga Turqia, mbi bazën e një skeme vullnetare. Shpresohet që plani do të ndikojë në parandalimin e udhëtimeve të rrezikshme në det, dhe që do të pranohet më me lehtësi nga anëtarët e BE, se sa kuotat e detyrueshme.
Turqia dhe liderët europianë arritën një marrëveshje muajin e kaluar, mbi bazën e së cilës Ankaraja do të përpiqet të frenojë fluksin drejt Europës, në këmbim të ndihmave financiare e koncensioneve politike.
Gjatë samitit do të diskutohet gjithashtu edhe për planet për krijimin e një force kufitare të BE, dhe për mënyrat e tjera për fuqizimin e kufijve të jashtëm.
Lufta kundër terrorizmit pritet të jetë gjithashtu një tjetër çështje që do të trajtohet gjatë takimit, pas shqetësimeve që gjeneroi zbulimi, se të paktën dy nga agresorët e Parisit kishin përshkuar itinerarin e emigrantëve për të udhëtuar drejt Francës.
I përkushtuar për të lënë të ndara çështjet e emigracionit dhe terrorizmit, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se mbrojtja e kufijve të jashtëm nuk ka si qëllim të largojë ata që duan tu shpëtojnë luftrave dhe persekutimeve.
“Europa është një komunitet i lirisë dhe do të strehojë gjithmonë personat e rrezikuar”-shkruajti Tusk në ftesën e samitit. Gjate takimit do të flitet gjithashtu për përpjekjet e Britanisë për të rinegociuar anëtarësimin e saj para mbajtjes së një referendumi, nga fundi i 2017-s. Kancelarja Merkel theksoi se ishte shumë e rëndësishme të evitohej largimi i Britanisë nga BE, por shtoi se nuk ishte e përgatitur të pranonte të gjitha kërkesat e David Cameron për reforma.