Bota

Kriza e emigrantëve, liderët e BE-së në bisedime me Ankaranë

Diplomacia europiane vazhdon përpjekjet për të frenuar valën e madhe të emigracionit, e cila ka zhytur në krizë kontinentin e vjetër. Pas samitit të Maltës, ku u arrit marrëveshja për t’i ofruar ndihmë monetare Afrikës, për të luftuar shkaqet që sjellin emigracionin, liderët e BE do të zhvillojnë bisedime edhe me Ankaranë.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe kancelarja gjermane Angela Merkel thanë gjatë samitit mes BE dhe Afrikës në Maltë, se do të takoheshin me liderët turq për të gjetur mënyrat për të zbutur krizën e vazhdueshme të refugjatëve.

Samiti pritet të mbahet në fund të nëntorit ose fillim të dhjetorit. “Shpresojmë në krijimin e një marrëdhënie që do të jetë e dobishme për të gjithë, e që do të na ndihmojë për adresuar krizen e emigranteve”-tha Tusk, i cituar nga mediat gjermane.

Edhe kancelarja Merkel u shpreh optimiste, duke pretenduar se përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Ankaranë po shënojnë progres. Merkel shtoi se samiti do të jetë pika e nisjes se një procesi të gjatë. Në Turqi gjenden rreth 2 milionë refugjatë sirianë, dhe Bashkimi Europian po përpiqet prej muajsh të bindë presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, të bëjë më shumë për të penguar vërshimin masiv drejt Europës. 28 vendet anëtare kërkojnë arritjen e një marrëveshje sipas të cilës Turqia do të patrullojë kufijtë jugor të BE me Greqinë.

Në këmbim të ndihmesës Ankaraja ka kërkuar 3 miliardë euro nga Bashkimi Europian. Brukseli është zotuar të forcojë lidhjet me vendin, dhe ka thënë se po punon për grumbullimin e shumës së kërkuar të parave. Siç raportohet, edhe samiti do të zhvillohet me kërkesë të Erdoganit. Por deri me tani asnjë vend, madje as edhe Gjermania nuk është ofruar të japë pjesën e tij të kontributeve përveç, Britanisë. Në atë që konsiderohet si një ngjarje unike në historinë e marrëdhënieve të David Cameron me BE, kryeministri britanik u ofrua të japë 400 milionë euro për planin turk, në samitin e Maltës.

Në muajin tetor Merkel vizitoi Ankaranë pas shpërthimit të një bombe që shkaktoi vdekjen e më shumë se 100 personave. Vizita u konsiderua si një përpjekje e kancelares për të përmirësuar marrëdhëniet me Erdoganin përballë intensifikimit të krizës së emigrantëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button