Kriza në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, reagon Komisioni Evropian: Parlamenti ka të drejtë të emërojë gjyqtarët
Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me krizën në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, pas pezullimit të kryetarit të saj, duke theksuar se Parlamenti polak ka kompetencën kushtetuese për të emëruar gjyqtarët e rinj.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian deklaroi se emërimi i tetë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese është në kompetencën e Sejmit, parlamentit polak. Ai theksoi gjithashtu se autoritetet e vendit duhet të garantojnë funksionimin e gjykatës në përputhje me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.
Reagimi i Brukselit vjen pas përshkallëzimit të tensioneve në Varshavë, ku të premten u regjistruan edhe përplasje pranë Gjykatës Kushtetuese.
Kriza u thellua pas pezullimit të kryetarit të gjykatës, Bogdan Swiechkovski, i emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme nacionaliste. Në vend të tij, drejtimin e institucionit e mori gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska.
Ndërkohë, presidenti polak Karol Nawrocki akuzoi kryeministrin Donald Tusk se po përpiqet të marrë kontrollin e Gjykatës Kushtetuese me forcë.
Komisioni Evropian rikujtoi edhe vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të 5 majit, përmes të cilit autoriteteve polake u kërkohet të mos pengojnë gjyqtarët e emëruar nga Sejmi në mars 2026 në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Përplasja institucionale pasqyron konfliktin e vazhdueshëm mes presidentit Nawrocki dhe qeverisë pro-evropiane të kryeministrit Tusk për kontrollin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Poloni.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.