Shabani i përgjigjet akuzave të Lapajt: Aktivisti i “Shqipëria Bëhet” më filmoi dhe më ofendoi pranë banesës
Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka reaguar pas akuzave të kreut të partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili e ka akuzuar se është bërë pjesë e pushtetit përmes një pazari politik me votat e marra nga kjo forcë politike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shabani ka kundërshtuar pretendimet e Lapajt, duke sqaruar se takimet dhe komunikimi me deputetët janë pjesë e detyrimeve të tij institucionale si Avokat i Popullit.
Ai ka denoncuar gjithashtu një incident me aktivistin e kësaj partie, Mevlan Mata, të cilin e akuzon se ka shkuar pranë banesës së tij, së bashku me një kameraman, duke e filmuar dhe fyer teksa ishte duke pirë kafe me prindërit.
“Dje kryetari i Partisë Shqipëria Bëhet më sulmoi sërish (prej një viti tashmë), duke manipuluar një video ku përshëndesja dy deputetë. Si Avokat i Popullit raportoj çdo muaj në Kuvend dhe kam detyrim institucional të bashkëpunoj me të gjithë deputetët, pa dallim partie. Por edhe më parë, nuk kam besuar kurrë se kundërshtari duhet trajtuar si armik, aq sa mos i japësh dorën. Jam i bindur se edhe Adriatiku, i cili ka dalë vetë në video duke qeshur me të njëjtët deputetë, e di mirë këtë.
Sot, Mevlan Mata, aktivist i së njëjtës parti, erdhi me kameraman poshtë pallatit ku jetoj, për të më filmuar duke më fyer, ndërsa pija kafe me prindërit e mi. Mevlanin e njoh që në shkollë të mesme dhe më vjen keq që i duhet të japë shenja të tilla besnikërie ndaj partisë. Kritikën ndaj meje e pranoj, për sa kohë kam zgjedhur një detyrë publike. Por prindërit e mi të moshuar nuk e meritojnë të përfshihen në skena të tilla, sepse nuk janë pjesë e asnjë debati politik dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi publike. Besoj fort që shtëpia dhe familja e çdo shqiptari duhet të mbeten të paprekshme, prandaj ky kufi nuk duhet kapërcyer”, thuhet në reagimin e Endri Shabanit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.