Kryediplomati hungarez në Tiranë: Reformat integruese garantojnë stabilitet
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i cili po zhvillon një vizitë pune në Tiranë, u takua me homologun shqiptar, Ditmir Bushati me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin dypalësh, si dhe intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, me qëllim thithjen e investimeve hungareze në tregun shqiptar. Në këtë takim, dy zyrtarët nënshkruan dhe marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore mes dy vendeve.
Duke u ndalur tek perspektiva e integrimit të Shqipërisë në BE, ministri Bushati vlerësoi rolin e Hungarisë në proceset integruese të vendit, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të saj për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Më tej, Ministri Bushati, u ndal në hapat konkrete që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të bërë progres në procesin e reformave në Shqipëri e për të vijuar me vendosmëri në rrugën e integrimit.
Ministri hungarez Szijjártó vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon, ndërsa e siguroi homologun shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, ai vlerësoi reformat e ndërmarra në rrugën e konsolidimit të shtetit ligjor, të cilat do të ndikojnë pozitivisht për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese.
Në përfundim të takimit, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri Bushati tha se me homologun hungarez diskutoi dhe për situatën e sigurisë në Evropë dhe sfidat me të cilat përballet Evropa dhe natyrisht dhe dy vendet.
Ndërsa në deklaratën e tij, ministri Szijjártó tha se roli i Ballkanit Perëndimor është rritur për shkak të ndryshimeve në politikën dhe ekonominë globale. Po ashtu, ai theksoi rolin e rëndësishëm të këtij rajoni në sigurinë energjetike të Evropës Qendrore për shkak të vendimeve të marra kohët e fundit në fushën e energjisë.
“Për Hungarinë, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor ka një rëndësi mjaft të madhe dhe mënyra më e mirë për ta ruajtur atë është duke vijuar perspektivën e integrimit evropian. Jemi të lumtur dhe gjejmë rastin të urojmë Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, ne do të jemi mbështetës të fortë të Shqipërisë dhe të përshpejtimit të hapave të saj në procesin e integrimit”, u shpreh kryediplomati hungarez.
Ai theksoi angazhimin e palës hungareze në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe interesin e kompanive hungareze për të kontribuar në projektet zhvillimore në Shqipëri.
“Ne jemi në dijeni se qeveria shqiptare po bën përpjekje për të vënë në zbatim një sërë projektesh të rëndësishme dhe do të ishim të lumtur sikur kompanitë hungareze të kontribuonin në suksesin e këtyre projekteve, sidomos në fushën e ujit, energjisë, hekurudhave dhe bujqësisë. Ne jemi të sigurt se një bashkëpunim i qëndrueshëm dhe afatgjatë mes dy vendeve mund të ruhet vetëm në qoftë se ai bazohet në kontaktin ndërmjet njerëzve, dhe në këtë kuadër ne kemi ofruar 20 bursa vjetore për studentët shqiptarë në universitetet hungareze”, theksoi ministri i Jashtëm i Hungarisë.
Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në përballimin e sfidës me të cilën Evropa po përballet sot për shkak të ISIS-it, duke u bërë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër tij.
I pyetur rreth pezullimit të projektit energjitik të Rrjedhës së Jugut (South Stream), ministri Szijjarto tha se do të kishte qenë në interesin e Evropës Qendrore ndërtimi i këtij tubacioni.
Kjo, sipas ministrit, do të kontribuonte në sigurinë e furnizimit me energji në të gjithë Evropën.
“Ndërtimi i këtij tubacioni do të kishte qenë edhe një mënyrë e mirë për diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji. Ndërkohë që tani na duhet të shikojmë rrugë të reja dhe të identifikojmë mundësi të reja. Aktualisht, po analizojmë situatën dhe një nga mundësitë për furnizimin me gaz nga Azerbajxhani është që ta sjellim atë nga pjesa juglindore e Evropës për në pjesën qendrore të saj. Detyra jonë kryesore për momentin është të kuptojmë dhe të hulumtojmë se cilat janë shtetet që mund të kontribuojnë për të sjellë gazin nga pjesa juglindore e Evropës për në pjesën qendrore të Evropës”, u shpreh ministri hungarez.