Opinion

Kryeministër, “rilind” hyrje-daljet e qyteteve!

Nga Aleksandër Çipa

Lëvizja e përhershme më jep mundësinë të vërej se ç’ngjet vit pas viti, me Atdheun në pjesë e skaje të ndryshme të tij.

Shqipëria është vendi i kontrasteve të fuqishme. Luksi fqinjëron habitshëm me mjerimin. Në qytete të ndryshme të tmerron realiteti i braktisjes dhe i parazitarizmit, sikundër në shumicën e qendrave të tyre, ka mballoma luksi e shkëlqim investimesh që të lënë në hutesë krahasimi me pasazhe Perëndimi. Por ky kontrast i tillë stërzgjatet në kohën e ashtuquajtur “tranzicion” pa krye. Në kohë dhe mandate të ndryshme qeverisjeje, mballomat e luksit spostohen nga njeri qytet verior, në një tjetër jugor. Në këtë mënyrë, nuk po krijohet një imazh vijues dhe i pandërprerë i qyteteve tona që ringjallen e ribëhen, duke iu mundësuar rikonstruktimin e pjesëve të vyera të urbanistikës së tyre dhe duke ndërtuar pjesët apo lagjet që e zymtojnë çdo kalimtar, e jo më banorët e tyre.

Mirëpo, ka ardhur dita që qeverisë së Kryeministrit Rama t’i thuhet fjala pohuese për punën e mirë të bërë dhe të përfshirë në atë që zyrtarisht e kanë pagëzuar me emrin “Rilindja urbane”. Në Shqipërinë e 2016 me kërshëri dhe kënaqësi të madhe, banorët e këtij vendi dhe aq më shumë të huajt, mund të vizitojnë qendrat apo lagjet qendrore të qyteteve të tilla si Shkodra, Korça, Pogradeci, Elbasani, Kavaja e ndonjë tjetër. Natyrisht, janë ende shumë pak. Dhe aq më tepër që bëhet fjalë vetëm për mjedisin qendror të këtyre qyteteve! Gjatë tre vjetëve të mandatit qeverisës të të majtëve, ky projekt zhvillues dhe rikonstruktues ka përfshirë edhe qytete periferike e të harruara ndër vite si Erseka, Tepelena, Përmeti, Lezha, Kukësi e ndonjë tjetër, qoftë në Shqipërinë e Mesme, qoftë në atë të Veriut. Ashtu sikundër mund të thuhet se ndërsa në Vlorë pritja për “lungomaren” po ushqen si lagështia kacavjerrësit, humorin vlonjat, po ashtu edhe shpresa për një hyrje-dalje të re të qytetit, duket se lidhet me një epokë dhjetëra vjet më pas!

Janë disa dhjetëra pjesë të tjera të këtij projekti për të cilat, protagonisti kryesor i kësaj sipërmarrjeje, eksperti Artan Shkreli mund të shtojë e paraqesë më shumë informacion e makete. Kjo tablo do të donte shumë më tepër pasqyrim në mediat tona, jo vetëm për imazhin e ri ndryshues, por edhe për kostot e preventivat reale të realizimit të tyre. Bëhet fjalë për një projekt ambicioz, i cili përfshin një hartë investimi në shumë qytete e qyteza të vendit dhe që realisht, mund të përbëjë në finale të mandatit qeverisës, një kazus lëvdues për qeverisjen aktuale.

Ekspertë dhe shumë kritikë të politikave urbane e arkitekturale dhe atyre investuese në vend, kanë shumë hapësirë për analiza dhe recenca vërejtjesh për këtë projekt kaq ambicioz. Sidoqoftë, rikonstruktime të tilla në realitetin e Shqipërisë së një procesi jo linear urban, përbëjnë një risi dhe shpresë për mbështetje të turizmit arkitektural dhe atij kulturor në të ardhmen.

Por në kohën e afërt elektorale me sa duket, shumica e majtë në qeverisje, mund të ketë paraplanifikuar evidentimin dhe ekspozimin e këtij projekti sugjestionues. Kjo është pjesë e strategjisë tradicionale elektorale që palët politike ndjekin në Shqipëri. Projekti më i madh dhe më i kushtueshëm i tyre shndërrohet në kredo dhe manifest lëvdimi për mandatin e qeverisjes që përfaqësojnë. A nuk ngjau kështu me të djathtët kur lëvdohen me rrugët dhe sidomos me “Rrugën e Kombit”? Pashmangshmërisht kështu do të ngjasë edhe me të majtët me projektin e tyre në vijim që e quajnë “Rilindje urbane”. Sipas pohimeve dhe deklaratave zyrtare, ky projekt ka për të ofruar imazhe edhe më sugjestionuese, gjer në verën e vitit të ardhëm, në qytetet bregdetare të jugut të vendit, si dhe në disa qytete të tjera, ku vijojnë punimet.

Por imazhi befasues i projekteve të “rilindjes urbane”, po kontrastojnë keq me hyrje-daljet e qyteteve tona. Janë imazhe dhe pamje të përditshme që të shkaktojnë lëndimin dhe ndjesinë e vendit të varfër e të pazhvilluar. Në të gjitha qytetet kryesore të vendit, madje edhe në segmentet e fundme të autostradave që ndalin në hyrjet e tyre, ka hise gropash e baltovinash të cilat të rikujtojnë Shqipërinë e komunizmit dhe të kohërave me apoteozë buke, uji, çimentoje apo hekuri. Në të gjitha qytetet e zonës veriore dhe ato jugore të vendit, në hyrje-daljet e tyre, përballesh me gropa dhe me godina të braktisura, me toka të lëna djerrë, si dhe me gërmadha të mbetura në këtë gjendje, prej vitesh e dekadash, si shenja të plota të një vendi rural e me shpresë të rrënuar.

Zoti Kryeministër, si ideues dhe ndjekës pasionant i projektit tënd krenues për të ashtuquajturën “rilindje urbane”, përfshije edhe këtë pamje të tablosë së hyrje-daljeve të qyteteve tona, në projektin tënd të vyer. Udhëtarët dhe kalimtarët e kësaj bote, qofshin ata vendas apo më së shumti të huaj, goditen së pari me impresionin në hyrje dhe dalje të qytetit dhe shumë më pak me qendrën, të cilën ju mund ta keni “rilindur” arkitekturalisht apo edhe në pamjen urbane. Ndryshimi i këtij kahu, mund të sjellë impakt edhe më të madh në shpresën e shpresuar për “rilindjen” e peizazhit dhe fasadave të qyteteve tona. Ndjenja ligështuese që të le periferia e qyteteve tona, nuk mposhtet dot nga kënaqësia që të lë kafja apo kalimi i njëhershëm në qendrat e tyre. Në fund të fundit, kjo kërkesë ka lidhje edhe me përmbysjen e një stereotipie qeverisjeje që karakterizohet nga “drita në qendër e errësira në periferi”. Një qiri në hyrje-daljet e qyteteve, ndriçon më gjatë në kujtesë të banorit apo vizitorit, se neonet e shumta në qendër të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button