Intervista

Kryeministri Rama: Ngjarjet në Beograd, shfaqje e dënueshme dhune dhe racizmi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara, i ftuar nga Universiteti i Harvardit në shtetin Masaçusets.  Kryeministri Rama i dha një intervistë ekskluzive Arben Xhixhos të Zërit të Amerikës.  

 

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, para se të flasim për vizitën tuaj apo zhvillimet e tjera në Shqipëri,  24 orëshi i fundit është mbizoturuar nga lajmet dhe komentet për ndeshjen e mbrëmshme Serbi – Shqipëri, ndërprerja e së cilës është cilësuar si një ngjarje e rëndë.  Ju si e shihni atë që ka ndodhur?

Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë më lejoni që të jem krenar edhe në rastin që ju më jepni për të komunikuar për të 24 orët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për atë që ç’ka na dhuruar dje djemtë e kombëtares të cilët përsa kohë pati futboll praktikisht ishin superior me lojë dhe me raste. Kështu që përsa i takon Shqipërisë, përsa na takon ne shqiptarëve besoj që s’kemi asnjë lidhje me çfarë ndodhi që ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë por që ishte edhe një shfaqje jashtëzakonisht e shëmtuar dhe plotësisht e dënueshme dhune dhe racizmi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, rreth ndeshjes nuk kanë munguar as komentet e politikanëve. Kryeminsitri serb është cituar sot të ketë thënë se … dhe po citoj …  “shpalosja e flamurit në ndeshjen e së martës në Beograd, ishte një aksion i organizuar dhe provokim i rëndë politik …. apo se “synimi i ekstremistëve shqiptarë ishte që të shkelin krenarinë e serbëve, por ne e ruajtëm fytyrën”.

Ju keni planifikuar një vizitë në Beograd javën e ardhshme, a mendoni se ngjarja e mbrëmshme mund të hedhë hije mbi axhendën e vizitës tuaj, a pritet të ndikojë ajo gjatë vizitës tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Së pari dua të ndaj me ju momentin e futjes në ekran të flamurit fluturues të cilin unë e ndoqa bashkë me një grup njerëzish këtu në Harvard që ishin nga shumë vended he ajo shfaqje provokoi hilaritet, në kuptimin të gjithë qeshën dhe iu duk diçka e bukur. Pra larg zonës së nxehtë të urrejtjes, larg zonës së nxehtë të historive të së shkuarës, askush nuk u ndje i provokuar nga shfaqja e këtij flamuri në atë moment. Por fatkeqësisht siç e thatë edhe ju deri dhe autoritetet më të larta serbe thonë se janë ndjerë të provokuar. Dhe përsëri kjo është thjesht dhe vetëm për të shprehur keqardhjen e thellë që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në një fushë ku kishte mijëra flamuj serbë, të mund të përdoret si një alibi për gjithë atë që ndodhi, që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe gjithë stadium ulërinte “vritini shqiptarët” deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadium nën një trysni të madhe psikologjike përveçse edhe nën një dhunë të pashembulltë anti-sportive. Unë mendoj që edhe në këtë rast ne si shqiptar duhet të ndjehemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vet më të egër dhe më negative si një shëmbëlltyrë e të shkuarës që jemi të vendosur ta lëmë mbrapa dhe që ne e dënojmë duke qënë të bindur se futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet nga çfarë ndodh në një fushë futbolli.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeminister, shtypi ndërkombëtar sot, duke iu referuar burimeve nga Serbia, thotë se vëllai juaj është arrestuar dje përkohësisht nga policia serbe dhe më pas është liruar, i dyshuar për lidhje me objektin fluturues.  Cili është komenti juaj?

Kryeministri Edi Rama: Përsëri keqardhje dhe përsëri shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që nuk tregon asgjë tjetër veçse përpjekjen për t’u kacavjerrë dhe për t’u kapur pas një alibie tërësisht të montuar dhe për ta përdorur atë më kot si një gjethe fiku për të fshehur lakuriqësinë me të cilën u shpalos dje në stadium urrejtja e të shkuarës dhe ajo urrejtje që praktikisht e ka penguar boll rajonin tone që të shkojë përpara. S’ka agjë të vërtetë në gjithë këtë por ka vetëm një argument më shumë për të vërtetuar se sa larg realitetit dhe se sa larg qëllimeve tona të përbashkëta ishte ajo çfarë u shfaq dje dhe ajo çfarë u komentua sot fatkeqësisht edhe nga autorite të larta në Serbi. Por Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel. Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur të jenë modeli i paqes, të jenë modeli frymëzues i të vështruarit nga e ardhmja, të jenë lokomotiva e transformimit të rajonit tonë nga një arenë luftrash, gjakderdhjesh, konfliktesh, urrjetjeje 100 vjet me radhë në një oaz bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik dhe social për të gjithë popujt tanë.

Zëri i Amerikës:  Zoti Kryeministër, le të ndryshojmë temë dhe të ndalemi te zhvillimet në vendin tuaj. Është mbushur tashmë viti që qeveria juaj erdhi në pushtet por klima politike në vend pak ka ndryshuar. Ju keni sot një shumicë dominuese në parlament dhe ndonëse jeni shprehur pozitivisht për rolin që duhet të luajë opozita, ka kritikë që thonë se ju nuk keni bërë një përpjekje serioze për të siguruar bashkëpunimin e saj. A mendoni se reformat në Shqipëri mund të ecin pa një bashkëpunim me opozitën dhe si mund të arrihet ai?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që reformat në Shqipëri nuk do të ndalen, por sigurisht që nuk e ve në diskutim që bashkëpunimi me opozitën për reformat e mëdha të modernizimit të shtetit është një element i dosmosdoshëm dhe absolutisht evropianizues për politikën shqiptare. Thënë kjo, unë besoj se opozita i ka pasur dhe i ka të gjitha hapësirat e nevojshme për të luajtur rolin e saj. Ndërkohë, unë sigurisht që i mirëkuptoj edhe kritikat ndaj nesh edhe pse nuk jam dakord me to.

Zëri i Amerikës:  Zoti Rama, ju jeni shprehur në favor të një reforme në drejtësi, e cila duhet të bëhet bashkë me opozitën, por ndërkohë ju keni ngritur një komision hetimor për shkarkimin e kryetarit të KLD-së, veprim i cili shihet nga opozita si përpjekje për të vënë nën kontroll këtë institucion qendror të drejtësisë. Cili është komenti, reagimi juaj për këtë rast?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk komentoj opozitën; unë jam i mandatuar për të drejtuar qeverinë dhe qeveria flet me punë. Puna e qeverisë janë reformat, janë vendimet, janë hapat në të cilat duhet udhëhequr vendi, ndërsa puna e opozitës është sigurisht të flasë.

Zëri i Amerikës:  Një çështje tjetër e mprehtë në Shqipëri që ka lindur kohët e fundit ka qenë edhe ajo e Bankës së Shqipërisë. Lidhur me guvernatorin e ardhshëm, ju keni deklaruar se keni patur një bashkëpunim mjaft të mirë me presidentin Bujar Nishani. Por, a mendoni se rrezikohet një ngërç në këtë pikë, duke qenë se Presidenti ka hapur një konkurs për guvernatorin e ardhshëm, ndërkohë që sipas ligjit, guvernatori duhet të zgjidhet ndër anëtarët e Këshillit Mbikqyrës?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të predikoj të ardhmen, dua vetëm të uroj dhe të besoj se bashkëpunimi me Presidentin do t’i japë Shqipërisë së shpejti guvernatorin e duhur për Bankën e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës:  A pritet ky guvernator të jetë i huaj apo shtetas shqiptar, sepse edhe për këtë ka patur debate?

Kryeministri Edi Rama: Për mua, e rëndësishme është që guvernatori i Bankës së Shqipërisë të jetë në lartësinë e një sfide të madhe për ta nxjerrë Bankën e Shqipërisë nga kriza që kaloi më të pavarur, më të fortë dhe pa dyshim edhe më largpamëse dhe të sigurtë. Unë besoj se paragjykimi lidhur me nënshtetësinë nuk na ndihmon por na pengon, ndërkohë që, pa as më të voglin dyshim, duke vendosur standardin, sigurisht që ne jemi të hapur qoftë për kandidat të huaj qoftë për kandidat shqiptar, nëse ka të tillë që e përmbushin këtë standard.

Zëri i Amerikës:  Zoti Rama, ka një debat kohët e fundit në Tiranë lidhur me përgjime të kryera nga SHISH, të cilat dolën në dritë pas një kontrolli të ushtruar nga disa deputetë të parlamentit. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë me përgjimet?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.

Zëri i Amerikës:  Është hera e dytë që ju thoni nuk keni koment, por ndërkohë shtypi dhe vetë deputetët tuaj kanë nxjerrë emra dhe madje në nivele të larta drejtuese në Shqipëri që mendohet se janë përgjuar. Në qoftë se ka shkelje ligjore, si do të veproni ju?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë çështje.

Zëri i Amerikës:  Zoti Rama, ju ndodheni prej dy ditësh në Boston, me ftesë të një prej universiteteve më prestigjiozë të botës, atij të Harvardit. Cili është synimi i kësaj vizite?

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi këtu sepse ne bashkëpunojmë me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit, një qendër me prestigj botëror, që na shoqëron në piketimin e hapave për reformat rrënjësore në funksion të rritjes ekonomike, të mirëqënies socials dhe të transformimit të Shqipërisë në vendin që të gjithë duam, në një shtet modern dhe në një realitet funksional.

Zëri i Amerikës:  Zoti Kryeministër, ju faleminderit për kohën që shpenzuat për ne sot.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit juve për mundësinë që më jepni dhe dua ta mbyll duke i parë në sy të gjithë shqiptarët dhe duke u përsëritur që të jemi të gjithë krenarë për skuadrën tonë kombëtare, të jemi të gjithë krenarë që sot në Ballkan ne bëjmë diferencën. Le t’ja lëmë të shkuarën të shkuarës dhe të mos kthejmë kokën pas, por të shikojmë përpara, pa rënë pre e çfarëdo provokimi apo e çfarëdo shfaqjeje që vjen nga e shkuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button