Kryeministri Rama për gazetën italiane “Espresso”: Shqipëria mbetet vendi më proevropian i kontinentit
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane “Espresso”, ka treguar detaje rreth jetës së tij personale, artistike dhe për përfshirjen në politikë.
Kryeministri rrëfen për gazetarin italian se me rënien e regjimit komunist, ai shkoi në Paris për të shijuar lirinë e rigjetur. Ndërkohë që ushtronte karrierën e tij si artist në Paris, lideri i atëhershëm i së majtës Fatos Nano e thërret për ta ngarkuar me detyrën e ministrit të Kulturës, ndërsa dy vite më pas Partia Socialiste e kandidoi si kryetar të bashkisë së Tiranës, ku dhe fitoi zgjedhjet.
Duke u ndalur te politika Rama thotë se “Shqipëria është dhe mbetet vendi më proevropian i Evropës”.
Arkitekturë racionaliste, llambadarët Murano, piktura veneciane: edhe këtë pallat të kryeministrit e kanë ndërtuar italianët. Sot, prej katër vitesh dhe përsëri që nga qershori me një shumicë absolute në Parlament, Edi Rama, 53 vjeç, kreu i Partisë Socialiste, më i veçanti nga shefat e qeverive evropiane, është sërish aty.
Piktor, skulptor dhe specialist i qeramikës, me një vepër të tij të ekspozuar në bienalen e fundit të Venecias, e cila nxit shpërthimin e revoltës studentore kundër sundimit të Enver Hoxhës kur jepte mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë, me një italishte të shkëlqyer e përkufizon veten si “të mbijetuar i asaj vale të intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve, regjisorëve, aktorëve që luajtën një rol udhëheqës në protestat dhe revolucionet që çuan në rrëzimin e Murit të Berlinit dhe që një nga një u tërhoqën nga jeta politike, të mundur ose të zhgënjyer.”
Po ju, ndërkohë?
“Sapo ra regjimi shkova në Paris dhe udhëtova nëpër botë për të shijuar lirinë e rigjetur. Shkruaja artikuj, jepja intervista, por mbi të gjitha bëja art. Më thirri në atdhe në ’98 lideri i asaj kohe, socialisti Fatos Nano, ku u bëra ministër i Kulturës ndërsa dy vite më pas Partia Socialiste më kandidoi si kryetar të bashkisë së Tiranës, ku fitova….”.
Dhe filluat ta ngjyrosni qytetin ashtu si dhe futuristët rusë Vitebsk në vitet ’20?
“Po, por ishte një akt politik, jo një gjest artistik. Ngjyrat ndihmuan në rizgjimin e sensit të komunitetit, të të jetuarit bashkë. Mendo sa i trishtuar do të ishte një qytet, ku të gjitha gratë do të dilnin nga shtëpia pa u kujdesur për veten! Ngjyra e kuqe në buzë është një problem shpirti, jo imazhi. Kur unë u bëra kryebashkiak, Tirana ishte e zhytur në ilegalitet, ajo dukej si një qytet i bombarduar, nuk ka patur asnjë metër katror gjelbërim, kishte vetëm forma të frikshme si skulptura brutale të parregullta. Ngjyrat kanë qepur dhe lidhur sipërfaqet dhe kanë ndryshuar shpirtin e njerëzve. Krimi gjithashtu ra në mënyrë dramatike”.
Le të flasim sot për temën tonë: italianët në Shqipëri. “Ejani dhe investoni tek ne”, iu drejtuat ju sipërmarrësve të rinj në një vizitë tuajën në Itali: 15% taksë, burokraci e lehtë, pesë ditë për të hapur një biznes…
“Në hartimin e ligjeve asnjë nuk krahasohet me vendin tuaj. Shqipëria është një Itali më e lehtë: në shpirt, në mendje dhe në gjendjen shpirtërore.
”Nuk ka pengesa për sindikatat”, shton ai: të paktën një deklaratë e pazakontë për një udhëheqës socialist.
“Ah, unë gjithashtu thashë: nuk jemi të majtë radikalë. Unë e di se për çfarë po vuajnë sipërmarrësit në vendin tuaj. Për më tepër, tashmë 20 mijë italianë punojnë këtu… ».
Nga vjen kjo shifër?
“Është e besueshme. Para të gjithash janë të sektorit të prodhimit; këtu prodhohen pothuajse të gjitha markat italiane më të rëndësishme, Dolce & Gabbana, Valentino, Versace, Zegna…».
Kompanitë italiane apo kontraktuesit shqiptarë për markat italiane?
“Të dyja. Veshje, këpucë, një kompani e madhe italiane prodhon këtu të gjitha çantat prej letre D & G. Por, kanë investuar në fusha të ndryshme: shërbime, furnizime ushqimore, bujqësi, ndërtim, studime mjekësore. Nga këndvështrimi i vëllimeve, prania e italianëve është e rëndësishme. Sa për potencialin, ne jemi larg nga ajo që mund të jetë”.
Çfarë mungon?
“Në turizëm, për shembull, mund të bënim më shumë. Tani ka mbërritur ‘Alpitour’, me një operacion inteligjent, por kërkesat po rriten, si në jug ashtu dhe në veri. Veçanërisht për hotelet me 4 dhe 5 yje, ku jemi mbrapa dhe duhen investime: për këtë lloj tipologjie kemi ndryshuar legjislacionin, 10 vjet pa taksa pas ndërtimit të objekteve të reja. Dhe TVSH për turizmin është 6,0 për qind, asgjë”.
Erdogan, që ka në dorë tani Turqinë, ka investuar në islamizimin e Shqipërisë, shumë para për të ndërtuar xhaminë e re në qendër të Tiranës.
«Kemi qenë vendi i vetëm që nazistëve nuk u dorëzoi asnjë hebre, të adoptuar dhe të mbrojtur nga familjet myslimane. Unë jam katolik, dy fëmijët nga martesa e parë janë ortodoksë, bashkëshortja ime aktuale është myslimane, fëmija ynë i vogël do të vendosë ndoshta të bëhet budist. Përsa i përket Turqisë së Erdogan, çështja është më komplekse; duke bërë reformat dhe të gjitha detyrat e shtëpisë pritej që Evropa t’i hapte dyert, mori në fakt një shuplakë, e përjetuar nga ai dhe opinioni publik si një poshtërim. Kjo ka rrëzuar paradigmën nga Turqia si pararojë e Evropës në botën myslimane, pasi besoj se ishte ëndrra e saj, secila për të ndërtuar një urë lidhëse mes botës myslimane në kufijtë e Evropës. Poshtërimi është shumë i keq në këtë pjesë të botës!”.
Flisni ende për Turqinë apo në të vërtet keni në mendje Shqipërinë? Në qershor të 2014 iu dha statusi si kandidate për BE, por pas tre vjetësh negociatat e anëtarësimit nuk kanë filluar ende …
“Diku tjetër, ndoshta mund ta justifikojmë atë me termat e pragmatizmit apo realpolitikës, por në këtë pjesë të botës është e papranueshme. Sa na takon, ne jemi dhe mbetemi vendi më proevropian i Evropës dhe po bëjmë atë që duhet për të patur të gjitha dokumentet në rregull”