Opinion

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Nga Lutfi Dervishi

I dashur mik,

Sot letra e ka humbur fuqinë e saj, ndryshe nga dje kur fjalitë, fjalët dhe shkronjat e vendosura sup njëra-tjetrës kishin një tjetër peshë.

Megjithatë zgjodha letrën, sepse mendimet e hedhura mbi të mbeten më të sinqertat, më të ndjerat, më të drejtat.
A e di që ke zgjedhur për jetën tënde profesionin më të mirë në botë?

Këtë e thoshte dikur edhe Gabriel Garcia Marquez ! Po për t’ia dalë mbanë nevojitet entuziazëm, kuriozitet dhe shumë durim.

Është profesioni më i mirë në botë sepse çdo ditë nuk i përngjan tjetrës, duke kaluar përmes një rruge që dredhon shpesh, duke të vendosur në sprova që në fillim do t’i urresh e më pas do i dashurosh.

Gazetaria po ndryshon, aq shpejt sa mbase deri në përfundim të këtij shkrimi inteligjenca artificiale do ketë sjellë diçka të re për ty e për mua.

Gazetarët sot, ndryshe nga dje, sot nuk e kanë më monopolin e “rojes së informacionit”.

Epoka digjitale ka bërë të mundur që çdokush me një celular dhe qasje në internet të shkruajë çfarë i thotë mendja dhe të paraqesë çfarë i rrok syri. Këtu te çdokush kam parasysh dhe idiotët, delirantët, matrapazët, sharlatanët, tuafët dhe torollakët. I kemi rrotull si model jo për t’u pasuar por studiuar.

Gazetari, ndryshe nga dje, sot nuk është më në presion të përditshëm. Presioni është çdo orë, çdo minutë, çdo sekondë.

Politikanët ndryshe nga dje, sot nuk kanë më nevojë për median për të komunikuar me votuesit. Ky demokratizim i informacionit është një thikë me dy presa. Në një anë kemi liri dhe larmishmëri në anën tjetër informacionet e njëanshme, propaganda dhe “lajmet” e paverifikuara kanë përmbytur mjedisin.
Ndryshe nga dje ku “faktet ishin të shenjta dhe opinionet të lira” sot është krejt kundërta.
Opinionet janë të shenjta dhe faktet çështje interoretimi.

Sot më shumë vlen çfarë ndodh në rradaken e analistit/opinionisit në studio se sa ajo që ndodh në realitet dhe që raportohet nga gazetari në vendngjarje.

Nëse modeli për t’u bërë gazetar i mirë është moderatori televiziv dhe analisti- je në kohë për të ndryshuar profesion.
Por nëse qëndron në këtë zanat duhet të përballesh me rrjetin e madh të merimangës.
Rrjetet sociale sot bëjnë të mundur që thashethemet, sensacioni, gënjeshtrat, intrigat, gjysmë të vërtetat, legjendat urbane, sajesat, propaganda dhe dezinformimi të përhapen me shpejtësinë e dritës.

Sfida është që në këtë “çmenduri” të ruash mendjen dhe të kesh durimin që të kalojë epidemia e marrëzisë dhe të përpiqesh të kuptosh dhe të thuash të vërtetën. Mos rend!

Nuk ka kuptim më të bësh garë për shpejtësi. Tregu këtu është i mbipopulluar. Saktësia dhe qartësia janë të munguarit e mëdhenj në skenën e mbipopulluar me “lajme”.

Është afërmendsh që do të gabosh për shkak të paragjykimit, ngutjes dhe ndonjëherë kurtheve të ngritura, por do të jesh më i besueshëm kur të pranosh gabimin. Monedha kryesore është besueshmëria!
Pavarësisht gjithë tallazit mos e humb toruan. Detyra jote është të ndezësh qiririn në errësirë, t’i japësh zë atyre që nuk kanë dhe të bësh që ata që janë në pushtet të mos flenë të qetë për shkak të penës tënde.

Në qendër të lupës tënde nuk është individi, por mekanizmi që ka pjellë problemin. Nëse nuk hidhen dritat mbi këtë “mekanizëm”, individët do t’ia lënë vendin njëri-tjetrit. (Një këshillë e vyer e Niko Nikollës; kur vendos të shkruajë gazetari duhet të ketë dorën e pastër, mendjen e ftohtë dhe zemrën e ngrohtë.)

Ti nuk je prokuror, gjyqtar, avokat, noter, përmbarues, ekspert, analist, opinionist, komentator. Ti ke një detyrë më të madhe: T’i tregosh njerëzve se çfarë po ndodh duke shpjeguar të padukshmen apo helmin që paketohet si bombone.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh nuk mjafton të shikosh, por edhe duhet të dëgjosh me vëmendje.

Nuk mjafton vetëm të japësh informacion, por duhet të informosh.

Njerëzit pa informacion bëhen paranojakë.

Njerëzit me informacion të gabuar janë të rrezikshëm, njerëzit e indoktrinuar me propagandë janë shejtanë budallenj.

Njerëzit e mirëinformuar e bëjnë vendin më të mirë.
E në këtë kohë pandemie marrëzie detyra e gazetarit mbetet ajo e vjetra: Përgjegjësia për të informuar dhe thënë të vërtetën. Dhe e vërteta të bën të lirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button