Kronika

Kryeprokurori i Tiranës: Në 792 raste është ankimuar vendimi i Gjykatës

Ankesat ndaj gjyqësorit për zbutje të viteve të dënimit vijnë edhe nga organi i akuzës. “Politika e dënimit e kërkuar nga prokurori është më e ashpër se sa dënimet që janë dhënë nga ana e Gjykatës. Politika e dënimit përsa i takon veprave të rënda dhe sensitive, ka qenë ashpër dhe në përputhje me rrezikshmërinë e tyre, shkallën e përhapjes, si dhe rëndësinë përsa i përket ndjeshmërisë publike”. Është ky konstatimi që vjen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha i bërë publik sot gjatë analizës së punës një veçare  të këtij institucioni.

Në fjalën e tij Fusha bëri të ditur se gjatë vitit 2015, janë përfunduar gjykimet për 4395 procedime penale me 4944 të pandehur. Në kërkesat përfundimtare prokurori ka kërkuar, dënim me burgim për 2922 të pandehur, ndërsa për të tjerët dënime alternative. Në 35 raste prokurori ka kërkuar pushimin e çështjes ose të gjykimit dhe në një rast ka kërkuar tërheqjen e akteve”.

Ndërkohë që Gjykata, tha ai, “ka vendosur, dënim me burgim për 2025 të pandehur, për të tjerët dënime alternative, si edhe pafajësi për 137 të pandehur.  Në 792 raste, prokurori nuk ka qënë dakort me vendimin e Gjykatës dhe ka ushtruar të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit”.

Duke vënë në dukje se gjatë vitit të kaluar janë regjistuar rreth 16.500 kallëzime, rreth 1100 më shumë se një vit më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës tha se janë hetuar rreth 12600 procedime penale, pra 330 procedime më shumë se një vit më parë, me rreth 6800 persona të pandehur dhe nën hetim.

Sipas tij, gjatë vitit 2015 kanë njohur rritje veprat penale që lidhen me pronën, veprat kundër kundër autoritetit të shtetit, veprat kundër personit.

Ndonëse prokuroria e Tiranës ka patur në fokus luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kontrabandës dhe evazionit fiskal, prokurori Fusha tha se “Njësia e Përbashkët Hetimore është impenjuar maksimalisht në përmbushjen e prioritetit të saj dhe gjatë vitit 2015 ka pasur disa raste të suksesshme hetimesh të përfunduara. Këtu mund të përmendim zbulimin e skemave mashtruese në rimbursimin e ilaçeve, në tregun e karburanteve, në koncensione, në ndërtim, etj”.

“Njësia Task Force ka ashpërsuar kërkesat për masë sigurie dhe gjatë vitit 2015 ka kërkuar caktimin e “arrestit në burg” në 76 raste, ose dyfishin e atyre të kërkuara një vit më parë. Nga gjykata janë pranuar kërkesat për 56 raste. Po ashtu, janë kërkuar masa sigurimi më të buta në 20 raste të tjera. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe janë dhëne edhe 5 vendime fajësie për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Këto vendime ndikuan edhe në plotësimin e kriterit të efektivitetit dhe daljen e Shqipërisë nga procesi i monitorimit të vazhdueshëm ku ndodhej prej 4 vitesh nga Komiteti i Vlerësimit të Masave në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL)”, deklaroi ai.

Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha shtoi se gjatë këtij viti do të synohet që të rritet më tej roli i prokurorit në kontrollin e veprimtarisë së policisë gjyqësore, shpejtësia në hetim dhe rritjen e numrit të rasteve të gjykimit të drejtëpërdrejtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button