Kryeprokuroria reagon ndaj raportimeve për arrestime të zyrtarëve: Mbështetuni vetëm në informacionet zyrtare
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thotë se shkrimet e ditëve të fundit për "arrestime të personave zyrtarë" kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike, ndërsa siguron se çdo rast penal do të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar të dielën ndaj raportimeve të fundit në media dhe publikimeve të individëve të ndryshëm lidhur me arrestime të pretenduara të personave zyrtarë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare të konfirmuara nga institucioni, siç njofton “Bota Sot”.
Në deklaratën e publikuar të dielën, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit vlerëson se shkrimet e shpërndara ditëve të fundit kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike. “Gjatë ditëve të fundit, individë dhe media të caktuara kanë raportuar dhe shpërndarë shkrime të ndryshme për ‘arrestime të personave zyrtarë’, të cilat kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike”, thuhet në reagim.
Institucioni thekson rëndësinë e verifikimit të informacionit që lidhet me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit. “Në lidhje me këtë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bën thirrje që për çështjet që ndërlidhen me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit të bazoheni vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, si dhe të shmangni çdo informacion tjetër që nuk është zyrtar dhe i konfirmuar”, thuhet më tej në deklaratë.
Në fund të reagimit, Kryeprokurori i Shtetit siguron qytetarët se institucioni do të kujdeset që çdo rast penal të trajtohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.