Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Zvicrës vizitë në Shqipëri
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim kryetaren e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Christa Markwalder, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri.
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, theksohet se Meta gjatë këtij takimi vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve, duke i cilësuar të veçanta.
“Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit dhe kryetarja e Këshillit Kombëtar të Konfederatës Zvicerane diskutuan për forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve parlamentare midis dy vendeve si dhe ndanë bindjen se marrëdhëniet do të forcohen akoma edhe më tej dhe do të konkretizohen në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Dy bashkëbiseduesit vlerësuan rritjen e bashkëpunimit parlamentar dhe të një bashkëpunimi edhe më të ngushtë sidomos në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Markwalder, ka theksuar se është në interesin e Zvicrës që Shqipëria dhe në veçanti i gjithë rajoni, të zhvillohet përmes stabilitetit të vazhdueshëm.
“Ne e mirëpresim rolin konstruktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajon dhe kjo është një tjetër arsye pse ne duam të forcojmë lidhjet mes dy parlamenteve tona dhe të vazhdojmë këtë miqësi të mirë që kemi ndërtuar tashmë”, është shprehur ndër të tjera Markwalder.