Kronika

Kthehet nga Egjipti, marinari Luan Mema merret në pyetje

Luan Mema, marinari i peshkarexhës “Çelepija 2” që u mor peng një muaj më parë nga marinari i saj egjiptian, Adel Muhadem Salam, është kthyer në atdhe. Kthimi i 36-vjeçarit Mema ka sjellë gëzim te prindërit dhe të afërmit që nuk i kursejnë falenderimet.

Pas mbërritjes në Aeroportin e Rinasit të dielën, Luan Mema është shoqëruar në ambientet e Policisë së Durrësit për të dhënë dëshminë e tij, në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, dhe kryesisht për të zbardhur fatin e kapitenit të anijes Dhimitër Malja.

Sipas burimeve policore, dëshmia e Memës nuk ka sjellë fakte të reja, që mund të hedhin më shumë dritë mbi vendndodhjen dhe gjetjen e kapitenit Malja.

Egjiptiani Adel Salam ka deklaruar se e ka hedhur atë në det, në afërsi të brigjeve të Greqisë, pasi ka hasur në rezistencën e kapitenit gjatë rrëmbimit të anijes dhe ndryshimit të kursit të lundrimit. Prej një muaji nuk janë gjetur gjurmë të tij, duke lënë në ankth familjen Malja.

Marinari Mema është marrë në pyetje nga specialistët e Policisë së Durrësit edhe mëngjesin e sotëm.

Ndërsa burime policore bëjnë të ditur se, ndaj tij deri në këtë moment nuk rëndon asnjë akuzë, në një komunikim telefonik për Top Channel, marinari i sapokthyer shprehet se ndihet nën hetim nga autoritetet shqiptare për shkak të marrjes në pyetje dy herë brenda më pak se 24 orëve.

Ndërkohë Mema shprehet mirënjohës ndaj Ambasadës shqiptare në Egjipt, që i mundësoi kthimin pranë familjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button