Ekspozita

Kthimi i bukur i Adrian Pacit

Art mbi kujtime/ Artisti i njohur e kthen banesën e vjetër në qytetin e Shkodrës në një qendër bashkëkohore arti. “Art House” priti tre artistët e parë…

Shtëpitë ashtu si njerëzit nuk mund të dalin prej historisë së tyre. Ato mund të heshtin për një kohë të gjatë, por në çdo ringjallje do të jenë si dikur. Adrian Paci e ka parë gjithnjë me këtë vështrim banesën e vjetër në qytetin e Shkodrës. Në çdo rikthim nga Milano ku ndan sot jetën me familjen në vendlindje, përfytyrimi për banesën e dikurshme i vinte vetëm përmes artit. Ca vizatime të ruajtura me kujdes, apo tablo i kujtonin siluetën e një burri, që dikur brenda këtyre hapësirave u jepte jetë ëndrrave të tij për artin. Ai ishte Ferdinand Paci, një prej piktorëve të talentuar të viteve ’60-’70, talenti i të cilit ende kujtohet sot nga miqtë e dikurshëm. Një koleksion vizatimesh, dhe tablosh të krijuara prej tij kohë më parë, vazhdojnë të ruhen nga familja Paci. Një pasionant i madh i pikturës që iku nga kjo jetë pikërisht në kulmin e kësaj dashurie. Gati 40 vjet nga ndarja nga jeta e piktorit Ferdinand Paci, i biri, një tjetër artist, Adrian Paci, zgjedh ta kthejë shtëpinë në një qendër të artit bashkëkohor. Kjo shtëpi nuk mund të ishte ndryshe. Ajo nuk mund t’i ikte historisë së saj. Për muaj të tërë, Paci ka punuar bashkë me të shoqen, Melisën, për t’i dhënë jetë hapësirës që hapi dyert të shtunën. Një galeri e kornizuar brenda një shtëpie, duke të dhënë ndjesinë e një intimiteti që kërkon me ngulm të mos humbasë. “Kam ndërtuar shtëpinë e re aty ku dikur ishte e vjetra dhe ideja është që përveçse shtëpi, të shërbejë edhe si një pikë kontakti, ekspozimi, prezantimesh, workshopesh apo takimesh mes një publiku të vogël dhe artistësh, kritikësh, kuratorësh nga e gjithë bota”, thotë Paci.

Dëshira e tij ishte të krijonte një hapësirë ku pjesa intime e shtëpisë, pjesa e eksperiencës së përditshme të ndërthurej me eksperiencën e artit, larg spektakolaritetit, por njëkohësisht dhe e hapur ndaj publikut. Paci ka shndërruar gjithë energjinë e një kujtese që fle ende në këtë hapësirë, në një energji të re artistike e cila do të thithë artistë nga vende të ndryshme të botës. Nga larg duket se kjo shtëpi, të fton të shohësh diçka. Nuk ka humbur stilin karakteristik të banesave shkodrane, por ka fituar një dimension tjetër më bashkëkohor. Të shtunën më 13 shtator, shtëpia të cilën Paci e pagëzoi me emrin “Art House” hapi dhe ekspozitën e parë të quajtur “Memorandum”. Tre artistë të huaj Willie Doherty, Giovanni De Lazzari dhe Pierpaolo Campanini ishin të parët që shkelën hapësirën e kujtesës, për të prezantuar punë bashkëkohore. Mendimet ku këta artistë punojnë janë të ndryshme. Doherty përdor video-instalacionin, Campanini pikturën dhe fotogravurën, De Lazzari vizatimin. Të tre artistët kanë të përbashkët studimin e vëmendshëm dhe të ndjeshëm të realitetit në zbulimin e “të përditshmes” dhe “ të natyrshmes”, në kërkim të zonave sekrete, hapësirave ambivalente dhe kujtimeve të fshehura.

Në qasjen e secilit nuk vërehen gjurmë mistifikuese, por gjithçka përshkohet nga një perde e hollë misteri, i cili disa herë paraqitet në formën e ndërtimeve komplekse e herë të tjera zhvillohet në hapësira familjare, por gjithsesi, të ngarkuara me të panatyrshmen. Duke parë punimet e tyre duket sikur natyra është përshkuar nga një histori e cila ka lënë gjurmët e saj. Nganjëherë këto gjurmë shfaqen si plagë e herë të tjera si ndërtime imagjinare. Ne nuk asistojmë në momentet e këtij përshkimi, por një çast më vonë kur çdo gjë paraqitet e heshtur dhe e mbushur me kujtesë. Është pikërisht shikimi i vëmendshëm i artistëve, i cili bëhet dëshmitar i këtyre proceseve e në të njëjtën kohë vepron në mënyrë aktive mbi to. Shikimi nuk është i pafajshëm. Ai penetron në mënyrë aktive, por pikërisht falë tij që ne bëhemi pjesëtarë të bukurive të fshehura që na ofrohen përmes gjuhës artistike. Willie Doherty është një ndër artistët më të njohur të artit bashkëkohor në Britaninë e Madhe. Punimet e tij janë paraqitur në ekspozita vetjake dhe kolektive. Është një ndër nominimet për Turner Prize në 1994 dhe  pjesëmarrës në DOKUMENTE 13 në 2012.  Artisti ka përfaqësuar Britaninë e Madhe në Bienalen e San Paolos dhe Irlandën në Bienalen e Venecias në 1993. Piepaolo Campanini punon kryesisht me pikturën. Veprat e tij janë paraqitur në ekspozita vetjake dhe kolektive në Itali e vende të tjera. Ka organizuar disa ekspozita personale në galerinë “kaufmann repetto”, Salon 94 në New York, Corvi-Mora në Londër, Blum and Po në Los Angeles, Francesca Kaufmann në Milano etj. Ndër ekspozitat kolektive, këtu mund të përmendim  “La Figurazione Inevitabile” në Centro per Arte Contemporanea Luigi Pecci – Prato, “Visioni per un Inventario” Fondazione Bevilacqua La Masa Venezia, “Italics, Italian art between tradition and revolution 1968-2008”,  Museum of Contemporary Art Chigago e të tjera. Giovanni de Lazzari punon me vizatime, pikturë dhe skulpturë. Ka ekspozuar në galerinë “Laveronica” në Modica- Sicilia,  Spazio Zero në  Bergamo, Galeria Nova Gorica. Ndër ekspozitat kolektive përmendim “Sosia” Museo d’Arte Moderno e Contemporaneo -Trento, Premio Cairo- Milano, “Ogni Cosa a Suo Tempo” – Palazzo della Misericordia Bergamo, “Carpe Diem – Lisbonë. Më 18 tetor, një tjetër kritike e njohur italiane, Angela Vettese, do të jetë pjesë e “Art House”, për të vijuar më pas me të tjerë artistë apo kritikë arti. Më 20 tetor në këtë hapësirë do të jetë një takim me Corrado Gugliotta, galerist në  “Laveronica Arte Contemporanea” ndërsa më 22 nëntor një takim me Marta Gili, drejtoreshë e muzeut “Jeu de Paume”, Paris. “Nuk arrij të konceptoj asgjë që përjashton ndjenjën e misterit, nuk e konsideroj kurrë të natyrshme natyrën. Për mua personazhet, objektet apo peizazhet janë gjithmonë të panatyrshëm, që do të thotë, të fshehtë”. Kjo shprehje e Pasolinit i është orvatur shpesh Pacit në mendje, teksa kërkonte që të vazhdonte hulumtimin, por tashmë në një formë tjetër të një misteri të hershëm që ka pasur gjithnjë kjo shtëpi. Një mister që dukej se buronte nga energjia e njerëzve të artit që mbyllnin sytë çdo mbrëmje kohë më parë në të…

Atë e bir

“Unë isha shumë i vogël kur vdiq im atë dhe jam rritur me punimet e tij. Jam rritur duke parë studion e tij, duke hapur shpeshherë dosjet me vizatimet e tij dhe në një farë mënyre, marrëdhënia ime me tim atë, mund të përcaktohet si një marrëdhënie profesionale. Ajo krijohej përmes pikturës. Një marrëdhënie e tillë më ka shoqëruar gjithmonë, krahas asaj ndjeshmërie që ka një fëmijë për prindin e vet”. Kështu do të shprehej Adrian Paci në një intervistë të dhënë kohë më parë mbi marrëdhënien e tij me të atin. Ishte ende fëmijë (7 vjeç) kur ai u largua nga jeta, por ai vazhdoi ta inspironte të birin me veprat që kishte lënë pas kudo në këtë shtëpi. Një komunikim i heshtur përmes punëve, që krijuan dalëngadalë artistin brenda Adrianit. Dhe pse mënyra e tij e shprehjes artistike është në një tjetër medium nga ajo e të atit, ai është sot një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor jo vetëm në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button