Ku janë alienët?
Thuajse të gjithë shkencëtarët janë të një mendimi; diku atje në universin e pafund ekzistojnë jashtëtokësorët, por asnjëri nuk është në gjendje që t’i japë një përgjigje të saktë atij që njihet si paradoksi Fermi.
Ky paradoks ka marrë emrin nga shkencëtari italian Enrico Fermi i cili në vitet ’50 të shekullit të kaluar do të pyeste: Duke parë probabilitetin e madh që në universin e pafund të ketë jashtëtokësorë, atëherë përse ne nuk kemi ende një provë të qartë për ekzistencën e tyre?
Në paradoksin e Enricos thuhet se ka një kundërshti të thellë mes probabilitetit të madh për ekzistencën aliene dhe mungesës totale të provave që vërtetojnë ekzistencën e një forme jete inteligjente jashtë Tokës.
“Ku janë alienët?”, ishte pyetja e tij e famshme.
Që nga koha kur ngrihej kjo pyetje kanë kaluar gjashtë dekada dhe përgjigjet ndër vite kanë qenë gjysmake. Këtyre përgjigjeve gjysmake u shtohet edhe një tjetër, por që është krejtësisht origjinale. Fizikanti Brian Cox e ka një ide, që për shumë mund të mos jetë aq shteruese, por as shumë e pëlqyeshme.
“Një përgjigje e mundshme e paradoksit të Fermit është se është e pamundur të drejtosh një botë që ka fuqinë të shkatërrojë vetveten dhe më pas kërkon bashkëpunimin e të gjithëve për ta parandaluar këtë shkatërrim”, përgjigja e Cox më shumë sesa teoritë për alienët është një mesazh për tokësorët.
Sipas Sunday Times ai i referohet zhvillimit të njerëzimit, që sot ka fuqinë bërthamore për të shkatërruar jo vetëm shtëpinë tonë të përbashkët, por edhe vetë sistemin diellor.