Kuçovë, Panariti: Zhvillimi i bujqësisë, faktor kyç në rritjen ekonomike të vendit
Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, bashkë me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani, zhvilluan të premten një bashkëbisedim me banorë të komunave Lumas, Kozare dhe Perondi të kësaj zone.
Gjatë këtyre takimeve ministri Panariti tha se zhvillimi i bujqësisë do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e gjithë vendit. “Zhvillimi i vendit kalon nga bujqësia dhe ajo që unë shikoj me kënaqësi është që njerëzit po i rikthehen bujqësisë. Pavarësisht se kriza e fqinjëve tanë grekëve na dëmtoi në kuptimin që ranë të ardhurat që sjell emigracioni, pati një efekt të mirë që e kuptuam që toka nuk të tradhton kurrë, toka është aty, toka prodhon, të garanton një jetë dinjitoze dhe me pak mençuri dhe me mbështetjen e shtetit dhe të mekanizmave të tjerë, mund të të bëjë edhe të pasur”, tha Panariti.
Panariti theksoi se Shqipëria është në një moment historik, ku me ndarjen e re administrative territoriale, krijohen mundësi të reja zhvillimi. “Një bashki e cila do të ketë në administrimin e saj një territor shumë më të gjerë dhe njëkohësisht shumë më tepër mundësi edhe nga pikëpamja financiare, edhe nga pikëpamja e zhvillimit të projekteve, edhe nga pikëpamja e menaxhimit, e kontrollit, të aktiviteteve të bashkisë së re që përfshin edhe Perondinë, edhe Lumasin, edhe Kozarën, gjë që është një avantazh i padiskutueshëm në krahasim me mënyrën e deritanishme të qeverisjes së fragmentarizuar, gjë që nuk ka prodhuar ato rezultate që kishin pritshmëri banorët”, tha Panariti.
Më tej, teksa ka prezantuar kandidatin e majtë për bashkinë e Kuçovës, Panariti ka theksuar se Selfo Kapllani është njeriu i duhur për bashkinë e re të Kuçovës, e cila do të ketë në përbërje tashmë edhe Komunën Lumas.
“Jam i sigurt që ju do të votoni Selfon, në radhë të parë sepse është një votim i mençur. Të votosh një personalitet të tillë, me integritet, me përgatitjen e duhur, me njohjen e problemeve të zonës dhe që ka natyrisht vullnetin për të zbatuar të gjithë projektet që do të bëjnë të mundur transformimin e kësaj zone, do të ketë padyshim mbështetjen e pakursyer të qeverisë shqiptare dhe timen personale përsa i përket zhvillimit të prodhimeve të bujqësisë që do t’i japim fermerëve, Prandaj një nga sfidat tuaja me mbështetjen time do të jetë shoqata e fermerëve e cila do të bëjë të mundur pastaj krijimin e një zinxhiri vlerash, që fillon që nga shpërndarja e farave dhe plehrave kimike me kosto të ulët”, deklaroi Panariti.