Kujtimet edhe të një vere mashtruese
Nga Veton Surroi
Bota ndahet në Uruguai dhe ne
1.
Kjo javë e fundit e verës-sipas përllogaritjes tradicionale të kthimit masiv në shkollë e punë -di të sjellë një dozë melankolie, e kësaj ia shtoi gazetari dhe botuesi vojvodinas Robert Çoban kur në postimin e tij të Facebookut nxori ballinën e revistës beogradase “Vreme” me numrin tematik kushtuar verës së vitit 1990, pas së cilës asnjë gjë më nuk do të ishte e njëjtë për popujt e ish-Jugosllavisë. Çoban kërkoi nga miqtë e tij, sot së paku dyzetvjeçarë, që të tregonin se çka u kishte ndodhur atë verë, që revista e quajti mashtruese. U përgjigjën: njëri kishte punuar dhe fituar një mijë marka si programer kompjuterik, tjetra kishte shkuar për herë të parë në det me të dashurin e saj, njëri kishte filluar shërbimin ushtarak në pjesën maqedonase të kufirit mes Jugosllavisë e Shqipërisë, një tjetër kishte filluar rrugën e mërgimit… Postova edhe unë, diç që nuk bëj zakonisht, për të thënë se asokohe merresha me organizimin e rezistencës kundër pushtetit të Milosheviqit, që atë verë i vuri fund autonomisë së Kosovës, e Kosova i dha me Deklaratën e vet Kushtetuese fund idesë se do të ketë rrugë tjetër pos mëvetësisë së vendit. Dhe, po atë verë, shumica e familjeve kosovare, përfshi dhe timen, ishin në hall se si do ta siguronin ekzistencën pas përjashtimit nga puna.
Ballina e “Vremes” është përkujtues i mirë. Një, se jemi në një verë e cila do të ketë efekt të madh tronditës për të gjitha shoqëritë përreth nesh, s’do mend dhe në nivel botëror. Dhe dy, se për Kosovën, për dallim prej të tjerëve, kjo është një tronditje që nuk befason; shoqëria kosovare ka kohë që duket se nuk di të jetojë ndryshe pos si kapërcim prej një krize në krizën tjetër.
Para tridhjetë vjetësh, ndërsa Jugosllavia ende nuk besonte se mund të hynte në luftë, Kosova tashmë kishte përjetuar sundimin ushtarak-policor. Sot, ndërsa bota ballafaqohet me sfidën që COVID-19 u bën institucioneve të shtetit dhe shoqërive në tërësi, Kosova ka kohë që lëngon nga sëmundje të institucioneve të veta edhe pa koronavirus.
2.
Do të ketë qenë rastësi numrash, dhe koincidencë fatlume për vazhdimin e këtij shkrim, që viti i lindjes i një vartësi të pezmatuar të kryeministrit të Shqipërisë të jetë mu ai i ballinës së “Vremes”. Vartësi, i hidhëruar me një shkrim timin kritik për mungesën e aktivizimit të Shqipërisë në cilësinë e kryesueses së OSBE-së, më shpjegoi me tonin qortues të pushteteve të kësaj ane të vitit të tij të lindjes, çka është OSBE-ja, se si Shqipëria kishte ndalur luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, se si e tërë bota perëndimore e përkrahte Shqipërinë (pra jo domosdoshmërisht kryesuesen e OSBE-së kushdo të ishte) për veprimet e veta në Bjellorusi, dhe se Shqipëria kishte ministër të Jashtëm e se ai quhej z.Edi Rama.
Nuk kam paragjykim ndaj moshës dhe dëlirëve eventualë që ajo mund të prodhojë; nuk i kisha mbushur tridhjetë vjet kur merresha me organizimin e rezistencës ndaj Milosheviqit. Mund të kem paragjykim ndaj fjalorit qortues të pushtetit, aq më parë kur vartësit e rinj nuk mësojnë diçka të mirë prej shefave të tyre. Kryeministri është njeri i shkrimit – qoftë edhe i polemikës thumbuese – që zakonisht kërkon ritëm, figurë dhe përsosje të fjalisë; ndonëse nuk do të duhej të ishte obligim të mësohet prej tij, nuk do të ishte mëkat të bëhej një gjë e tillë.
Dhe, meqë jemi te kryeministri, përsëris, si bindje e jo batutë për provokim pezmi, se Shqipëria nuk ka ministër të Jashtëm. Ministri i Jashtëm është një person i cili i përkushtohet në tërësi politikës së jashtme të vendit-tash dhe kryesimit të OSBE-së, si dhe institucionit të cilin e drejton. Kryeministri Rama-ndonëse një njeri i cili e njeh botën-duhet sot të merret me tërmetin dhe koronavirusin, efektet ekonomike e sociale të të dyjave, menaxhimin e Qeverisë dhe resurseve njerëzore dhe me vendime të përditshme mikromenaxheriale që ia marrin ditën. Plus, me një krizë të legjitimitetit të pushtetit. Plus, me një reformë të çoroditur të drejtësisë që e ka lënë vendin edhe pa Gjykatë Kushtetuese. Plus me çkado që del në përditshmëri e që zakonisht del.
Po, kryeministri Edi Rama këtë të premte ka kryesuar në Vjenë mbledhjen e përjavshme të Këshillit të OSBE-së për krizën e Bjellorusisë, dhe mirë bën duke i dhënë staturë plotësuese. Por, javën e kaluar ministri i Jashtëm i Shqipërisë, në koordinim me kryeministrin, do të duhej të ishte takuar me prijësen e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, në Letoni. Aty do të konfirmonte përkrahjen për të drejtën e opozitës që të protestojë qetë dhe që, si në rastin e kandidates presidenciale, të mos frikësohet për jetën e të detyrohet të marrë rrugën e azilit. Më Minsk, ndërkaq, disa ditë më herët do të ishte gjendur i dërguari i veçantë, një diplomat shqiptar me bashkëpunëtorë nga vende të tjera me detyrë që të regjistronin gjendjen e të drejtave të njeriut, të demonstruesve të arrestuar dhe të rrahur nga policia.
3.
E, meqë jemi te udhëtimet, para tridhjetë vjetësh në Kosovë doli një aktivitet politik, i quajtur “lobim”, i cili menjëherë mori popullaritet të madh. Në fillim ishin një dyzinë njerëzish të prirë nga dr. Rugova, në mesin e të cilëve qëlloja jo rrallë edhe unë, që ftoheshin nëpër botë, apo organizonin vizita për të sensibilizuar opinionin e jashtëm me çështjen e Kosovës, dhe për të paraqitur fytyra të tjera, civile, të një vendi i cili jo vetëm se ishte okupuar prej Serbisë, por edhe ishte mbuluar me vite të propagandës antishqiptare.
Pas një kohe u bë modë dhe çdo aktivist i çdo nëndege të çdo subjekti politik kishte dëshirë të shkonte në “lobim”, dhe jo rrallë kjo dëshirë i përmbushej.
Tashmë në shtetin e Kosovës kjo puna e “lobimit” u shndërrua në institucion më vete, për aq sa një pjesë e konsiderueshme e buxheteve të ministrive i dedikohen këtij aktiviteti. Po të mos ishte COVID, këto buxhete tashmë do të ishin të harxhuara.
Udhëtimi në masë është shndërruar edhe në normalitet, si arsye më vete për marrjen e pushtetit. Por, mbi të gjitha është metafora e natyrës së pushtetit, që lexohet intensivisht këtë javë. Përderisa Kosova është bërë eksportuesi kryesor i koronavirusit në Gjermani, duke kryesuar listën e të infektuarve që hyjnë në atë vend, dhe me këtë dëshmojnë gjerësinë dramatike të infektimeve që ekziston në Kosovë, pushteti në vend shpenzon energjinë më të madhe te negociatat në Washington e Bruksel. Moment pas momenti, ditë pas dite e javë pas jave diskutohet se kush do të udhëtojë për në “lobimin” e radhës (negociatat në Washington e Bruksel) . Por moment pas momenti, ditë pas dite e javë pas jave nuk diskutohet se si do të bëhet me shkollat që duhet të fillojnë më 1 shtator. Për një çështje parësore, siç është shëndeti publik, pushteti qendror nuk ka përgjigje. Si as për shumicën e çështjeve të tjera të ekonomisë, arsimit e shëndetësisë.
Pushteti është për Washington e Bruksel. Me COVID të merren të tjerët.
4.
Uruguai tashmë ka vendosur që ta mbajë mend këtë vit të rëndë me një Memorial të Pandemisë, një vepër e arritur artistike e një grupi arkitektësh vendorë. Dhe, këtë po e bën, ndonëse është shteti i Amerikës Jugore që prej fillimit e ka vënë nën kontroll koronavirusin. Sot e me tre milionë banorë, Uruguai ka gjithsej 42 të vdekur ndaj 488 që i ka Kosova dhe gjashtë të infektuar të rinj krahasuar me 136 që ka Kosova.
Për ata që e përcjellin këtë shtet nuk duhej të ishte befasi. Prej vitesh ky shtet është në top listat e qeverisjes së mirë, përfshirë edhe atë të e-qeverisjes. Prej vitesh është shtet social i modeleve më të mira evropiane dhe kampion në zgjerimin e lirive personale.
Kur shpërthyen rastet e para të koronavirusit, shteti ndërmori masa imediate si shumë shtete të tjera gjithandej; prej mbylljes së kufijve për shtete me rrezikshmëri të lartë, testime intensive e deri te përdorimi i maskave. Një aplikacion i bërë nga vetë uruguaiasit është instaluar në mirëbesim në telefonat e qytetarëve të vendit dhe sinjalizon afërsinë e një të infektuari.
“Kohezion social dhe besim publik”, thonë shkencëtarët politikë. Qytetarët u besojnë shoqërisë dhe institucioneve të shtetit. Historia e kësaj ndërmarrjeje nuk është e vjetër. Filloi më 1985, kur vendi doli nga diktatura civile-ushtarake dhe filloi demokracia. Të burgosurit dhe burgosësit e tyre u amnistuan, me referendum popullor. Të burgosurit, disa prej të cilëve kishin luftuar me armë në dorë dhe pësuar vite të tëra torturash e izolimesh, tashmë në liri vendosën që do të punonin për të mirën e përgjithshme. Populli u besoi. Njëri prej tyre, me stazh burgu pesëmbëdhjetëvjeçar, u bë president. Quhet Jose “Pepe” Mujica dhe ditën që mori mandatin presidencial u nis së bashku me gruan e tij me “Volkswagenin” e tij “breshkë”, nga ferma e tij e vogël për në Pallatin presidencial. Me ta përfunduar mandatin e bëri rrugën e njëjtë, me makinën e njëjtë dhe me dashurinë e njëjtë të jetës e përpjekjes së tij revolucionare.
Në vitin 2030 ndoshta do të mbajmë mend se si bota në verën e koronavirusit u nda thjesht në shtete e popuj që kishin besim në shoqëritë e shtetet e tyre dhe në ato që nuk kishin./koha.net/