Kuko: Vizita e Merkel, vëmendje e Gjermanisë në Ballkan
Artur Kuko, ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, në një intervistë telefonike për Top-Channel shprehet se vizita e kancelares Angela Merkel në Tiranë merr një rëndësi të posaçme pasi e risjell edhe njëherë tjetër Shqipërinë në vëmendjen e Europës.
“Kjo është vizita e parë e një kancelareje gjermane në Shqipëri pas asaj të kancelarit Schroeder në 1999 dhe në këtë prizëm mund të konsiderohet si një vizitë historike. Është një vizitë që e sjell Shqipërinë në qëndër të vëmendjes së opinionit europian, pavarësisht zhvillimeve të tjera që kanë marrë dhe do të vijojnë të marrin vëmëndje për zhvillimet jashtë Shqipërisë. Është një vizitë që tregon vëmendjen që i kushton Gjermania Federale jo vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaron Kuko.
Zoti ambasador, çfarë synon të arrijë kancelarja Merkel me këtë vizitë në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon?
Artur Kuko: Përsa i përket Shqipërisë është një vizitë në kërkim të promovimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale midis vendit tonë dhe Republikës Federale Gjermane. Gjithashtu është një vizitë që synon t’i shtyjë këto marrëdhënie në një nivel më të lartë, si në aspektin politiko-diplomatik, ashtu edhe në atë ekonomik. Përsa i përket rajonit, vlerat janë sigurisht të shumëfishta pasi është një vizitë në ndjekje të procesit të Berlinit që filloi vitin e kaluar me konferencën e mbajtur atje me ftesë të kancelares Merkel. Është një vizitë që synon të konsolidojë marrëdhëniet gjithnjë e më konstruktive që po ndërtohen në rajon dhe që në një lloj mënyre synon të përgatisë pritshmëritë e rajonit nga vijimi i procesit të Berlinit në Konferencën e Vienës.
Ambasadori Kuko mendon se nuk kemi një interes të shtuar të kohëve të fundit nga Gjermania për rajonin. Ai i shikon qëndrimet e Gjermanisë, përfshirë këtë vizitë të Merkel në rajon, si vijimin e politikës dhe prezëncës gjermane në Ballkanin Perëndimimor.
“Nuk do të thosha që është një interesim i shtuar. Unë do ta quaja një interesim të natyrshëm. Gjermania ka patur tradicionalisht një vështrim që e konsideronte Ballkanin Perëndimor si një rajon me interes, si pjesë të Europës dhe natyrisht me interes të Gjermanisë. Për këtë arsye unë do t’ju përmendja praninë e Gjermanisë në operacionet paqeruajtëse, siç ka qenë ai i ESFOR-it në Bosnje, KFOR-it në Kosovë, përfshirë praninë ekonomike të Gjermanisë me ndihma të jashtëzakonshme. Vetëm në rastin e Shqipërisë, gjatë 25 viteve të fundit kontributi gjerman i kalon 1 miliard eurot. Pra është një zhvillim i natyrshëm i politkës gjermane ndaj rajonit. Natyrisht që në këtë prizëm duhen parë edhe zhvillimet rreth e përqark rajonit, siç është kriza për aneksimin e Krimesë, apo rritja e ekstremizmit në vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme”, nënvizon Kuko.
Diplomati shqiptar në Berlin mendon se zhvillimet më të fundit në Greqi, me referendumin dhe ato që e pasuan atë, nuk do ketë asnjë ndikim në vizitën e gruas së hekurt të Europës në rajonin tonë.
“Fakti që kancelarja e ruajti programin e saj të vizitës në rajon përkundrejt zhvillimeve në Greqi flet vetë dhe besoj se nuk ka nevojë për komente të mëtejshme”, thekson Kuko.