Arte

Kultura “nuk të jep bukë”

Nga Mira Tuci

Toka shqiptare gjallon prej një talenti artistik në një shpërpjesëtim real me vlerësimin dhe shfrytëzimin e kësaj bujarie të Zotit apo të gjenit … pagëzojeni si të dëshironi. Vokale me timbrikë të spikatur, profesionistë që bëjnë të ndihen të magjepsur artistë me renome botërore për nga prurja e ideve apo gjetjeve dhe ne të tulatur brenda oborrit të vogël, në të cilin na është lejuar të jetojmë si shqiptarë, me të gjitha ngarkesat e dyfishta që mbart emërtimi i tillë. Në përvojën time si gazetare kulture kam takuar aq shumë talente shqiptare sa gjithëherë kam artikuluar me zë të lartë përsiatjen: “është toka që i prodhon, se shteti nuk bën asgjë për to”. Mungon menaxhimi i talenteve apo këta njerëz gjithë potenciale përcaktohen si shumë “të bukur” për të gjetur sukses dhe mbijetuar në një vend ku bukuria dhe talenti nuk janë cilësitë që të bëjnë të suksesshëm! Besoj që të dyja qëndrojnë.

Mjaft të hedhësh një sy të përciptë në panoramën sidomos të teatrove prestigjiozë në të gjithë Europën e të kuptosh që resurset artistike të tyre gëlojnë nga shkëlqimi me origjinë shqiptare. Violinistë, pianistë, balerinë, soprano, tenorë janë krenaria jonë sa herë muri virtual i tallavasë politike lejon që të hyjë në të përditshmen tonë diçka nga rrezja e sukseseve të tyre. Por a mjafton që të jenë thjesht krenari apo maksimumi do t’i shfrytëzojmë ata për të bërë një selfie kur Tirana të përfshihet në turin e tyre falë dashurisë pa kushte që ata kanë për Shqipërinë e jo sepse vendimmarrësve u qan zemra për kulturën. Më shumë se në një rast vetmitar, artistët shqiptarë vijnë dhe japin talentin, kontributin dhe përvojën e tyre tërësisht falas dhe vendimmarrësit e politikës (të çfarëdo krahu qofshin) vrapojnë të marrin meritat dhe “të vjedhin” nga duartrokitjet që publiku rezervon për talentin dhe pasionin e artistëve.

Shqipëria është vend i vogël, nuk do të jetë kurrë vendi i industrisë së rëndë, as turizmit masiv. Por cili është produkti me të cilin jemi konkurrues dhe kjo pa asnjë organizim apo strategji deri më tani (për talentet shqiptare ka menduar vetëm Zoti dhe këmbëngulja e tyre titanike, për të treguar se ia dalin) shteti shqiptar nuk ka investuar asnjë qindarkë. Por edhe duke pasur një produkt të shkëlqyer, personalitete që dyert e rënda të kulturës dhe artit europian i kanë çelur me supet e tyre të brishta, ne vijojmë të jemi kaotikë dhe të mos mendojmë ta kthejmë këtë energji në avantazhin e një populli të nëpërkëmbur, të një shteti të nënvlerësuar vazhdimisht në imazhin global.

Burimi njerëzor dhe sidomos ai me profil kulturor është pasuri për të cilën vendet e zhvilluara përcaktojnë politika afatgjata dhe studime që shtrihen në dekada financimi për të pasur feedback-un e duhur në imazh dhe për pasojë edhe në ekonomi.

Po, është e vërtetë ajo që sapo lexuat dhe autorja e këtij shkrimi nuk është çartur. Për vite të tëra ne kemi nënçmuar kulturën, artin, sportin, njerëzit e tyre të pasionuar dhe gjithçka lidhur me to … tashmë është aksiomë mendësia “se me kulturën nuk ha bukë”. Po, mund të jetë i vërtetë edhe ky këndvështrim, përderisa nuk ka një kanalizim të të gjithë energjisë dhe potencialit njerëzor dhe artistik aty ku duhet. Vitin e kaluar buxheti i shtetit kishte parashikuar 2.6 miliardë lekë për kulturën, diçka më pak se 0.03% e totalit. Këtë vit doli shkurti, hyri marsi nuk ka asnjë pasqyrim të financimit të kulturës, jo në panoramën totale të ndarjes së zërave të paktën.

Po të pyesësh titullarët e institucioneve kulturore kanë madje frikë të thonë shifrën qesharake me të cilën pretendohet të mbajnë gjallë frymën, produksionet artistike të një viti. Ndërkohë që po t’u referohesh statistikave të vendeve të zhvilluara, kupton se kultura tashmë nuk është thjesht jetimi i vogël që zë vend në fundin e zërave të buxhetit, por është përkundrazi më lart se industria e luksit dhe automobilave. Më saktësisht, kultura në Francë (sipas statistikave të vitit 2014) ka kontribuuar në pasurimin kombëtar shtatë herë më tepër sesa tregu i makinave: vlera e saj vjetore ka qenë në fakt 58 miliardë euro, ndërsa ajo e tregut të makinave nuk i kalonte 8.6 miliardët.

Dhe në ofrimin e këtij produkti që vlen kaq shumë, kanë dhënë kontribut dhe artistët shqiptarë … mjaft të kujtojmë emra si Anri Sala në artin kontemporan (i cili përfaqësonte Francën dhe jo Shqipërinë në Bienalen e Venecias në 2013) apo premierat e operave ku protagonistë janë këngëtarët lirikë Ermonela Jaho, Inva Mula, Saimir Pirgu, biletat për të cilat janë sold out (të shitura) sapo publikohet kalendari artistik.

Nëse ende nuk jeni të bindur për këto shifra, kultura në Francë e tejkalon dy herë industrinë gjigante të telekomunikacionit (25.5 miliardë euro) dhe i afrohet kontributit të sektorit bujqësor dhe ushqimor (60.4 miliardë).

Studimi francez i asaj kohe evidenton analizën e zhanreve të artit të spektaklit, trashëgimisë, artet pamore, botimet, librat, transmetimet televizive, reklama, arkitektura, kinemaja dhe industria audiovizive dhe në përgjithësi “aksesi në dije dhe kulturë” (pra, biblioteka dhe arkiva). Po sipas këtij studimi, “të punësuarit në sektorin e kulturës” në Francë janë 670 mijë persona, ose 2,5% e punësimit total në Francë. Por edhe ndërhyrja e shtetit francez në sektorin e kulturës dhe komunikimit ka qenë masiv: plot 13 miliardë e 900 milionë euro. Ndërsa sektori audioviziv është ai që merr mbështetjen më të madhe nga ana e shtetit (5,5 miliardë dollarë).

Sigurisht, përballë këtyre shifrave ndihesh i pafuqishëm dhe thjesht buzëqesh me dhembje kur mendon financimin prej diçkaje më shumë se 500 mijë eurosh që shteti shqiptar i rezervon në harkun kohor të një viti të njëjtit sektor, kinemasë dhe festivaleve.

Franca është një nga vendet më të fuqishme të Bashkimit Europian pas Gjermanisë dhe kuti krahasues me të thjesht nuk qëndron, por a mundet ta kemi si model? A mundet që përpjekjet personale të artistëve, të cilët kanë arritur suksesin në skenat europiane t’i shfrytëzojmë me një strategji të qartë dhe jo të improvizojmë keq, kinse po përmirësojmë imazhin e Shqipërisë!

Të fuqizosh artin, ta financosh atë, do të thotë të shohësh dhe të projektosh të nesërmen e një kombi. Dhe të mos tingëllosh qesharak kur i referohesh historisë së ndritur të paraardhësve kur ti nuk bën asgjë për të ruajtur dhe zhvilluar të tashmen e artistëve të tu … përndryshe ata largohen në kërkim të suksesit dhe ëndrrës së tyre, duke e lënë skenën dhe agorën tonë të vogël gjithnjë e më të varfër dhe të pambrojtur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button