Kur civilizimet përplasen në oborrin tënd
Nga Fadil Lepaja
Derisa po i peshoja argumentet për këtë temë, e cila pas humbjes në Elbasan na erdhi edhe më e hidhur, po lexoja një barsoletë politike, në portalet serbe, e cila ka të bëjë me fjalimin e një Kryeministri të ri serb, i cili sipas zakonit të vjetër po e shante qeverinë e kaluar. Kah po shkon Serbia? Drejt Europës apo drejt humnerës? Çfarë do të mbajnë në sqetull, pas pesë vitesh qeveritarët e atëhershëm serbë: një kushtetutë moderne serbe, pa Kosovën në të apo “Kodin e Car Dushanit”?
“Qeveria e kaluar na solli buzë humnerës, po shante Kryeministri serb, ndërsa unë ju premtoj se me qeverisjen tonë, vendi do të bëjë një hap të madh përpara …”! Edhe pse e nisëm me barsoletë, dilema është krejtësisht reale. Do të bëjnë hapin përpara qeveritarët serbë apo do të bëjnë prapakthehu?
Përgjigjja në këtë pyetje është shumë e rëndësishme. Me të do e kuptojmë atë që do të ndodhë në Ballkan në pesë vitet e ardhshme: luftë apo marrëveshje historike shqiptaro-serbe?
Teoritë e konspiracionit parashikojnë edhe një luftë të re, ballkanike, më së largu deri në vitin 2018, e cila ndërlidhet me shpërbërjen e Europës, ringjalljen serbe dhe me rikthimin e “ariut rus” në Ballkan, e cila për ata duket krejtësisht e besueshme pas rikonsolidimit ushtarak dhe politik në Siri. Pra, ëndrra mesjetare serbe ka për personazh Putinin!
Nuk ka asnjë dyshim se në Siri, krejtësisht papërgjegjshëm, u krijua një kaos, nga i cili po rrezikon të dalë nga kontrolli përmes një shteti mesjetar islamik dhe përmes një vale të pakontrolluar të zhvendosjes së popullsisë drejt Europës. Një “vrimë e zezë” kërcënon të fillojë vorbullën, e cila mund të gëlltisë gjithçka në një radius aq të gjerë saqë i rrezikon edhe koniunkturat e baraspeshuara për disa shekuj të civilizimeve, në të tria kontinentet e lidhura nyje, në Bosfor dhe në Suez.
Idetë se pas baraspeshës së rikrijuar atje, për të ndalur hovin e Shtetit Islamik dhe të ringjalljes së “Perandorisë së re Osmane” në territoret që dikur i kontrollonte ajo, duhet rikrijuar një balancë e tillë edhe në Ballkan po marrin hov në Serbi dhe Rusi.
“Dominimi rus apo një luftë e re Ballkanike, do të ndodhë”, thonë analistët serbë! Kjo fushatë, e cila po shoqërohet me një retorikë të sforcuar të patriarkut ortodoks serb, i cili sërish ka filluar të përmendë luftën si opsion, po merr hov përkundër deklarimit të matur të SANU (Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve), të cilët po flasin përmes gojës së kryeakademikut serb për një tërheqje dinjitoze të shtetit serb nga Kosova.
Beteja më e re, ajo rreth kërkesës që Kosova të pranohet në UNESCO, kësaj radhe formalisht e “fituar” nga Serbia, mund të jetë pikë kthese, pikë shprese për serbët se koniunktura ruse/siriane, mund të ndërtohet edhe në Ballkan, kësaj radhe mbi flatrat e pansllavizmit rus, të cilët vazhdimisht e kërcënojnë BE-në me krizë energjetike apo me rrezikun islamik.
Derisa beteja serbe për ruajtjen e “trashëgimisë kulturore serbe” në Kosovë, ishte konceptuar thjesht dhe po kërcënonin të prishin krejt marrëveshjet e arritura deri më tash, çka i shqetësoi seriozisht euro-perëndimorët, “beteja” kosovare përpos se ishte konfuze bazohej kryesisht në angazhimin perëndimor për qëllimet kosovare. Edhe diplomacia kosovare, po shëtiste, metropoleve europiane, dhe natyrisht përpiqej të mos prishte punë.
Derisa në Serbi e kanë veç një hall me trashëgiminë kulturore në Kosovë, duke pohuar se ata i ndërtuan dhe atyre u takojnë dy manastiret dhe disa kisha mesjetare, e rrjedhimisht kërkojnë që përkujdesja ndaj tyre të jetë përgjegjësi e shtetit serb dhe serbëve në përgjithësi, shqiptarët dhe Kosova vetë, kanë halle më të mëdha:
Trashëgimia kulturore, në Kosovë, nuk fillon e as nuk përfundon me Serbinë mesjetare, as me objektet e ngritura nga carët serbë, në shekujt XII-XII në përpjekje për të luftuar “Herezinë Latine” si është zyrtarizuar në “Kodin e Stefan Dushanit”. Ky “Kod” zyrtarizonte luftën e carëve mesjetarë serbë dhe kishës autoqefale “pravosllave” serbe kundër katolicizmit, duke i konvertuar me dhunë banorët me fe katolike dhe ortodokse-bizantine në atë “pravosllave”, duke djegur kishat katolike mbi themelet e të cilave ndërtoi këto që i pretendojnë tani pasardhësit e tyre, duke zhvilluar kështu një “luftë të shenjtë”, e cila zgjati deri me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, që pastaj, si e do rendi, e “prodhuan trashëgiminë e tyre kulturore”, për të cilën, nëse bazohemi në logjikën e kishës pravosllave serbe, edhe ata kanë të drejtë të pretendojnë. Madje Turqia e sotme, nëse ndjekim logjikën mesjetare serbe, ka të drejtë të pretendojë “të kujdeset” për xhamitë dhe teqetë nëpër Serbi, sepse ata i ndërtuan ato, përfshi këtu edhe Beogradin dhe qytetet kryesore serbe.
Por historia mesjetare nuk është synim i këtij shkrimi, edhe pse as në analizën e proceseve bashkëkohore nuk mund t’i ikim faktit se disa perandori të mëdha, si ajo romake, bizantine dhe osmane “kaluan” këndej, u shtruan këmbëkryq këtu për shumë shekuj, ndërtuan objekte fetare, institucionesh apo kulturore, kështu “prodhuan” atë që e quajmë dhe mbetet padyshim pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, por edhe asaj botërore.
Pas dominimit romak, erdhi ai bizantin, pastaj për dy shekuj kemi dominimin mesjetar serb, pason ai osman e kështu me radhë. Ky dominim i perandorive dhe fuqive të kohës “solli” objekte të tjera e kulturë tjetër dhe secila me shpatë përhapi fjalën e “zotit” të tyre, konvertoi popullsinë lokale në besimin e vet dhe objektet fetare që i gjetën, në emër të “zotit” të ri, shpesh i dogjën apo me raste edhe i përshtatën. Shembull më i njohur i përshtatjes është ai kur një nga kishat më monumentale në kryeqendrën e ish-Perandorisë Bizantine, në Kostandinopojë, pas pushtimit osman, u bë me minare dhe sot është një xhami monumentale, shumë e famshme në përmasa globale. Kështu pretendohet të jenë ndërtuar apo përshtatur edhe shumë nga kishat apo manastiret mesjetare serbe. Pra, “trashëgimi kulturore” e kujt është “Shën Sofia”?
Përpjekja serbe për të rikthyer dominimin në rajon përmes krijimit të krizave, përmes ringjalljes së ambicieve të tyre pravosllave dhe rikthimit rus në regjion, po e rrezikojnë krejt çka është arritur në 20-30 vitet e fundit dhe kjo nuk mund të ndodhë pa një konflikt të ri përmasash të rrezikshme jo vetëm për vendet e regjionit, por edhe më gjerë. Bashkë me mitet mesjetare serbe, në çarqet konspirative kanë rifilluar të përmenden edhe historitë e dy luftërave botërore, të cilat, përsëri, sipas konspiracionistëve serbë filluan pikërisht këtu dhe për shkak se serbët nuk e pranuan imponimin e Europës! “Golgota shqiptare” dhe “Beteja e Kosovës” mbeten karburanti kryesor ideologjik i ringjalljes së pretenduar serbe.
A është lufta serbe për “trashëgiminë kulturore serbe” në Kosovë, fillimi i një lufte të re si po e paralajmëron dhe si kërcënon patriarku serb, dhe konspiracionistët e tjerë serbë apo është vetëm fundi i ëndrrës mesjetare serbe për Kosovën dhe “ardhjen ruse në Ballkan”, kjo mbetet të shihet?!
Sidoqoftë, votimi i fundit në UNESCO, ku për tri vota, të cilat nuk dihet saktë se të kujt ishin, Kosova nuk u pranua në këtë organizatë, më tepër dëshmon për “matematikën” e pafavorshme, globale, për Perëndimin, që konsiderohen gjerësisht si “sponsor” i pavarësisë së Kosovës, sesa të vetë Kosovës, e cila në fund të fundit, e ndodhur në mes të një “përplasjeje të civilizimeve” në oborrin e saj të vogël, vështirë se mund të bëjë diçka më shumë sesa bëri, e aq më pak mbetet opsion “t’ia mbathë” ndokund!