Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel
“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
BE-ja i ka shmangur përgjigjet në pyetjet e gazetarëve rreth shkeljes së mundshme të marrëveshjes që ka bërë Serbia, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
BE-ja vetëm ka përsëritur se palët “duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që keqësojnë situatën dhe atmosferën për përparimin e dialogut“.
“Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për t’i zbatuar obligimet”, ka thënë Stano.
Marrëveshja Bazë nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Ajo, po ashtu, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.
Marrëveshja, e cila është njohur më herët edhe si propozimi evropian, ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar javën e kaluar edhe me Kurtin, edhe me Vuçiçin në lidhje me takimin e sotëm dhe ka shfaqur shpresën se palët do të jenë konstruktive.