Kurti pezullon nga detyra Hysen Muzliukajn, drejtorin e Institutit të Kosovës për Administratë Publike
Vendimi vjen pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare; pezullimi zgjat deri në përfundimin e plotë të procedurës penale, me 50 për qind të pagës.
Kryeministri Albin Kurti ka pezulluar nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukaj, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare.
Vendimi, i publikuar në Gazetën Zyrtare (nr. 26/022, datë 25.09.2026), parashikon që pezullimi të zgjasë deri në përfundimin e plotë të procedurës penale, ndërsa gjatë kësaj periudhe Muzliukaj do të përfitojë 50 për qind të pagës së plotë. Ai e ushtronte këtë pozitë që nga emërimi më 1 gusht 2025.
Muzliukaj është i njohur si ish-këshilltar politik i ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe ish-drejtor komunal në Mitrovicë gjatë mandatit të Agim Bahtirit.
Në korrik 2023 ai ishte arrestuar nga Prokuroria Speciale, së bashku me ish-nënkryetarin e Mitrovicës, Faruk Mujka, dhe u lirua një ditë më vonë për t’u mbrojtur në liri.
Sipas aktakuzës, Muzliukaj, në cilësinë e ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.
Burimi: KosovaPress — https://kosovapress.com/kurti-e-pezullon-nga-detyra-zyrtarin-hysen-muzliukajn-ka-aktakuze-per-keqperdorim-te-detyres



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.