“Kurti po ua luan lojën LDK-së dhe PDK-së” – Gjini: Aleanca nuk lëviz nga kursi i saj
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka zbuluar prapaskenat e zhvillimeve të fundit politike në vend, duke bërë të ditur se ka pranuar një mesazh nga kryeministri Albin Kurti për një takim rreth “veprimeve strategjike”, por të cilin e konsideron si një lojë të pastër politike për të fajësuar opozitën.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gjini deklaroi se nuk sheh asnjë sinqeritet në këtë ftesë dhe theksoi se fati i zgjedhjeve ka mbetur vetëm në duart e kreut të qeverisë, i cili sipas tij po provon të manipulojë me partitë opozitare.
“E kam marrë një SMS ku më është kërkuar për me u taku me fol për veprime strategjike. Nuk shoh fare as sinqeritet, as qëllim të mirë, kurrgjë nuk shoh, është lojë me mbërri deri te fajësimi.
Aleancën nuk mundet me fajësu, sepse në këtë fazë paradoksalisht na nuk jemi as ata që i shpallim zgjedhjet, as ata që i ndalin zgjedhjet. Ne nuk jemi fuqi që i përcakton zgjedhjet, po të paktën nuk pranojmë me lëvizë prej kursit tonë.
Në dorë të një njeriut ka mbetur. Po më vjen keq me e thanë, po nganjëherë po ua luan lojën. LDK-së ja ka luajtur lojën, PDK-së po provon të ua luaj. S’po shpiki kurgjë, nuk e ka qëllimin e mirë me asnjë nga partitë opozitare. Po do me shku në zgjedhje prap”, u shpreh Gjini.
Gjatë intervistës, kreu i Aleancës sqaroi edhe pozicionin e partisë së tij rreth postit të kreut të shtetit, duke potencuar se kjo çështje nuk është një kushtëzim nga ana e tyre.
“Nuk e kemi kusht Ramush Haradinajn si president. Nuk është kushtëzim as i Ramush Haradinajt as i Aleancës. Nuk jemi tu e lyp me çdo çmim këtë çështje. E kemi bo me dije më herët”, sqaroi ai.
Gjini u ndal edhe te procesi i Gjykatës Speciale në Hagë dhe ligji i ri, duke zbuluar se është takuar dhjetë ditë më parë me kryetarin Bedri Hamza, të cilit i ka premtuar mbështetjen e Aleancës për votim, përkundër faktit që si parti historikisht kanë qenë kundër formimit të kësaj gjykate.
“Ne në Aleancë kemi vendos me qenë 100% korrekt në këtë proces, për shkak të kaluarës tonë, jemi ballafaquar me situata të ngjashme kur Ramush Haradinaj ka qenë dy herë në Hagë. E kuptojmë si proces jetik për shumë elemente të të ardhmes së Kosovës.
Unë jam takuar me kryetarin Bedri Hamza para 10 ditësh, para se me ardh ideja për ligjin edhe i kam thanë që e votojmë, edhe pse për ne është situatë interesante me i thënë për shkak që Aleanca nuk e ka votuar Gjykatën Speciale, ne nuk kemi dashtë fare me u votu kjo Gjykatë.
Mirëpo, i kam thënë që ne e mbështesim, edhe pse për ne kish qenë dashtë me e zhbë krejt. I kuptojmë implikimet. Këto janë rrethanat”, përfundoi kryetari i Aleancës, Ardian Gjini.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.