Kush do të përgjigjet nëse ndërtimi i minindërtesave në Vodno shkakton një tragjedi si ajo e Koçanit?
Fokus: Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim prej më shumë se 20 ditësh nuk përgjigjet nëse plani i detajuar urbanistik 'Barutana' për 24 minindërtesa në zonën pyjore të Vodnos paraqet rrezik sigurie.
Redaksia e portalit “Fokus” prej më shumë se 20 ditësh është në pritje të një përgjigjeje nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DZS) për pyetjen nëse ndërtimi i 24 minindërtesave të reja në pjesën pyjore të Vodnos, siç parashikon versioni fillestar i planit të detajuar urbanistik “Barutana”, mund të shkaktojë pasoja serioze për sigurinë. Kritikët paralajmërojnë se rreziku nuk i përket vetëm banorëve përreth, por të gjithë shkupjanëve, sepse zona është shpallur erozive.
Shtëpia planifikuese që po përgatit DUP-in, me porosi të kompanisë pronare të tokës, ka disa muaj që pret ndonjë përgjigje nga DZS, por heshtja vazhdon. Në fakt, mungesa e një përgjigjeje funksionon si vizë për vazhdimin e procedurës, sepse rregullorja parashikon ndërprerjen e saj vetëm në rast të një mendimi negativ. Pyetja kyçe që shtrohet është thelbësore: a i liron heshtja zyrtarët e DZS-së nga përgjegjësia e mundshme në të ardhmen?
Jana Belçeva nga iniciativa “Shansa për Qendrën” ka paralajmëruar se në Vodno mund të përsëritet ajo që ndodhi në Koçani, pikërisht për shkak të mbylljes së syve nga organet kompetente, mes tyre edhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Nga ana tjetër, profesori universitar Miroslav Grçev sqaron se mosprononcimi i një institucioni nuk e ndal procesin e miratimit të DUP-it, por nëse gjatë zbatimit të planit lindin pasoja të padëshiruara, përgjegjësinë do ta mbajë institucioni që ka heshtur dhe nuk është prononcuar.
Paralajmërimet për rrezikun e erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës nuk janë të reja dhe figurojnë edhe në dokumente zyrtare. Plani lokal i Komunës Qendër për energji dhe klimë konstaton se presioni i urbanizimit në shpatet e Vodnos mund të aktivizojë erozionin dhe rrëshqitjet e fjetura të tokës, duke e kthyer zonën në një kërcënim të vazhdueshëm për kryeqytetin.
I pyetur për këtë heshtje, drejtori i DZS-së Stojançe Angellov u shpreh: “A do të thotë kjo që një ditë, kur të dal në pension dhe të harroj se kam qenë drejtor i DZS-së, nëse ndodh ndonjë tragjedi, dikush duhet të më arrestojë mua?”
Burimi: Fokus



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.