Gjykimi ndaj Teuta Arifit në Tetovë: dëshmuan katër të angazhuar me kontrata dhe tre revizorë, seanca e radhës më 1 dhjetor
Ish-kryetarja e Komunës së Tetovës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm rreth një milion euro në buxhetin komunal; pas seancës ajo u deklarua plotësisht e pafajshme.
Procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka vazhduar sot në Gjykatën Themelore në Tetovë, siç njofton INA. Në seancën e sotme dëshmuan katër persona të angazhuar dikur me kontrata në vepër në sektorë të ndryshëm komunalë, si dhe tre revizorët e brendshëm të komunës.
Sipas aktakuzës së ngritur pas kallëzimit nga Komuna e Tetovës, Arifi dyshohet se ka dëmtuar buxhetin komunal për rreth një milion euro përmes lidhjes së 546 kontratave në vepër.
Revizorët e brendshëm deklaruan gjatë marrjes në pyetje nga prokurori publik dhe avokatët mbrojtës se kontrolli është bërë me kërkesë të kryetarit aktual, Bilall Kasami, në periudhën janar–mars 2022, dhe konfirmuan se angazhimet janë bërë direkt nga komuna dhe jo përmes ndonjë agjencie. Mbrojtja ndërhyri me pyetje të kryqëzuara nëse të angazhuarit me kontratë në vepër kanë pasur obligim ligjor të kenë vend të saktë dhe orar fiks të punës.
Pas përfundimit të seancës, Arifi u deklarua plotësisht e pafajshme. Ajo tha se nuk ka bërë asnjë gabim me tendencë, se ka tentuar gjithnjë të jetë ndihmesë e qytetarit, se kallëzimi penal vjen nga kryetari aktual i komunës, dhe e cilësoi si të ulët që qytetarët që kanë kryer punë tërhiqen nëpër gjykata. Ajo tha se beson në integritetin e drejtësisë.
Gjykatësi i lëndës, Rexhep Musa, caktoi seancën e radhës për më 1 dhjetor në orën 10:00, ku pritet të lexohen provat materiale dhe të dëgjohen një dëshmitar dhe një ekspert.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.