Ekonomia

Kush janë 50 VIP-at e biznesit shqiptar për vitin 2013-të

sipermarresCilat janë 50 kompanitë më të mëdha sipas xhiros. Daljet dhe hyrjet e reja. Të gjitha ndryshimet në vitin e vështirë 2013

Nga Ornela Liperi

Me një rritje prej vetëm 0.4%, më e ulëta që nga 1997-a, viti 2013 ka qenë pa dyshim mjaft i vështirë për biznesin. Të dobësuara nga viti i pestë radhazi i krizës së pas 2008-s, të shqetësuara për një konfliktualitet ekstrem të politikës, i cili kulmoi në zgjedhjet e 2013-s, sipërmarrjet shqiptare po përpiqen me të gjitha format të mbijetojnë, të përshtaten dhe të sofistikohen dhe të konkurrojnë në një treg që nuk do të jetë më i njëjti. Dhe të mëdhatë duket se ia kanë dalë sërish mbanë, teksa në vite kanë arritur të ngrenë infrastrukturën e duhur, të investojnë në teknologji e menaxhim dhe të shfrytëzojnë ekonominë e shkallës, që i ka bërë më rezistente ndaj krizës, në raport me të voglat. Një pjesë e madhe e tyre rezultojnë me rritje dyshifrore të qarkullimit vjetor. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” nga bilancet e 100 kompanive më të mëdha, xhiro e tyre në total është rritur me rreth 7%, e udhëhequr nga gjigantët e naftës. Ritmet e rritjes së 100 VIP-ave janë ngadalësuar në raport me vitet e mëparshme, duke qenë më të ulëtat, që nga 2008-a, kur “Monitor” disponon të dhënat krahasuese. Ka kompani që nuk i kanë rezistuar presionit të tregut, krizës e konkurrencës, duke parë rënien e të ardhurave e daljen nga lista e 100 të mëdhenjve. Të tjera janë zgjeruar me ritme dyshifrore, duke fituar një pozicion tek 100 VIP-at (shiko nën-ndarjen hyrje daljet nga lista e VIP-ave). Në një vit, kur u ndërruan pushtetet pas dy mandatesh të qeverisura nga të djathtët, nuk kanë munguar as surprizat me daljet nga tregu apo rënien e thellë të disa sipërmarrjeve, që kishin lulëzuar gjatë kësaj periudhe. “Monitor” sjell renditjen e 100 kompanive më të mëdha për vitin 2013, hartuar në bazë të të dhënave të bilanceve, që na janë vënë në dispozicion nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR).

10 më të mëdhatë

I pari është Bankers Petroleum, që vijon të ruajë kryesimin prej dy vitesh, me një qarkullim vjetor prej rreth 484 milionë eurosh, i ndjekur nga operatori kryesor në tregtimin e naftës, Kastrati, që dhe ai nuk po njeh ndalje në rritjen e xhiros së realizuar, për të arritur në 457 milionë euro në vitin 2013.
Në vend të tretë është ish-CEZ Shpërndarje, sot Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE), që me gjithë problematikën e viteve të fundit dhe kalimin e sforcuar të pronësisë që ndodhi gjatë 2013-s, arrin të ketë këtë pozicion të mirë në renditje, duke qarkulluar 269.3 milionë euro.
E katërta është Banka Kombëtare Tregtare, e cila që në 2012-n, kaloi në institucionin financiar më të madh në vend për të ardhurat, ndërsa në fund të gjashtëmujorit të parë 2014 u bë dhe më e madhja në vend sipas aktiveve. Për vitin 2013, ajo kishte një qarkullim vjetor prej 255.5 milionë eurosh.
Të katër vendet e para nuk kanë asnjë ndryshim nga viti i kaluar.
Në vend të pestë është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila, ndonëse në një situatë tepër problematike likuiditeti, rrit pozicionin e saj në listë, duke mbajtur një nivel të lartë faturimi, prej 209.6 milionë eurosh.
Ajo ndiqet nga Kurum, që është ngjitur në pozicionin e gjashtë, nga i teti që ishte në 2012-n, edhe pse nuk ka arritur të rrisë xhiron në vitin 2013, që ishte në nivelin e 176 milionë eurove.
Një tjetër sipërmarrje nafte, si edhe Kastrati, aktive në tregtimin me shumicë e pakicë të naftës, Europetrol Durrës Albania, pozicionohet në vendin e shtatë, me një xhiro prej 161.2 milionë eurosh.
Në vendin e tetë është Raiffeisen Bank, e cila vijon në strategjinë e grupit Raiffeisen International për një ulje të pilotuar të madhësisë së saj në vendet e Lindjes, duke qarkulluar në filialin e saj në Shqipëri rreth 147 milionë euro.
Sipërmarrja e nëntë më e madhe në vend është Vodafone, e cila, me një xhiro prej 131.8 milionë eurosh, mbetet edhe këtë vit si kompania më e madhe e telefonisë celulare.
Listën e 10 më të mëdhave e mbyll Marketing Distribution, që ka arritur sërish të hyjë në dhjetëshe, pasi kishte disa vjet që kishte dalë jashtë saj, duke realizuar një xhiro prej gati 109 milionë eurosh.

Hyrje-daljet nga lista

Hyrjet, kryesojnë ndërmarrjet tregtare
Mediterranean Shipping Agency ka parë ngjitjen më të shpejtë në listë, duke pothuajse trefishuar aktivitetin e saj, në rreth 3.5 miliardë lekë.
Orti, një sipërmarrje që vepron në fushën e tregtisë, ka shënuar gjithashtu një zgjerim prej 55%, duke kërcyer në vendin e 65, me një faturim vjetor prej rreth 3 miliardë lekësh.
Porto Romano Oil është ngjitur gjithashtu në vendin e 70, pas një rritjeje të qarkullimit vjetor me 71% në rreth 2.9 miliardë lekë.
Dy sipërmarrje që veprojnë në aktivitetin e call center, Intercom Data Service (IDS) dhe Alba Call, janë gjithashtu dy hyrje të reja në listë, përkatësisht në vendet e 76 dhe 90 (shiko nënndarjen “Rritja e Call center, kryesojnë në punësim”).
VEGA dhe Besniku, të dyja sipërmarrje në import-eksport kanë parë gjithashtu një rritje të xhiros me mbi 50%, duke hyrë në listën e 100 VIP-ave, përkatësisht në pozicionin e 79 dhe 80. Ducellari 2010 është një tjetër sipërmarrje tregtare me një faturim prej rreth 2.6 miliardë lekësh, në pozicionin e 82.
Frigo Food dhe Food Trade janë zgjeruar me ritme dyshifrore, duke hyrë dhe ato të 100 më të mëdhatë, përkatësisht në vend të 86 dhe 87.
Edhe kompania e bitumit, Izvor’99 është rritur me 77% në 2.1 miliardë lekë.
Distribrands,edhe ajo në fushën e aktivitetit tregtar është rritur me 46%, në 2.15 miliardë lekë.

Daljet

Mobal Albania, e përfshirë në infrastrukturën e telefonisë celulare, është një nga daljet kryesore nga lista. Pas një qarkullimi prej 3.4 miliardë lekë në 2012-n, faturimi i saj ka rënë nën 1 miliard lekë një vit më pas.
ALEAT, kompania e koncesionit të pasaportave, e ka ulur gjithashtu ndjeshëm xhiron, në 1.6 miliardë lekë në 2013-n, nga 3.1 miliardë lekë në 2012-n.
Fabrika më e madhe e prodhimit të këpucëve, dhe një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, Donniana doli nga 100 VIP-at në 2013-n, pasi xhiro e saj pothuajse u përgjysmua, nga 2.4 miliardë lekë, në 1.3 miliardë lekë. Kompania kaloi një periudhë të vështirë pas ndarjes nga partnerët italianë, por në 2014-n ajo e ka marrë sërish veten, pas sigurimit të kontratave të mëdha të shitjes në shumë vende në Europë e botë, sipas drejtueses së saj, Donika Mici.
Fabrika e Çimentos në Elbasan ka shënuar një performancë negative, me një rënie prej 20%, në rreth 1.8 miliardë lekë.

Ulje-ngritjet e kompanive të rrugëve

Dalje të tjera nga lista e 100 VIP-ave janë dhe kompanitë e ndërtimit Salillari, Dega në Shqipëri e Shoqërisë Porr Bau, Dega në Shqipëri e Todini Construzioni, Bechtel & Enka.
Sipërmarrjet e ndërtimit, sidomos ato të huajat kanë luhatje të mëdha të faturimit vjetor, në varësi të projekteve që punojnë dhe gjatësisë së tyre në kohë. Në 2013-n, mbreti i rrugëve rezulton Copri-Akror, e përfshirë në ndërtimin e segmentit Tiranë-Elbasan, me një xhiro vjetore prej 9.6 miliardë lekësh, 75% më shumë me bazë vjetore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button