Kush shet shtrenjtë barnat, paguan gjobë dhjetëfishin e fitimit
Komisioni – Qeveria ngre Komisionin e Çmimit të Barnave, i cili përcakton çmimet e tregtimit dhe marzhin e fitimit
Shitja me çmime më të larta nga ato të përcaktuara prej Komisionit të Çmimit të Barnave, dënohet me dhjetëfishin e vlerës së përfituar padrejtësisht e, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës së importuesit. Dje është zbardhur ligji i sapomiratuar nga Kuvendi “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, sipas të cilit, do të ketë kontroll mbi tregun. Çmimi i barnave në treg është i kontrolluar dhe bazohet mbi çmimet CIF të importit, të deklaruara nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit dhe mbi bazën e çmimeve të prodhimit për barnat e prodhuara në vend, të deklaruara nga prodhuesi vendas. Kontrolli i çmimit të barnave në treg, si dhe vendosja e marzheve të fabrikimit e të tregtimit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kundërvajtjet
Ligji ashpërson edhe masat ndaj farmacistëve dhe tregtarëve të barnave që shesin ilaçe kontrabandë ose të paautorizuara. Kundërvajtjet do të dënohen nga inspektorët farmaceutikë me gjoba dhe sekuestrim të mallit. Kështu, prodhimi i barnave pa autorizimin përkatës dhe ndryshimi në formën farmaceutike pa autorizim, dënohen me konfiskim të barnave dhe me 1 000 000 (një milion) lekë gjobë e, në rast përsëritjeje, me konfiskim dhe heqje të autorizimit për prodhim. Ndërkaq, importimi i lëndëve aktive dhe ndihmëse farmaceutike pa autorizim, dënohet me 500 000 (pesëqind mijë) lekë gjobë dhe konfiskim. Në rast përsëritjeje, përveç konfiskimit vendoset heqja e licencës. Po kështu, hedhja në treg e barnave pa autorizimin e përdorimit, dënohet me konfiskim të barnave dhe me 500 000 (pesëqind mijë) lekë gjobë. Në rast përsëritjeje, përveç konfiskimit vjen edhe heqja e licencës. Ndërkaq, tregtimi me shumicë i barnave pa pullën e kontrollit dhe çmimin e shitjes me pakicë, dënohet me konfiskim të barnave dhe me 500 000 (pesëqind mijë) lekë gjobë, ndërsa tregtimi me pakicë i barnave pa pullën e kontrollit dënohet me sekuestrim të barnave dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë gjobë. Veprimet e kryera për raste të tilla, kur përsëriten, dënohen me konfiskim dhe heqje të licencës. I dënueshëm tregtimi i barnave të dhuruara dhe i mostrave promocionale e spitalore. Ky veprim dënohet me 200 000 (dyqind mijë) lekë gjobë, konfiskim të barnave e, në rast përsëritjeje, këto masa shoqërohen edhe me heqje të licencës. Ndërsa shitja e barnave me shumicë në mungesë të drejtuesit teknik ose farmacistit, dënohet me 100 000 (njëqind mijë) lekë gjobë. I ashpër është dënimi për shitjen e barnave me shumicë pa faturën shoqëruese dhe dokumentacionin përkatës, që dënohet me 300 000 (treqind mijë) lekë gjobë. Ligji ndalon shitjen e barnave me pakicë nga importuesit ose shpërndarësit e tyre. Kjo shkelje dënohet me 500 000 (pesëqind mijë) lekë gjobë. Importi
Ligji ka përcaktuar këto vende nga ku mund të importohen ilaçet: a) barnat e prodhuara në vend;
b) barnat nga BE-ja, SHBA-ja, Kanadaja, Turqia, Zvicra, Izraeli, Japonia, Australia; vendet e Ballkanit, vetëm
kur kanë marrë autorizim për tregtim në një nga vendet e BE-së; barnat e pajisura me autorizimin e tregtimit nga Agjencia Europiane e Vlerësimit të Barnave (EMA) ose Institucioni i Administrimit për Ushqimin dhe Barnat (FDA) i SHBA-së.
Zamir Alushi