Parlamentare

Kuvendi miraton projektligje në fushën e diplomacisë dhe ekonomisë

Kuvendi miratoi sot pa praninë e opozitës disa projektligje të rëndësishme në fushën e diplomacisë dhe ekonomisë.
Gjate-seances-plenare-ne-Kuvendin-e-Shqiperise-17Me 75 votat e deputetëve të maxhorancës u miratua projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, që synon përmirësimin e funksionimit të tij, përmes misioneve diplomatike. Ligji i ri sjell një sërë risish, duke nisur me emërimet që do të bëhen sipas meritokracisë, trajtimin financiar të diplomatëve, etj.

– Seanca e sotme miratoi me 73 vota shfuqizimin e ligjit “Për përcaktimin e formës dhe formulës së privatizimit të “INSIG”, SH.A”. Sipas këtij vendimi kompania shtetërore INSIG do të dalë në treg për t’u privatizuar jo më si një privatizim strategjik, sikurse ishte parashikuar në ligjin e viti 2009. Aktualisht, INSIG, sh.a.-ja, nuk gëzon më statusin e sektorit strategjik. Me shfuqizimin e këtij ligji, procesi i privatizimit do të ndiqet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

– Kuvendi miratoi sot me 76 vota ndryshimet në ligjin, “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”, i cili parashikon heqjen e së drejtës prodhuesve të vegjël të energjisë dhe kompanive të përmbarimit të ngrijnë llogaritë e kompanive publike KESH, OSHEE dhe OST për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore.

– Me 73 vota u miratua dhe ratifikimi i Protokollit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Komuniteteve Evropiane, në kuadër të anëtarësimit të Kroacisë në BE. Qëllimi i tij është një përshtatje e MSA-së, ndërmjet Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane e shteteve të tyre anëtare, e cila kryhet për të reflektuar anëtarësimin e Kroacisë në BE, me efekt nga data 1 korrik 2013.

– Opozita kërkon largimin e Metës, t’i hapë rrugën hetimit të lirë e të pavarur nga Prokuroria-

Seanca e sotme, e drejtuar nga nënkryetari i parlamentit, Vangjel Dule, nisi me fjalën e nënkryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Eduard Halimi, i cili në emër të opozitës, kërkoi largimin e kryeparlamentarit Ilir Meta, pasi ‘akuzohet drejtpërdrejt se ka porositur vrasjen e dy deputetëve’. “Vetëm largimi i Metës do të sillte një hetim të pavarur e të paanshëm dhe një parlament normal e paqe sociale”, tha Halimi.
Sipas tij, Meta duhet ta kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit që një javë më parë, ndërsa qindra e mijëra qytetarë protestuan kundër krimit, varfërisë e dhunës shtetërore. Pas kësaj deklarate, deputetë e opozitës u larguan nga salla e parlamentit për t’iu bashkuar qytetarëve, që protestonin para selisë së Kuvendit për dorëheqjen e kryeparlamentarit.

Balla:Opozita nuk ka moral të protestojë

Duke komentuar në seancën e sotme plenare protestën e opozitës, nënkryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla e cilësoi atë një manifestim shterpë të organizuar nga persona, që sipas tij ‘nuk kanë moral për të protestuar’.
“Protesta e sotme e opozitës mbaroi ende pa filluar. Ne lejojmë çdo protestë, por jo ato të atyre personave që nuk kanë asnjë të drejtë morale të protestojnë si Saliu dhe Luli, bashkë me drejtorët e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Balla.
Sipas tij, kërkesat e opozitës janë absurde kur kryetari i saj akuzohet për tre vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje dhe atë që ai e quajti “tradhti kombëtare”. “Nuk ka asnjë lloj morali kur kërkon llogari personi që është akuzuar për vrasjen e 4 qytetarëve, për vjedhjen e 230 milionë eurove dhe për tradhti kombëtare. Kush në Shqipëri i ka këto akuza? I vetmi është Lulzim Basha”, vijoi Balla.
Nënkryetari i grupit socialist akuzoi gjithashtu dhe ish-kryeministrin Sali Berisha si ‘frymëzuesin e bombave me tritol’. Këtë akuzë e lidhi me ngjarjen e dy ditëve më parë në Fushë-Krujë, kur u kap një makinë me një ngarkesë tritoli. “Makina e konfiskuar nga policia, përveç tritolit, kishte dhe flamujt e PD-së. Ajo që shumë qytetarë e dinë është se kur Saliu del në opozitë, i vetmi mjet që i mbetet është përdorimi i tritolit. Sali Berisha është personi frymëzues që qëndron pas disa bandave në shfarosje të tritolit”, tha në Kuvend nënkryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button