Kuvendi ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë: kontrolle të përbashkëta kufitare në pesë vendkalime
Marrëveshja për sistemin One Stop Shop synon pritje më të shkurtra dhe pa procedura të dyfishta për qytetarët dhe mallrat në kufirin mes dy vendeve
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ratifikoi marrëveshjen me Republikën e Shqipërisë për vendosjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kontrolleve të përbashkëta në pesë vendkalime kufitare mes dy vendeve, siç njofton INA. Votimi zhbllokon procesin, pasi ratifikimi kishte ngecur më 10 nëntor në Komisionin për politikë të jashtme.
Marrëveshja synon lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave, shkurtimin e pritjeve në kufi dhe eliminimin e procedurave të dyfishta përmes sistemit One Stop Shop.
Gjatë prezantimit të propozimligjit në Kuvend, deputetja e VLEN-it Imerlie Saliu theksoi se marrëveshja vjen pas funksionalizimit të kontrolleve të përbashkëta me Kosovën, ku rezultatet tashmë janë të dukshme. Sipas saj, me Kosovën pritjet janë shkurtuar ndjeshëm, ngarkesa është zvogëluar dhe qarkullimi është rritur 50 për qind krahasuar me vitin e fundit para zbatimit.
U theksua veçanërisht vendkalimi i Qafë Thanës, ku One Stop Shop funksionon tashmë, ndërsa marrëveshja e re krijon kushte për avancimin e mëtejshëm të kontrolleve të përbashkëta.
Sipas VLEN-it, marrëveshja është pjesë e orientimit strategjik për forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe Kosovën, krahas projekteve si Korridori 8, rruga Shkup–Bllacë, Tetovë–Prizren dhe interkonjeksionet energjetike. Në Kuvend u theksua: "Lidhjet me Shqipërinë dhe Kosovën janë pjesë e orientimit tonë strategjik dhe këtë orientim e dëshmojmë me vepra konkrete, jo me parulla boshe".



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.