Rajoni
Kuvendi ratifikon me 114 vota Protokollin për aderim të RMV-së në NATO
Dje, në Kuvendin e RMV-së me shumicë prej 114 votash u ratifikua Protokolli për aderim të RMV-së në NATO.
Gjatë seancës se djeshme, kanë marrë fjalën përfaqësuesit e të gjitha partive duke dhënë mbështetje për këtë moment historik për shtetin, përveç përfaqësuesit të VMRO-së që nuk pajtohet me emërimin e shtetit sipas Marrëveshjes së Prespës, por që janë pro anëtarësimit në NATO.
Tashmë edhe zyrtarisht është bërë ngritja e flamurit të NATO-s në oborrin e Kuvendit të RMV-së nga ana e Talat Xhaferit, kryetar i Kuvendit të RMV-së, duke qenë të pranishëm edhe mysafirët ndërkombëtar.Pas ratifikimit në Kuvend, me 114 vota pro, Maqedonia e Veriut është një hap larg anëtarësimit të plotë në NATO, duke pritur vetëm edhe Kuvendin e Spanjës për ta ratifikuar Protokollit, që është çështje ditësh momenti kur do të hyjë në rend të ditës nga autoritetet spanjolle.
Republika e Maqedonisë së Veriut do jetë anëtarja e 30-të e Aleancës së NATO-s.
Në seancën djeshme të ratifikimit të Marrëveshjes Veriatlantike fjalime kanë mbajtur presidenti i vendit Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kryeministri teknik Oliver Spasovski si dhe koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, Jovan Mitrevski, BDI-së Ejup Alimi, të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski dhe të Grupit të pavarur të deputetëve nga VMRO-DPMNE Nolla Ismajloska- Starova, deputetët e ASH-së Syrija Rashidi, Alternativës Afrim Gashi, Besës Fadil Zendeli dhe PDSH-së Meral Ferati.
“Sot shkruajmë histori, dhe jemi pjesëmarrës në momentin historik për shtetin tonë, moment i cili e përcakton të ardhmen tonë, dhe e hap rrugën e stabilitetit, të zhvillimit dhe të prosperitetit”, tha koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së Jovan Mitreski. U shfaqi falënderim të gjithëve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në realizimin e qëllimit tonë anëtarësimin në NATO.
“Në emrin tim dhe në emër të të gjithë deputetëve nga grupi i deputetëve shpreh kënaqësi dhe nder të madh që jemi pjesë e kësaj përbërje parlamentare, pjesë e shumicës parlamentare e cila dha kontribut të madh për këtë vendim historik”, tha Mitreski.
Koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së theksoi se përmes politikave pozitive dhe reformuese edhe në planin vendor dhe të jashtëm, nga një shtet i robëruar u bëmë shembull pozitiv në Ballkan, shembull si po zhvillohen dhe kultivohen marrëdhëniet e mira fqinjësore, si zgjidhen kontestet disadekadash vetëm nëse ka vullnet të mirë, mendim dhe vizion të sinqertë.
“Stabiliteti ynë, siguria jonë tashmë asnjëherë nuk do të vihen në pikëpyetje. E ardhmja e vendit tonë është e garantuar”, tha Mitreski.
“Ai theksoi se lideri i LSDM-së Zoran Zaevi i cili, siç tha, me vizionin dhe guximin e tij të lidershipit ka arritur të përballet me problemin i cili e mundonte shtetin tonë me dekada mbrapa dhe për shkak të së cilës ndër vite ishim të bllokuar në rrugën tonë euroatlantike.
“Me mbrojtje të plotë të identitetit maqedonas dhe gjuhën maqedonase erdhi deri te Marrëveshje kompromise e Prespës, me të cilën u mbyll çështja më e vështirë me fqinjin tonë jugor”, tha Mitreski.
E uroi opozitën se përfundimisht pranon të bëhet anëtare e NATO-s nën emrin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut.
Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski theksoi se VMRO-DPMNE-ja gjithmonë ka qenë për hyrjen e Republikës së Maqedonisë në NATO. Përkujtoi se grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së ishte nismëtar i ratifikimit të parakohshëm të Protokollit për anëtarësim në NATO të Maqedonisë.
“Anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO është realizimi i njërit ndër qëllimet strategjike të Maqedonisë. Siguria e qytetarëve dhe shtetit gjithmonë kanë qenë prioritet për VMRO-DP;NE-në dhe si parti me përgjegjësi e cila e para e ka vendosur këtë qëllim strategjik kemi përgjegjësi para qytetarëve që ta përmbushim, edhe pse sot këtë e bëjmë në kushte të një realiteti tjetër.
Deklarata e parë për hyrjen e shtetit në Aleancën e NATO-s është parashtruar në vitin 1993 pikërisht nga VMRO-DPMNE-ja, përkujtoi ai, dhe në atë periudhë është votuar me konsensus nga të gjitha partitë politike në Kuvend.
Duke i theksuar arsyet për inicimin e ratifikimit të parakohshëm të protokollit për anëtarësim në NATO, Micevski tha se Maqedonia që moti e ka merituar anëtarësimin në NATO që në vitin 2008, kur ishim të bllokuar dhe nuk morëm ftesë për anëtarësim, ndërsa ky përcaktim strategjik i BMRO-DPMNE-së është pjesë e Statusit të partisë ku në nenin 8, në Qëllime dhe Detyra qëndron se partia do të angazhohet për kyçjen e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Të nderuar të pranishëm, potencoi ai, ne jemi parti politike e cila i ndjek parimet e legalitetit dhe realitetit të cilën mund ta kritikojmë dhe kemi të drejtë ta kontestojmë, por në asnjë rast nuk kemi për qëllim si parti ta rrezikojmë përcaktimin thelbësor dhe anëtarësimin e merituar në NATO që vendi e pret plot 12 vjet.
Këto ditë, siç tha koordinatori i grupit të deputetëve të partisë opozitare, ka tentime të manipulimeve me qytetarët për kundërshtimin nga ana e VMRO-DPMNE-së për ndryshimin e emrit të Armatës së Republikës së Maqedonisë.
Pushteti hesht me vetëdije, theksoi si, se në marrëveshjen me Greqinë, të cilën secili ka të drejtë ta kritikojë, “shkruan se emrat e institucioneve të caktuara, organeve apo dokumenteve të cilat janë kryesisht për përdorim të brendshëm në shtet duhet të fillojnë të ndryshohen pasi do të fillojnë negociatat e Maqedonisë me Bashkimin Evropian në atë fushë gjegjësisht me çdo kapitull të ri të hapur”.
Nolla Ismallovska nga grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, gjithashtu potencoi se sot përmbyllim një ëndërr të shumë brezave me të cilën shteti bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.
Surija Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët theksoi se sot po shënohet hapi përfundimtar drejt anëtarësimit në Aleancën e NATO-s si anëtarja e 30-të.
Ai theksoi se përcaktimi është prioritet kryesor i Aleancës për Shqiptarët me vlerat euroatantike të vendit tonë.
Në Kuvend të pranishëm ishin edhe Mirosllav Tugjman, deputet dhe shef i delegacionit kroat të AP- NATO, Vasilika Husi nënkryetare e Parlamentit shqiptar, Cveta Karajançeva, kryetare e Kuvendit bullgar, Genci Nimanbegu, kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ish president, ish kryeministra, liderë të partive politike dhe përfaqësues të korit diplomatik në vend.