KVV: Pak përpjekje për dekriminalizimin; KQZ, pasiv me listat
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) ka publikuar paraditen e së enjtes raportin e dytë për periudhën parazgjedhore në vend, me kritika të shumta ndaj subjekteve politike.
Në prezantimin e raportit, drejtuesit e KVV kanë vlerësuar se, përpjekjet e partive për dekriminalizimin kanë qenë të cunguara, ndërkohë që KQZ ka qenë një institucion pasiv në verifikimin e listave, të cilat kanë probleme me emrat e të dënuarve.
Një tjetër konstatim shqetësues i Koalicionit ka qenë se nga prokuroria nuk ka pasur hetime për blerjen e votave, ndërsa sa u takon partive, u nënvizua se po zhvillojnë fushata shumë të kushtueshme.
Kritika ka pasur edhe në adresë të Kolegjit Zgjedhor, i cili akuzohet për standarde të dyfishta, ndërkohë që i vetmi vlerësim ka qenë ai për respektimin e kriterit gjinor në këto zgjedhje.
Ndër të tjera, KVV ka kërkuar të shmanget përdorimi i gjuhës së urrejtes në takimet elektorale dhe të mos përdoren fondet publike për fushatë.