Lamallari në Kuvend: Shqipëria po avancon me rezultate konkrete drejt standardeve europiane të sigurisë dhe drejtësisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi në Kuvend se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, duke theksuar se procesi i integrimit europian po shoqërohet me reforma konkrete dhe rezultate të matshme.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Lamallari u shpreh se integrimi europian nuk është më vetëm një objektiv politik, por një proces transformimi të shtetit, institucioneve dhe standardeve të sigurisë në vend. Sipas tij, Ministria e Brendshme ka një rol kyç në këtë proces dhe Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në përmbushjen e piketave të ndërmjetme të negociatave me Bashkimin Europian.
Ministri bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë miratuar 15 ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe një sërë urdhrash dhe udhëzimesh në funksion të reformave.
“Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë nuk është më një objektiv aq sa politik, por një proces konkret transformimi të shtetit, të shoqërisë shqiptare, të institucioneve dhe standardeve të sigurisë. Në këtë kuadër, Kapitulli 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, përfaqëson një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më sfidues të negociatave me Bashkimin Europian. Ministria e Punëve të Brendshme ka një rol kyç në këtë proces dhe sot mund të themi me përgjegjësi që Shqipëria ka bërë progres të dukshëm dhe të matshëm në përmbushjen e piketave të ndërmjetme të këtij kapitulli.
Vetëm gjatë kësaj periudhe janë miratuar në total plot 15 ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe po aq, apo edhe më shumë, urdhra dhe udhëzime. Në luftën kundër krimit të organizuar janë ndërmarrë reforma të forta ligjore dhe institucionale“, tha Lamallari.
Ai theksoi se ndryshimet në Kodin Penal kanë forcuar luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe krimeve seksuale ndaj fëmijëve në internet.
Lamallari nënvizoi gjithashtu ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, e cila do të merret me gjurmimin dhe identifikimin e pasurive me origjinë kriminale. Sipas tij, Shqipëria ka avancuar edhe në kontrollin e armëve të zjarrit dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, përmes strategjive dhe procedurave të reja në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Në fushën e luftës kundër drogës, ministri tha se janë forcuar mekanizmat e monitorimit dhe paralajmërimit të hershëm, duke përfshirë ngritjen e strukturave të dedikuara në Policinë e Shtetit. Ndërsa në fushën e migracionit dhe kontrollit kufitar, ai përmendi miratimin e ligjeve të reja për kontrollin e kufirit shtetëror dhe sistemin API/PNR, si dhe zbatimin e strategjisë kombëtare të migracionit 2024–2030.
Lamallari veçoi edhe përafrimin gradual të politikës shqiptare të vizave me atë të Bashkimit Europian, duke përfshirë heqjen e regjimeve pa viza me vende që nuk përputheshin me politikën e përbashkët europiane.
Ministri pranoi se ende ka angazhime në proces, përfshirë finalizimin e Strategjisë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, si dhe miratimin e akteve të tjera nënligjore. Ai njoftoi gjithashtu ngritjen për herë të parë në Shqipëri të Qendrës për të Miturit e Pashoqëruar, në përmbushje të angazhimeve ndaj Komisionit Europian.
Në përfundim, Lamallari deklaroi se Shqipëria po ecën drejt Bashkimit Europian jo me premtime, por me rezultate konkrete të njohura dhe të vlerësuara nga Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.