Lamtumira me festë e Leo Messi-t, një tjetër “fantazmë” në karrierën e Ronaldo-s
Ceremonia madhështore që do të organizohet për rivalin e përjetshëm mund ta bëjë më të hidhur epilogun për Cristiano-n me Portugalinë.
Rasti i ka vënë sërish përballë njëri-tjetrit. Ose më mirë, i ka çuar aty ku kanë qenë për gati 20 vjet: në të njëjtën skenë, të detyruar edhe një herë të krahasohen. Këtë herë nuk janë në lojë tituj apo trofe, por një lamtumirë.
Ditët e ardhshme pritet festa për tërheqjen e Messi-t nga Argjentina, kurse Portugalia është tronditur nga çështja Cristiano Ronaldo. Krisja me trajnerin Jesus, sipas medieve luzitane, mund të jetë prelud i një lamtumire të papritur të CR7 nga kombëtarja. Në pak ditë futbolli ndërkombëtar do të humbasë dy nga interpretuesit më të mëdhenj të lojës në histori. Një koincidencë, duke marrë në konsideratë edhe diferencën e moshës, që çon në krahasimin e paevitueshëm. Dhe si në pjesën tjetër të karrierës së tyre legjendare, Messi e Ronaldo duken të destinuar të jetojnë si antipodë.
Pas një Botërori si protagonist, Argjentina ka thirrur kapitenin për t’i dhënë mundësinë popullit ta nderojë ashtu si duhet. Portugezi në anën tjetër, kur kuptoi se do të qëndronte sërish në stol, la Portugalinë, duke përplasur derën.
Për momentin vështirë të imagjinohet një festë lamtumire. Sepse pas dështimit në Botëror dhe ndeshjeve të Nations League, CR7 është kritikuar. Rastet e humbura, nervozimi dhe rënia e pashmangshme fizike e kanë nxjerrë atë zbuluar në sytë e tifozëve dhe opinionit publik, që gradualisht po kërkon që të largohet. Një status, që Ronaldo nuk do ta marrë në konsideratë.
Parabola e Messi-t dhe Ronaldo-s në kombëtare është e pabesueshme, nëse mendojmë për 10 vjet më parë. Në 2016-ën Cristiano ishte hero kombëtar pas Europianit të fituar ndaj Francës. Messi, mes kritikave dhe kontestimeve për finalen e radhës të humbur, njoftonte tërheqjen nga Seleccion.
Nuk ka një mënyrë të drejtë apo të gabuar për të thënë lamtumirë. Por ka një mënyrë, për të cilën do të kujtohesh. Messi do të ketë popullin e tij, stadiumin e tij, festën e tij. Do të ketë kohën të përshëndesë dhe të përshëndetet. Ronaldo rrezikon të vendosë në hsitori një imazh shumë ndryshe, atë të kampionit që nuk pranon të ulet, as kur ia kërkon futbolli.
Ashtu si kori “Messi, Messi” që tifozët kundërshtarë nuk ia kursejnë, fundi i lavdishëm i rivalit të përjetshëm rrezikon të shndërrohet për Ronaldo-n në një tjetër “fantazmë” inferioriteti brenda një karriere të ndërtuar mbi të qenit më i miri në çdo pikëpamje.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.