Lazimi: 2014-ta, vit i suksesshëm financiarisht, në prill rrisim pagat për punonjësit
“Viti 2014 ka qenë një vit i suksesshëm financiar për Postën Shqiptare”. Kështu deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Postës, Majlind Lazimi, gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar për analizën vjetore të postës. Kreu i Postës renditi arritjet dhe sfidat e institucionit që drejton, ndërsa nënvizoi domosdoshmërinë e transformimit dhe modernizimit me hapin e kohës, për tu përballur me tregun konkurrues.
Ndër të tjera Lazimi siguroi punonjësit e postës se pagat e tyre do të rishikohen që prej prillit të këtij viti, në mënyrë që siç tha ai, të afrohen me pagat e tregut për të garantuar përmirësimin e performancës së Postës Shqiptare.
“Ajo çka mbetet prioritare pas një vit të suksesshëm financiar, është të reflektojmë për pagat e punonjësve që në shumë nivele janë modeste. Lajmi i mirë i ditës së sotme është fakti që tashmë kemi marrë një vendim, në prill të këtij viti do rrisim pagat mesatarisht për të gjithë punonjësit e Postës Shqiptare. Pagat e ulëta kanë nevojë të afrohen me pagat e tregut. Do ketë impakt të rëndësishëm në përmirësimin e performancës. Do ketë një sistem bonusi për punonjësit më të suksesshëm. Ai që punon më tepër duhet të vlerësohet më tepër. Bazë e këtij sistemi bonusi do të jetë meritokracia”- deklaroi Lazimi.
Duke iu referuar rasteve të abuzimit nga disa punonjës të postës gjatë viteve të kaluara, Lazimi theksoi se: “Nuk do tolerojmë asnjë rast abuziv. Në Postën Shqiptare nuk ka vend për njerëz që abuzojnë”.